Hetimi për tragjedinë e Koçanit, ku humbën jetën 59 persona si pasojë e zjarrit që shpërtheu te klubi i natës “Puls”. BDI kërkon ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga Komisioni Evropian, pasi vlerëson se kryeministri Mickoski e ka kapur plotësisht sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe gjyqësorin.
Sipas partisë së Ali Ahmetit, kryeministri e dikton dinamikën e proceseve, duke përcaktuar publikisht të dyshuarit dhe fajtorët që në fazën fillestare, madje edhe para se prokuroria të nisë hetimet. Kështu sipas BDI-së Mickoski publikisht demonstron një pushtet të paligjshëm politik për të kontrolluar procesin e shkarkimit dhe ndalimin e shkarkimit të prokurorit të përgjithshëm, duke mos kursyer as kërcënimet për linçim publik në rrugë.
“Hetimi për tragjedinë në Koçan është shembulli më grotesk i drejtësisë selektive që ka ndodhur ndonjëherë në këtë vend. Ky proces është shndërruar në një karikaturë të një hetimi ligjor, ku të gjithë janë fajtorë, përveç nëse janë nga VMRO-DPMNE. Kjo situatë e rëndë kërkon aktivizimin e të gjitha mekanizmave për të parandaluar degradimin e plotë të logjikës ligjore, e cila do të ketë pasoja të parikuperueshme për zhvillimin politik të shoqërisë dhe për harmonizimin e saj me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian. Republika e Maqedonisë së Veriut është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe për këtë arsye, ne do t’i drejtohemi Komisionit Evropian me kërkesën që një ekip ekspertësh të ndjekë nga afër këtë farsë hetimore, ku Qeveria akuzon gjithçka dhe këdo rreth saj vetëm për të mbrojtur ata që ishin përgjegjës për të parandaluar këtë tragjedi”, theksojnë nga BDI.
Nga BDI shprehet se është për çudi se si Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski nuk përfshihet në zinxhirin e fajtorëve, edhe pse ai 13 muaj para tragjedisë ishte në dijeni për ekzistencën e një klubi nate ilegal që shkelte të gjitha standardet e mundshme të sigurisë, si dhe Inspektorati Shtetëror dhe Administrata Tatimore, të cilat nuk ndërmorën asnjë masë.
“Përkundrazi, pikërisht Ministri përgjegjës del çdo ditë për të na paraqitur të gjithë fajtorët e tjerë, në mënyrë që të lirohet edhe nga përgjegjësia politike morale.”, theksojnë nga BDI.
“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian të dërgojë menjëherë ekspertë ligjorë dhe të përfshihet drejtpërdrejt me një monitorim të përforcuar të këtij rasti; më pas, me ekspertizën dhe gjetjet e saj, do të ndihmojë komisionin parlamentar, i cili duhet të krijohet menjëherë nën mbikëqyrje ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin për media të BDI-së, duke shtuar se demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut janë rregullat dhe parimet bazë të Bashkimit Evropian, dhe ato duhet të mbrohen edhe në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, qëndrimet e BDI-së, koalicioni VLEN I vlerëson si hipokrite, ndërsa bëjnë me dije se ata do të kërkojnë komision hetimor jo vetëm për tragjedinë në Koçan,por për të gjitha tragjeditë që kanë ndodhur viteve të fundit në vend. Nga VLEN vlerësojnë se BDI, pas 22 vitesh të pushtimit dhe shkatërrimit të sistemit të drejtësisë, po përpiqet të luajë rolin e viktimës, duke kërkuar një hetim vetëm për tragjedinë në Koçan. Nga VLEN parashtrojnë pyetjet se kush e krijoi këtë sistem të kalbur?, kush i mbrojti kriminelët?,si dhe kush i shndërroi gjykatat dhe prokurorinë në zyra private partiake?
“Qytetarët e dinë se kush e krijoi këtë sistem të korruptuar dhe kush e ka mbuluar padrejtësinë për vite me radhë. VLEN do të vazhdojë të luftojë për drejtësi të vërtetë, jo për farsat politike të një partie që tashmë I përket së shkuarës”, theksojnë nga VLEN. Nga koalicioni në pushtet i bëjnë thirrje BDI-së që të ndal manipulimet. “VLEN nuk do të lejojë që e vërteta të manipulohet! Kërkojmë komision hetimor për të gjitha tragjeditë e viteve të fundit – nga Llaskarca, spitali modular, Besa Trans, e deri te Koçani. Nuk do të lejojmë që BDI të vendosë se cilat viktima meritojnë drejtësi dhe cilat duhet të harrohen!”, thuhet në njoftimin e VLEN. /Koha/