“Historike dhe e jashtëzakonshme!”

    Pas 15 vitesh negociata OKB vendos për traktatin për mbrojtjen e diversitetit biologjik të deteve të hapura. Detet e hapura zgjojnë interesin ekonomik. Ato mund të jenë minierë ari për zbulime ilaçesh apo lëndë plastike.

    Kure drejtuesja e komisionit të OKB-së, Rena Lee mori fjalën u duk lehtësimi tek të gjithë të deleguarit në OKB. Anija arriti bregun, tha diplomatja nga Singapori nën duartrokitje të vendeve anëtare. Gati 40 orë pa ndalim negociuan vendet anëtare në një seancë maratonë. Bashkësia ndërkombëtare prej 15 vjetësh bën debat për mbrojtjen e deteve të hapura. Si dete të hapura përcaktohen dy të tretat e deteve në botë që nuk janë zona ekskluzive ekonomike të një shteti, sepse janë 370 km larg brigjeve të nje vendi. Deri tani mbrohen me marrëveshje vetëm 1% e deteve të hapura.

    Mbrojtje e diversitetit biologjik

    Qëllimi i bisedimeve ishte krijimi i premisave që deri në fund të kësaj dekade të paktën 30% e deteve të hapura në botë të shpallen të mbrojtur. Marrëveshja synon mbrojtjen e divesitetit biologjik jashtë ujërave territoriale në dete. Përveç kësaj do të përcaktohen rregullore për verifikimin e mjedisit para shfrytëzimit ekonomik, ekspeditave dhe aktiviteteve të tjera.

    Një nga pikat kryesore të debatit ishte shpërndarja e fitimeve të mundshme të aktiviteteve të ardhshme ekonomike, u shpreh Ralph Sonntag nga World Future Council. “Pritet që në të ardhmen të zbulohen shumë sekuenca gjenetike që për shembull mund të ndihmojnë në zbulimin e ilaçeve të reja kundër kancerit.” Përveç kësaj mund të bëhen zbulime për lëndë të reja plastike në të ardhmen. Me këtë do të fitohej shumë, tha Sonntag. Këtë e tregojnë sekuencat gjenetike të marra nga pyjet në Amazonë, që janë përdorur me fitim nga industria e farmaceutikës. Vendet e jugut global nuk kanë përfituar shumë. Fitimin e rrëmbyen koncernet e mëdha të farmaceutikës në SHBA dhe Europë, theksoi Sonntag. Në të ardhmen kjo do të ndryshojë. Vendet anëtare krijuan një mekanizëm kompensimi financiar për vendet më të varfra.

    “Ia dolëm mbanë!”

    Problematike ishte në konferencë edhe një çështje tjetër, se si duhet të vendoset për zonat e mbrojtura detare jashtë ujërave territoriale, me shumicë apo me unanimitet. Sidomos Rusia kishte këmbëngulur për vendime unanime, gjë që i afrohej një vendosjeje të vetos. Teksti i marrëveshjes përfundimtare për momentin nuk publikohet. Sipas të dhënave të diplomatëve aty është shënuar, se vendimet duhet të merren me një shumicë tre të katërtat. Sipas drejtueses së konferencës së OKB, Lee nuk do të ketë më rifillim të diskutimeve apo diskutime të reja përmbajtësore. Marrëveshja do të kontrollohet nga juristët dhe do të përkthehet në 6 gjuhët e OKB-së. “Më pas do ta miratojmë marrëveshjen në të gjitha 6 gjuhët zyrtare”, tha Lee.

    Politikanë dhe organizata mjedisore bënë fjalë për një sukses të madh pas ujdisë në OKB. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri fjalë për “fitore të multilateralizmit” dhe lëvdoi punën e delegacioneve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shkroi në lidhje me marrëveshjen: “Ia dolëm mbanë!” Kjo marrëveshje do të mbrojë detet përtej kompetencave kombëtare. Edhe organizatat mjedisore reaguan pozitivisht, por paralajmëruan për një zbatim të shpejtë të saj. Ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke e quajti këtë rezultat “një sukses historik dhe të jashtëzakonshëm”, që e prek atë thellë. Ajo pret që shumë shtete ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Gjermania është në pararojë të mbrojtjes së deteve dhe të do të vazhdojë ta bëjë këtë, tha Lemke. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Kanadaja nis hetimet për ndërhyrjen e Kinës në zgjedhjet e saj

    Lajmi i rradhës

    Tesla në Gjermani: një lajm i mirë dhe një i keq

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë