Hendek i madh në paga, por edhe në harxhime!

    Maqedonia e Veriut është një vend i vogël të cilin mund ta kalosh për tre orë nga pika kufitare Tabanoc deri në pikën kufitare Bogorodicë. Por, përkundër se është një vend i vogël, Maqedonia e Veriut ka dallime të mëdha në pabarazi sociale. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), dallimet janë drastike dhe tepër të dukshëm.  Sipas statistikave të publikuara – paga mesatare në të gjithë territorin e vendit është 36.527 denarë. Por me përjashtimin e rajonit të Shkupit, ku punëtorët paguhen mesatarisht më mirë se rroga mesatare, rajonet tjera marrin gati deri në 100 euro më pak sesa paga mesatare. Mesatarja më e ulët e rrogave është në rajonin e Pollogut, ku paga mesatare në këtë rajon është më shumë se 32.000 denarë. Rajoni i Shkupit ka pagën mesatare 37.496 denarë, rajoni Verilindor ka 34.818 denarë, rajoni i Vardarit 34.424 denarë, rajoni Juglindor 33.881 denarë, rajoni Lindor 33.652 denarë, rajoni i Pellagonisë 32.604 denarë, rajoni i Pollogut 32.249 denarë, rajoni Jugperëndimor 32.821 denarë).

    Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, kjo ndodhë për shkak të shkurtimeve dhe recensionit të buxhetit ndër vite në rajonet e tjera dhe këto veprime krijojnë pabarazi dhe hendek më të madh mes rajoneve duke krijuar edhe rajone “të varfra” dhe “të pasura”.

    Profesori universitar Ali Maksuti, për gazetën KOHA ka deklaruar se në rajonin e Shkupit, sektori privat dhe administratës publike pagat i ka më të larta se rajonet tjera në vend për arsye se edhe brenda një shteti, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, ndodh standardi i ndryshëm rajonal, ku kryeqytetet dhe zonat më të industrializuara kanë edhe çmimet e konsumit më të larta edhe pagat variojnë më të larta.

    “Ky variacioni i pagave normal ndikon në koston e jetës, por siç thamë – të hyrat janë më të larta, por edhe shpenzimet e jetesës janë më të larta. Impakti në jetesën e qytetarit ndikon, por nuk mund të ketë pasoja që të ndryshoj shumë në standardin e jetesës”, ka deklaruar ai.

    Nga ana tjetër, profesori Veland Ramadani, tha për gazetën KOHA se është e vërtetë se në rajonin e Shkupit pagat janë më të larta krahasimisht me qytetet tjera dhe kjo vjen si pasojë e asaj se standardi jetësor në Shkup është shumë i lartë se në vende tjera, kompanitë më të fuqishme janë instaluar në këtë rajon dhe ato kanë mundësi për të dhënë paga më të larta.

    “Gjithashtu, kuadri më i përgatitur profesional, nëpërmjet migrimit të brendshëm dhe mundësive më të mëdha – janë vendosur në Shkup ku dhe marrin paga më të larta, Krejt kjo bën që paga mesatare të jetë më e lartë këtu se diku tjetër. Paga determinon edhe standardin jetësor të qytetarëve dhe ata që marrin paga më të larta mund t’ia lejojnë vetes një jetë më dinjitoze, për të mos thënë edhe luksoze. Edhe pse ata që jetojnë dhe veprojnë në rajonin e Shkupit marrin paga më të larta, megjithatë ata ballafaqohen me çmime shumë më të larta, në krahasim me qytetet tjera. Andaj edhe standardi jetësor nuk mund të ketë dallim të theksuar viza-vi banorëve tjerë”, theksoi Ramadani.

    Ai shtoi se sa i takon pasojave, të gjitha ata që pretendojnë karrierën dhe mundësive më të mëdha për punësim – do të pretendojnë të shpërngulen në kryeqytet, gjë që mund të krijojë pasojë të deficitit të shumë kuadrove profesional në vendet tjera, me çka do të dobësohej cilësia e shërbimeve dhe vështirësimin e jetesës, kushtimisht thënë në ‘periferi’ të vendit. Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga ESHS rajoni i Shkupit ka pjesëmarrjen më të madhe në bruto-produktin e brendshëm me rreth 44 për qind, ndërsa rajoni Verilindor me pjesëmarrjen më të vogël me vetëm 5 për qind. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çerdhja e Dibrës e ngushtë për fëmijët

    Lajmi i rradhës

    OKB paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Libinë e përmbytur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë