I dënuari në rastin “Monstra”, Aziri: Nuk dua as falje dhe as mëshirë, por drejtësi

    Fejzi Aziri, i dënuar në rastin Monstra / Fotografia: Alsat M

    Ndonëse falja e tij e mundshme nga propozim-Ligji për amnisti nxiti shumë reagime, i dënuari me 15 vite burg në rastin “Monstra” Fejzi Aziri gjatë intervistës në Alsat tha se nuk dëshiron amnisti por zbardhje të rastit dhe drejtësi.

    “Mua nuk më intereson ligji për amnisti, as nuk kam kërkuar dhe as nuk do të kërkoj. Unë nuk kërkoj amnisti, unë kërkoj vetëm drejtësi. Nuk më intereson se çfarë sillet me atë ligj, kush e ka propozuar. Është për të burgosurit. Ata që preken, le ta gëzojnë. Unë nuk jam i interesuar për amnisti”, deklaroi Fejzi Aziri, i dënuar për rastin Monstra.

    VMRO-DPMNE-ja nuk ndryshon qëndrim dhe ka nisur përgatitjet për ta bllokuar të njëjtin.

    “Për këtë ligj flitet shumë dhe do të flitet edhe më shumë. Nuk dihet e ardhmja dhe fati i tij, kur dhe si do të gjendet në seancë plenare. Por një gjë është e qartë, VMRO-DPMNE-ja po përgatitet për ta bllokuar të njëjtin”, u shpreh Eli Panova, Deputete e VMRO-DPMNE-së.

    Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ditë më parë tha se propozimin në këtë formë nuk do ta mbështesin, por sot deputeti i kësaj partie Fadil Zendeli deklaroi se qëndrimi përfundimtar i bllokut opozitar do të dihet pasi të pranohet materiali dhe të shqyrtohet përmbajtja. Sipas Zendelit, bindja e përgjithshme është se prapa ligjit fshihen qëllime politike.

    “Bindja e përgjithshme është se ky ligj bëhet për nevoja politike të pushtetit. Se këtu ka interesa të pushtetit, kjo nuk kontestohet. Por fundja bëhet fjalë për njerëz të dënuar me vendime të plotfuqishme, bëhet fjalë për fate njerëzish dhe ndonjëherë duhet të kemi mirëkuptim, por asnjëherë mirëkuptim për kriminalitetin dhe korrupsionin. Bëjmë analiza dhe atëherë kur do të nisë debati, do të kemi qëndrim përfundimtar”, nënvizoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

    LSDM-ja mbetet në qëndrimin se derisa ligji prek persona të dënuar në rastet e ndjeshme gjyqësore, do të propozon amendamente. Socialdemokratët pajtohen se qëllimi i ligjit është shpopullimi i burgjeve. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se shpopullimi i burgjeve është nevojë urgjente, ndërsa sipas saj opozita me paralajmërimet për bllokadë po vepron padrejtësisht. Propozim-Ligji për amnisti ditë më parë është dorëzuar në Kuvend.

    I njëjti parashikon amnisti të plotë për personat e dënuar deri në 6 muaj burg, dhe 30 për qind të masës për personat e dënuar me më shumë vite burg. Në ligj janë përcaktuar qartë veprat të cilat nuk amnistohen, ndërsa Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve akoma nuk ka bërë vlerësimin se kush përfiton nga amnistia. Në rast të miratimit, nga amnistia përfitojnë plotësisht 286 persona, ndërsa 966 të tjerë përfitojnë amnisti të pjesshme.

    Lajmi Paraprak

    Si mund të arrihet deri te dorëzimi i Radoiçiqit?

    Lajmi i rradhës

    Hovenier: Çështja e përgjegjësisë mbi sulmin nuk merr fund me deklarimin e Radoiçiqit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë