Hungaria “nuk ndien urgjencë” për anëtarësimin e Suedisë në NATO

    Opozita hungareze me siguri do të kërkojë një seancë të jashtëzakonshme parlamenti për të ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, por përpjekja e tyre mund të dështojë, tha të enjten, kryetari i parlamentit, Laszlo Kover.

    Parlamenti turk ka ratifikuar më 24 janar kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke e bërë edhe më të afërt hyrjen e këtij vendi në aleancë.

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tani pritet ta nënshkruajë legjislacionin për Suedinë brenda ditëve.

    Kjo nënkupton që Hungaria do të jetë anëtarja e vetme e NATO-s, që do të duhet të miratojë kërkesën e Suedisë, ashtu që të finalizohet procesi.

    Kover shtoi, në faqen e tij në internet, se ai “nuk ndjen ndonjë urgjencë të veçantë” dhe “nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme” në lidhje me pranimin e Suedisë në NATO.

    Hungaria e ka akuzuar Suedinë se ka qasje armiqësore.

    Në mars të vitit të kaluar, zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, i ka akuzuar zyrtarët në Suedi se po qëndrojnë në fronin e superioritetit moral.

    Kjo pasi Stokholmi e ka akuzuar më parë Qeverinë hungareze se po rrëshqet kundër parimeve demokratike të BE-së.

    Megjithatë, ditëve të fundit ka pasur përparim.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë të martën se e ka ftuar homologun e tij suedez në Budapest, për të biseduar për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur lajmin nga Turqia, duke thënë se pret që edhe Hungaria t’iu japë fund procedurave sa më shpejt që është e mundur.

    Suedia, bashkë me Finlandën, u kanë dhënë fund disa dekadave neutralitet më 2022, dhe kanë vendosur t’i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Teksa Finlanda është pranuar, Suedisë i është penguar rruga nga Turqia, e ka pasur disa mospajtime me Suedinë lidhur me atë që e ka konsideruar përkrahje të Stokholmit për separatistët kurdë, duke përmendur pjesëtarë të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK).

    Turqia, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, e konsiderojnë PKK-në si organizatë terroriste. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Numri më i madh i gazetarëve në RMV dhe punonjësve të medias marrin paga nën mesatare

    Lajmi i rradhës

    Tregtia online po ndikon në ndryshimin e qyteteve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë