Pamje të frikshme nga tereni, luftë në tokë dhe ajër për të mposhtur zjarret, shuarje edhe nga banorët me mjete të ndryshme si me lopata dhe traktorë. Këto ishin disa nga skenat tronditëse në ditët e kaluara në Maqedoni. Vit pas viti, mushkëritë e Maqedonisë digjen gjithnjë e më shumë, disa zjarre janë me intensitet më të ulët, por disa zgjasin me ditë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në situatën e oksigjenit. Zjarret në sipërfaqet pyjore, kullota, por edhe në afërsi të vendbanimeve kanë vazhduar javët e kaluara në një pjesë të madhe të territorit të Maqedonisë , duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomisë së vendit, por edhe mjedisit.
Gjithashtu, fenomeni i zjarreve në sipërfaqet pyjore po prek me vite të gjithë rajonin e Ballkanit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonominë e këtyre vendeve, por edhe në mjedis e turizëm. Ndërkohë, jo pak komunitete lokale, përjetojnë gjatë verës , pasigurinë e jetës dhe pronës së tyre, në shumë rajone të vendit, ku zjarret u shfaqën rrezikshëm afër zonave të banuara si në më shumë fshatra.
Vlerësimet janë se dëmet e shkaktuara në ekosistem, ndotja e ajrit dhe pasojat në kulturat bujqësore janë të pariparueshme. “Ajri është i ndotur, përqendrimi i dioksidit të karbonit po rritet, ndryshimet klimatike, ujërat nëntokësore po ndoten, gjithashtu një element në llogaritjen e dëmeve nga zjarre të tilla katastrofike janë pasojat pas kësaj që shkaktojnë erozion, shirat e rrëmbyeshëm, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të cilat janë, apo jo, Maqedonia është diku rreth 40 për qind e sipërfaqes nën zona të tilla erozive, tani ato do të rriten edhe më shumë”, thotë profesoresha universitare, Makedonka Stojanovska nga Fakulteti i Shkencave Pyjore. Për sivjet është akoma herët të flitet për dëmet për shkak se zjarret akoma paraqesin rrezik të madh potencial për vendin në më shumë aspekte. Vetëm vitin e kaluar, apo në vitin 2024, u dogjën mbi 61 mijë hektarë pyje dëme prej 5.111.962.381 denarë (mbi 82 milionë euro), tregojnë të dhënat e marra nga “Pyjet Kombëtare”. Po atë vit, u regjistruan 250 zjarre në pyje.
Vlerësimet janë se nga viti 2000 deri në vitin 2021, Maqedonia e Veriut është prekur nga gjithsej 4.811 zjarre, në të cilat janë djegur mbi 200 mijë hektarë tokë. Fondi total pyjor i djegur gjatë 23 viteve është rreth 2.5 milionë metra kub, sipas të dhënave nga Raporti i parë Kombëtar për Gjendjen e Zjarreve. Dëmet shkojnë në qindra miliona euro. Dëmet nga zjarret e vitit 2021, kryesisht ato që përfshiu vendin në gusht dhe u shuan me ndihmë ndërkombëtare, shkaktuan një humbje në fondin pyjor prej 40 milionë eurosh. Kjo konfirmohet nga Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare” në raportin vjetor të sapo publikuar për punën e saj në vitin 2021.
Më parë, dëmi më i madh u regjistrua në vitin 2017 dhe, sipas llogaritjeve të konfirmuara, arriti në 32 milionë euro. Edhe në vitet e kaluara përveç pyjeve publike, u dogjën edhe një numër i madh pyjesh në pronësi private, dhe disa industri të ndryshme lokale u prekën ekonomikisht. Për të bërë një krahasim sipas metodologjisë zyrtare dhe të dhënave të mbledhura sistematikisht nga Pyjet Kombëtare, në vitin 2020 dëmi nga zjarret në pyje arriti në 1.3 milion euro, në vitin 2019 humbja ishte 13 milion euro, dhe në vitin 2018 vlerësimi ishte 1.15 milion euro.
Për t’u përballur sivjet me zjarret gjatë periudhës së verës, Qeveria njoftoi këtë muaj punësimin e 400 zjarrfikësve. Gjithashtu, 38 automjete të vjetra të ushtrisë dhe policisë që ishin të papërdorshme dhe të konsumuara janë vënë në funksion, me qëllim ndërhyrjen në vendet e vështira për t’u arritur. Gjithashtu, janë në dispozicion dy helikopterë policie dhe ushtrie, të gatshëm në rast zjarresh më të mëdha dhe fatkeqësish natyrore.
Aktualisht, komunave ende u mungojnë zjarrfikës profesionistë, të cilët po përballen me vështirësi me pajisje dhe automjete. Aktualisht, kemi më pak se 400 zjarrfikës në të gjitha njësitë e mbrojtjes nga zjarri në vend, megjithëse sipas ligjit numri duhet të jetë më i madh se 800. Ligji thotë qartë se duhet të ketë një zjarrfikës për çdo 1.500 banorë. Nuk ka qendër trajnimi për zjarrfikësit e rinj dhe të vjetër. Disa nga zjarrfikësit punojnë me automjete dhe pajisje të vjetra.
“Ne të gjithë duhet të organizohemi dhe ta përmirësojmë këtë situatë sepse njerëzit që punojnë në departamentet e zjarrfikësve shumë shpesh sakrifikojnë jetën e tyre, shëndetin e tyre duke u përpjekur të na shpëtojnë të gjithëve”, tha drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Dushica Perisiq në konferencën me temë “Mbrojtja e ndërtesave nga zjarri. /Koha/






