Çerdhja e Dibrës e ngushtë për fëmijët

    Nga viti në vit ka një rritje të numrit të fëmijëve të cilët gjejnë akomodim ditor në çerdhen e vetme në Dibër “Breshia”. Drejtoria e këtij institucioni parashkollor ka informuar se viteve të fundit – interesimi për t’i sjellë fëmijët në çerdhe është i madh. Duke u rritur numri i fëmijëve, faktikisht të dy objektet e çerdhes kanë filluar të ngushtohen dhe rrugëdalja është përfundimi i punimeve të objektit aneks që ndërtohet vite me radhë. Në çerdhen “Breshia” potencojnë se aktualisht janë regjistruar 399 fëmijë. Si asnjëherë deri më tani, interesimi për ti regjistruar fëmijët në çerdhen e Dibrës është shumë i madh. Kushtet shumë të mira për akomodim, si dhe punësimet e çifteve të reja kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit të fëmijëve në këtë çerdhe.

    Çerdhja e Dibrës e cila është e njohur për realizimin e suksesshëm të projekteve të Programit “Erazmus Plus” të Bashkimit Europin, posedon edhe me kuadër të përsosur. Drejtoresha e çerdhes, Ajrie Daçi, për gazetën KOHA thotë se dibranët – duke marrë parasysh kushtet e volitshme në çerdhe, kanë kërkesa të shumta për regjistrimin e fëmijëve.

    “Në çerdhen tonë, në të dyja objektet – si dhe në çerdhen periferike në fshatin Skudrinjë, funksionojnë 18 grupe. Grupet udhëhiqen nga edukatoret, të cilat poshtu posedojnë dituri të standardeve të larta meqë kanë qenë edhe pjesëmarrëse në projektet ‘Erazmus Plus’ që janë mbajt tek ne, por edhe në vendet të tera të Europës. Në krahasim me çerdhet e tjera të vendit, mendojmë se standardi në çerdhen tonë është më i lart. Një rrugëdalje për pranimin e të gjithë fëmijëve, meqë numri i atyre që kërkojnë akomodim është i madh, e kemi gjetur te finalizimi i punimeve në aneks-objektin të çerdhes ‘Breshia’. Jemi drejt përfundimit dhe realizimit të këtij projekti, i cili na mundëson të kemi edhe një sallë sporti për fëmijët”, thotë drejtoresha Daçi.

    Kontaktet me prindërit janë të rregullta dhe vazhdon të rritet numri i kërkesave për akomodim. Por, një problem që paraqitet në këtë institucion parashkollor, është shuma e pagesës që bëjnë prindërit për qëndrimin ditor në këtë institucion.

    “Plot 30 vite nuk është ndryshuar çmimi që paguajnë prindërit për akomodimin e fëmijëve. Çmimi është vetëm 1499 denarë dhe faktikisht është një çmim shumë i ulët duke marrë parasysh çmimet të larta që janë në të gjitha sferat e jetës. Normalisht këtu ndikon edhe ushqimi që përgatitet për fëmijët, prandaj shpeshherë kemi edhe kontakte me prindërit. Kuzhina dhe kuadri që punon në kuzhinë përgatisin për çdo ditë ushqime në përputhje me lartësinë e mjeteve që merren nga prindërit”, thotë drejtoresha Daçi, ndërsa thotë se pret që shumë shpejt – me finalizimin e projektit për ndërtesën plotësuese – të vazhdojë të rritet numri i fëmijëve. Funksionimi i çerdhes në Dibër ka dhënë dhe jep një edukim të niveleve të larat të fëmijëve, gjë që ndikon edhe në shkollimin e mëtutjeshëm të fëmijëve dibran. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Komunat në RMV me borxhe dhe pak investime

    Lajmi i rradhës

    Hendek i madh në paga, por edhe në harxhime!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë