I dyshuari për vrasjen në Ohër, Zharko Grozdanovski, dyshohet të jetë i njëjti person që u arrestua në vitin 2019 për kërcënim ndaj kryeministrit të atëhershëm, Zoran Zaev, mëson Fokus, përcjell Nistori.
Ai figuron si udhëheqës i organizatës “Vëllazëria Krishtere” dhe, pothuajse shtatë vite më parë, përmes një videoje me përmbajtje kërcënuese të publikuar në rrjetet sociale, kishte kërcënuar Zaevin dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së udhëhequr nga LSDM.
Siç është raportuar më herët, Grozdanovski është teknik anesteziologjie në Karil dhe deri në vitin 2010 ka punuar në Spitalin Klinik të Tetovës. Ky informacion është konfirmuar për Fokus nga drejtori aktual i Spitalit Klinik të Tetovës, dr. Erzen Elezi.
Burimet e Fokus pohojnë se Grozdanovski kishte një marrëveshje me të vrarin për ta ruajtur atë në këmbim të një trashëgimie. I vrari ishte pronar i objektit të ushqimit “Klimentov Konak”.
Në buletinin e policisë thuhet se dje, në orën 17:20, në fshatin Bërvenicë të Tetovës, zyrtarë policorë nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Tetovës, pas një urdhër-arresti qendror të lëshuar më parë nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Ohrit, e kanë privuar nga liria Z.G. (53) nga i njëjti fshat, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Dje, në orën 08:24, në Shërbimin e Punëve të Brendshme të Ohrit është raportuar se një banor 76-vjeçar i Ohrit, K.M., është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij familjare në rrugën “Nada Fileva” në Ohër.
Në vendin e ngjarjes është kryer inspektim nga prokurori publik dhe ekipet e policisë, ndërsa një mjek i Shërbimit të Mjekësisë Emergjente ka konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit, trupi i të ndjerit është dërguar për autopsi. /Nistori/






