HEKURUDHA DERI NË SELANIK | A do të ketë kredi prej 2 miliardë euro?

    Hekurudha, fotografi ilustruese

    Hekurudha e shpejtë prej Shkupi deri në Selanik për momentin është vetëm ide dhe nuk ka projekt, ndërsa vlerësimet janë se do të kushtojë 8-12 milionë euro për një kilometër. Ku 210 kilometrat e ndërtimit të saj do të kushtonin ndërmjet 1.7 dhe 2.5 miliardë euro. Nga ana tjetër në 151 vjetorin e trenit të parë nga Selaniku deri në Veles, trenat në Maqedoni janë si ajo thënia “rrallë e përmallë”. Me vite nuk tren për jashtë shtetit për pasagjerë, e të mos flasim për Kërçovë, Tetovë, Gostivar, Koçanë dhe Shtip, ndërsa edhe trenat ndaj Manastirit, Velesit apo Gjevgjelisë po qarkullojnë me vështirësi të mëdha. Probleme të shumta ka edhe me transoportin e mallrave me tren. Në ndërkohë në Serbi, në kuadër të Korridorit 10, tashmë është lëshuar në përdorim hekurudha e shpejtë nga Beogradi deri në Novi Sad, hekurudha deri në Suboticë apo kufirin me Hungarinë është gati dhe ajo nga Beogradi në Nish është në fazën fillestare të zbatimit.

    SELANIK, 200 KM NË ORË

    Ideja është të udhëtohet nga Shkupi në Selanik me 200 kilometra në orë, gjë që do të jetë e mirë për ekonominë maqedonase si dhe për lidhjen rajonale. Ideja është të bëhet një trekëndësh që do të lidhë Shkupin me hekurudhën e shpejtë.Ministrit i transportit Aleksandar Nikollovski thotë lidhur me financimin se nuk do të kërkojmë para nga Kina, Rusia dhe Arabia Saudite. Nëse BE-ja dëshiron ta financojë, është e mirëseardhur, por fillimisht duhet të sigurojmë financimin para se të fillojmë ta ndërtojmë, thotë Nikolloski. “Mendoj se duhet të ndjekim rrugën më të thjeshtë, e cila do të ishte nga Tabanoci, pastaj të zbresim poshtë Kumanovës në Shën Nikollë, pastaj Shtip, Radovish, Strumiçë dhe të lidhemi me Miravcin, Gjevgjelinë dhe Selanikun. Natyrisht, duhet të bëhet një trekëndësh që do ta lidhë Shkupin me hekurudhën e shpejtë”, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikoloski në një intervistë për podkastin “Ku janë paratë”.

    Ende duhet bërë një studim fizibiliteti dhe para-fizibiliteti. Nikolloski pret që nga studimet të marrin përgjigje se cila zgjidhje është më e pranueshme.Ndërtimi i hekurudhës së shpejtë Shkup-Selanik me shpejtësi 200 kilometra në orë duhet të ndryshojë tërësisht ekonominë e Maqedonisë dhe ta lidhë vendin me portet kryesore, ndërsa në veri me Evropën Qendrore.

    Ekziston një projekt për rindërtim, i cili parashikon një shpejtësi treni prej 80 km për transportin e mallrave dhe 120 km për transportin e udhëtarëve. Vlera e parashikuar do të ishte rreth 250 milionë euro dhe do të bëhet rikonstruksioni i plotë i segmentit Tabanoc-Gevgjeli me 100 milion euro mjetet IPA apo fondet evropiane dhe 150 milionë euro nga buxheti i shtetit.Për ekspertët, megjithatë, është e rëndësishme se sa i realizueshëm dhe ekonomikisht i shpagueshëm është një projekt i tillë, duke qenë se hekurudha ka pasur shfrytëzim të ulët të kapaciteteve prej vitesh. Përveç kësaj, vendi mori shumë hua në vitet e kaluara, ku vetëm për përfundimin e autostradës prej Shkupi deri në kufirin me Shqipërinë do të huazohen prej 1.5 deri më 2 miliardë euro, kështu që kreditë e reja për një projekt kaq të madh do të nënkuptonin edhe borxh tejet të madh për vendin.

    FINANCIME EUROPIANE

    Profesori Zoran Krakutovski thotë se ky projekt është i shtrenjtë për tu financuar nga arka e shtetit, andaj duhet të shqyrtohet mundësia e financimit evropian të korridorit dhjetë në transportin hekurudhor. Sipas tij, studimi duhet të tregojë nëse do të përdoret traseja aktuale e hekurudhës nga Korridori 10 apo do të ndërtohet një hekurudhë krejtësisht e re që do të përmbushë standardet e një hekurudhe të shpejtë. Evropa preferon dhe mbështet edhe fianciarisht transportin e lirë që e mundëson hekurudha, andaj me një projekt të mirë mund të shfrytëzohen dy të tretat e fondeve evropiane për këtë qëllim. Shton se nuk duhet anashkaluar as lidhjet e tjera hekurudhore në vend. Duhet të rindërtohet edhe hekurudha në drejtim të Kosovës duke marrë parasysh se në këtë drejtim në aspekt të peshës kemi qarkullimin më të madh të transportit të mallrave, ndërsa duhet të modernizohet edhe treni në drejtim të Tetovës që do të lëvizë me një shpejtësi më të madhe. Duhet marrë parasysh edhe përfundimin e hekurudhës në drejtim të Bullgarisë dhe Shqipërisë ku për shembull nga Shkupi deri në Ohër do të arrihej për një orë me një shpejtësi prej 100 km në orë. Për më tepër rrumbullakimi i hekurudhave në drejtim të fqinjëve do të mundësonet edhe transport të lirë të mallrave në tre portet.

    SA KUSHTON NDËRTIMI NË EUROPË

    Nga ana tjetër portali” Nezavisen”, shkruan se Gjykata Evropiane e Auditorëve në një raport të vitit 2018 i referohet në mënyrë specifike kostos së ndërtimit të hekurudhave të shpejtësisë së lartë në BE, ku gjithçka varet kryesisht nga terreni. Hekurudha e shpejtë në Gjermani nga Shtutgarti në Mynih, e cila filloi ndërtimin në vitin 2010 dhe do të përfundojë në vitin 2025, është e gjatë 267 kilometra. Kushton 13.27 miliardë euro. Që do të thotë – 49.7 milionë euro për kilometër.

    Në Gjermani, një tjetër hekurudhë me shpejtësi të lartë që tashmë është në funksion, nga Berlini në Mynih (671 km) u ndërtua për 14.68 miliardë euro. Kjo do të thotë 21.8 milionë euro për kilometër.

    Në Itali, që nga viti 2003, hekurudha e shpejtë prej 273 kilometrash nga Milano në Venedik është në ndërtim e sipër. Ai duhet të përfundojë në vitin 2028. Kostoja e tij është 11.8 miliardë euro. Ajo shkon në 43 milionë euro për kilometër.Hekurudha prej 1007 kilometrash nga Torino në Salerno kushtoi 32 miliardë euro – 31.8 milionë euro për kilometër. Ajo përfundoi në vitin 2009.Ka edhe ndërtime më të lira. Në Spanjë, hekurudha prej 345 kilometrash nga Madridi në Leon u ndërtua për 5.4 miliardë euro. Është 15.6 milionë euro për kilometër. Filloi në vitin 2001 dhe përfundoi në vitin 2015.

    Ndryshe, sipas paralajmërimeve të mediave rajonale Beogradi, Zagrebi dhe Lubjana deri në vitin 2028, do të lidhen me një hekurudhë me shpejtësi të lartë prej 200 km në orë , thonë nga ministritë përkatëse të transportit.

    Vlera e punimeve në Serbi llogaritet në 400 milionë euro. Kroavia dhe Sllovenia planifikojnë gjithashtu të modernizojnë hekurudhën, e cila është pjesë e korridorit ndërkombëtar hekurudhor 10. Pritet që punimet në Kroaci të përfundojnë në vitin 2027, ndërsa në Slloveni deri në fund të vitit 2028. Sllovenët planifikojnë të modernizojnë dhe zgjerojnë stacionet hekurudhore në Lubjanë deri në vitin 2026.Pritet që rinovimi i linjës hekurudhore përmes Sllovenisë të kushtojë 640 milionë euro. Gjithastu vlerësohet se Kroaçia do të investojë 670 milionë euro në këtë projekt. Serbia planifikon që paratë të sigurohen nga kredia e Bankës Evropiane të Investimeve, më pas nga granti i Fondit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (VIBF), si dhe nga buxheti i Republikës së Serbisë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Riaktualizohet ideja për hapjen e burgut të grave në Strugë

    Lajmi i rradhës

    DASh paralajmëron Muskun për dhuratat prej 1 milion dollarësh

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë