I dhimbshëm problemi me “fëmijët e padukshëm”

    Sot (11.20.2022), kur mbushen 33 vjet nga miratimi i Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijës, në ditën ndërkombëtare të Fëmijës – 20 Nëntor, Avokati i Popullit rikujton se kjo datë duhet të jetë një nxitje për të gjithë që në mënyrë më serioze dhe më me përkushtim të vazhdojnë me aktivitetet për avancimin e të drejtave të fëmijës dhe krijimin e supozimeve bazë për realizimin e tyre. Në njoftimin drejtuar mediave, Avokati i Popullit shprehet se vetëdija për të drejtat e fëmijëve është përmirësuar dukshëm dhe janë marrë masa për mbrojtjen e tyre, por se kjo nuk mjafton.

    “Konventa për të drejtat e fëmijëve na obligon që pa kushte të mundësojmë një botë më të mirë për çdo fëmijë, kushte për zhvillim dhe ekzistencë normale, realizim të papenguar të së drejtës për arsimim, nivel më të lartë të kujdesit shëndetësor, ndihmë sociale dhe mbështetje për fëmijët e familjeve materialisht të pasiguruara dhe të rrezikuara nga pikëpamja sociale… me një fjalë, kemi për detyrë t’i mundësojmë çdo fëmije të realizojë të drejtat e tij në baza të barabarta, duke respektuar interesin e tij më të mirë dhe duke marrë pjesë në vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit, që njëkohësisht shpreh ankesa për problemin e pazgjidhur të fëmijëve “ligjërisht të padukshëm”.

    “E dhimbshme, por e vërtetë, në praktikë, problemi i pazgjidhur i fëmijëve ligjërisht të padukshëm, fëmijët në rrugë, ndarja në disa shkolla, problemi me asistentët arsimorë dhe personalë të pasiguruar, pamundësia e fëmijës për të realizuar kontakte personale dhe të drejtpërdrejta me prindin me të cilin nuk jeton, dhuna ndaj fëmijëve, dhuna mes bashkëmoshatarëve, madje edhe rastet e abuzimit seksual të fëmijëve, tregojnë se si shoqëri duhet të punojmë ende shumë dhe t’u qasemi më me përkushtim problemeve që pengojnë fëmijët të realizojnë të drejtat e tyre”.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj dite, Avokati i Popullit rikujton se e ardhmja e fëmijëve varet nga mundësimi i kushteve për realizimin e të drejtave, por edhe respektimi dhe gëzimi i të drejtave të tyre pa asnjë diskriminim.

    “Prandaj rikujtoj se obligim i yni është t’i respektojmë parimet bazë të Konventës për të drejtat e fëmijës, që ato të jenë imperativ në punën dhe jetën tonë të përditshme. Të gjithë ne, edhe si prindër, punonjës në kopshtet e fëmijëve, shkollat, institucionet për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe institucionet dhe organet e tjera kemi për detyrë të kontribuojmë për zhvillimin e duhur psikofizik të tyre dhe të kontribuojmë që fëmija të jetë i përgatitur për të jetuar në frymë paqeje, dinjiteti, tolerance, lirie, në mënyrë të barabartë dhe solidare me të tjerët”.

    Ndryshe, Dita Botërore e Fëmijës është themeluar në vitin 1954 dhe promovon solidaritetin dhe ndërgjegjësimin ndërkombëtar midis fëmijëve në mbarë botën dhe mirëqenien e fëmijëve. Një pjesë e madhe e nxënësve nuk dinë se ku të denoncojnë ndonjë shkelje të së drejtës së tyre, ndërsa zakonisht shkollën e shohin si organ/institucion ku duhet të drejtohen – tregon hulumtimi i Avokatit të Popullit i cili i përmban përgjigjet e 1147 nxënësve të 14 shkollave të mesme nga Shkupi në një pyetësor onlajn anonim.

    “Pyetjes se sa janë të inkurajuar të denoncojnë shkelje të së drejtave – 84 për qind e nxënësve janë të inkurajuar, që është tregues mjaft i mirë. Por, zhgënjen fakti që madje 68 për qind e përgjigjeve tregojnë mosnjohjen e organit ose institucionit në shtet ku mund të drejtohen për shkelje të së drejtave”, tha zëvendësavokatja e Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa, e cila e prezantoi hulumtimin në shkollën e mesme “Vasill Antevski – Dren” me rastin e Ditës Botërore të Fëmijës – 20 nëntori.

    Sipas hulumtimit, arsyet më të shpeshta për mosdenoncimin e shkeljes janë frika ose turpi, mosbesimi se mund të ketë efekt pozitiv ose pasi që nuk di se ku ta bëjë denoncimin. Bajramovska Mustafa potencoi se me rëndësi të veçantë është fëmijët t’i dinë të drejtat e tyre, të përmbajtura në Konventën për të drejtat e fëmijës, t’i dinë mekanizmat për mbrojtje pasi vetëm një fëmijë që e njeh të drejtën, tha ajo, mund të njohë se kujt i është shkelur ajo e drejtë.

    “Vetëm një fëmijë i cili e di se ndalohen dhuna fizike, psikike dhe emocionale ose abuzimi seksual, do ta dijë se me ndonjë veprim i ushtrohet bulling, i bëhet shkelje ndaj së drejtave dhe duke i njohur organet do ta dijë se ku duhet denoncuar. Jo të heshtë dhe të presë, siç ka edhe përgjigje në hulumtim: “Askush nuk do t’i kushtojë vëmendje një fëmije 16-vjeçar” ose “Nuk jam i sigurt se dikush nga organet do ta marrë seriozisht”, tha zëvendësja e Avokatit të Popullit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Remitancat po mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë së Veriut

    Lajmi i rradhës

    Ndryshimet në Ligjin për mediat – kundër lirisë dhe një ligji që është “armiqësor”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë