Voluminoz, me ndryshime të papërshtatshme dhe përjashtuese moduli i ri i lëndës së Historisë që është publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës është zhgënjyes. Ilir Memedi, këshilltar në sektorin për zhvillimin e standardeve dhe programeve mësimore për lëndën e Historisë nga Byroja për zhvillimin e Arsimit dhe ish anëtari i komisionit të MASH-it, Isamedin Azizi, këshilltar shkencor (ITKSHSH) kanë rezerva lidhur me versionin e ri të publikuar nga MASH, i cili nuk përkon me planprogramin e përgatitur nga komisioni, shkruan gazeta Koha. Ndryshimet që pësoi programi këshilltari Memedi i ka vërejtur kur i është dhënë libri për redaktim, ku ka konstatuar se bëhet fjalë për ndryshime thelbësore që nuk korrespondojnë me kriteret e përfaqësimit adekuat dhe proporcional të historisë së shqiptarëve, por edhe në aspekt të strukturës së përgjithshme. Ku janë ndryshimet?
TEKSTET DO TË JENË PROBLEMATIKË
Nëse në versionin 2024, roli i shqiptarëve dhe përfaqësimi etnik përfshihet në përmbajtjet Principata e Arbrit dhe figura e Skënderbeut si element kyç në mesjetën ballkanike, shqiptarët prezantohen si subjekt historik aktiv, apo kultura shqiptare theksohet përmes dokumenteve të hershme të shkruara apo gojore, në versionin e ri mesjeta shqiptare është jo adekuate dhe e zbehtë, nuk akceptohet sa dhe si duhet figura e Skënderbeut dhe kontributi arbërve – shqiptarëve në historinë mesjetare ballkanike. Në vërejtjet e Memedit shqiptarët paraqiten si popullsi e “romanizuar” dhe konteksti historik i tyre është i minimizuar skajshëm. Shqipëria në mesjetë përmendet vetëm si strukturë etnike e “romanizuar” dhe ndalet në terma gjeografikë dhe religjiozë dhe nuk trajton shqiptarët si komunitet historik me kontinuitet iliro-arbërorë-shqiptarë.
“Në procesin e shqyrtimit të vërejtjeve dhe në fund të ndryshimeve të pasuara nga vërejtjet, unë, si këshilltar nuk kam qenë i angazhuar dhe as edhe i njoftuar për ndryshimin e programeve dhe miratimin e historisë për klasat V,VI dhe VII me ndryshimet e realizuara…. Nuk mund ta pranoj përgjegjësinë e autorësisë duke ditur apriori se tekstet shkollore të bazuara në programe të tilla do jenë skajshëm problematikë”, thotë Memedi në reagimin që ia dërguar edhe MASH.
VOLUMINOZ, REGRESIST DHE TENDENCIOZ
Ismamedin Azizi, pohon se bëhet fjalë për një material jashtëzakonisht voluminoz për moshën 12 vjeçare, kur spikat përdorim i panevojshëm i terminologjisë dhe ndarjes historike. Ai sjell si shembull Mesjetën, që ndahet në periudhën e hershme dhe në atë të vonshme, ku dilemat rreth përkufizimit të këtyre dy periudhave janë ta pashoshitura edhe nga vetë historianët.
“Absurditet në vetvete. Tema e dytë dhe e katërt titullohet Maqedonia dhe Ballkani, thua se këto dy pjesë janë krejtësisht në vende të ndryshme. Në temën e katërt, në periudhën e mesjetës, në çdo njësi mësimore përmendet nocioni Maqedoni. Parashtrohet pyetja për cilën Maqedoni flasin dhe në çfarë konteksti përmendet – si nocion gjeografik apo konceptin e një shteti. Kur flasin për shqiptarët e që në tërë planprogramin për klasën e VII janë planifikuar vetëm tre njësi mësimore, kemi një mosnjohje elementare të historisë së shqiptarëve për faktin se edhe në mesjetën e hershme edhe atë të vonshme përpiluesit thirren në nocionin – Shqipëria, kur e dimë se ky nocion është shumë më i vonshëm. E gjithë kjo është me tendencë që fare mos të përmenden Arbrit”, thotë Azizi.
Kur flitet për Shqipërinë kemi mosnjohje elementare të përdorimit të toponimisë, dhe kjo na le të kuptojmë që në përpilimin e këtij planprogrami nuk ka marrë pjesë ndonjë historian shqiptar.
“Versioni i ri i programit për klasën e VII-të për historinë paraqet një regres të dukshëm në trajtimin e shqiptarëve në përmbajtjen mësimore. Mungon përfaqësimi i drejtë historik i shqiptarëve si faktor aktiv në zhvillimet mesjetare në Ballkan. Është eliminuar qasja ndërkulturore progresive që synonte edukimin për bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë. Kjo lë vend për narrativa etnocentrike, ku nxënësit shqiptarë nuk e gjejnë vetveten në rrëfimin historik të tyre”, thotë Azizi.
Ndërsa sa i takon versionit të dorëzuar në 2024, theksohej multietniciteti dhe bashkëjetesa.