I ka plotësuar kushtet për asistent personal, por procedura zvarritet për Arielin që të mësojë shqip

    Çështja e 11 vjeçarit Ariel Selimi i cili është me sindromën Doun vazhdon të mbetet e pa zgjidhur edhe pas 3 muajsh që kur raportoi TV21.  Arieli ende mëson në paralele speciale në gjuhën maqedonase në Sh.F. “Sande Shterjoski”, sepse në këtë shkollë nuk ka paralele speciale në gjuhën shqipe.

    E për të kaluar në klasë normale siç e parasheh ligji i ri për arsim, Arielit i kërkohet kategorizimi i ashtuquajtur KNF (Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit) që më pas të mund të mësojë në klasa normale, por me një asistent personal arsimor.

    Pas një pritje të gjatë Arirli e mori klasifikimin dhe këtë dokument prindërit para dy muajsh e dërguan në shkollë.

     “Tash e dy muaj e kam sjellë klasifikimin dhe kam prit dy muaj të më thirrin që djalin me e dërgu tek fëmijët normal, këto nuk bënë asnjë gjë, drejtori thotë unë kam kërkuar por ende skam përgjigje, e tash se di..”, tha Davida Selimi, nëna e Arielit.

    Herën e kaluar drejtori i shkollës Rrahim Pinjolli na tha se pasi Arieli të marr klasifikimin KNF, menjëherë dokumentet do të dorëzohen në Manastir në shkollën “Koço Racin” ku është edhe qendra për nxënësit që kanë pengesa në zhvillim. Sipas tij më pas  shkolla e Manastirit nëpërmjet ministrisë duhet të japë leje që Arieli dhe fëmijët tjerë që janë të klasifikuar të mund të kenë asistent personal në klasë normale në gjuhën amtare. Ai thotë se është duke pritur përgjigje nga shkolla e Manastirit për pranimin e asistentëve për 11 fëmijë, por që ende nuk ka marr asnjë përgjigje edhe pse kërkesën për Arielin e ka dërguar prej gati 2 muajsh.

     “Kam dorëzuar te “Koço Racin” për 11 nxënës që kanë nevojë për asistente arsimore sipas vlerësimit të klasifikimit ndërkombëtarë të funksionimit të organizuar në shkollën tonë në mënyrë profesionale që janë të këtij shërbimi. Sa i përket punës së Ariel Selimit gjithashtu është nxënës në këtë shkollë edhe për këtë kemi dërguar të njëjtat vlerësime, mirëpo edhe sot e kësaj dite nuk kemi asnjë përgjigje”, tha Rrahim Pinjolli, drejtor i Sh.F. ”Sande Shterjoski”. 

    TV21 kontaktoi edhe me shkollën e Manastirit prej ku morëm përgjigje se kërkesa është dërguar në mars në Ministrinë e Arsimit dhe presin përgjigje nga kjo e fundit. Nga drejtoria e shkollës “Koço Racin” na thanë se së fundmi ka shumë kërkesa për asistent arsimor dhe personal për fëmijët me nevoja të veçanta dhe të kërkesat pasi pranohen lëshohen menjëherë në ministri për aprovim.

    Zv/ministri i Arsimit Lulzim Aliu tha se kërkesat kanë arritur deri te ministria dhe po shqyrtohen. Përveç kërkesës së Arielit, në ministri janë edhe 250 kërkesa tjera për asistent personal arsimorë.

     “Kërkesa ka arritur në Ministrinë e Arsimit dhe po shqyrtohet dhe më pas do të dërgohet në Ministrinë e Financave për miratim. Përveç kërkesës së nxënësit në fjalë kemi edhe 250 kërkesa të tjera me klasifikim për asistent arsimorë personal . Që nga viti 2021 janë pranuar 500 asistentë arsimorë, prej të cilëve 431 janë maqedonas dhe 69 të tjerë. Ndërsa Ministria po punon në konceptin për ndryshim të ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta, që një asistent personal të menaxhojë 3 nxënës dhe besojmë se në vitin shkollorë 2022/23 do të rregullohet kjo çështje”, deklaroi Lulzim Aliu -zv/ministër i Arsimit.

    Arieli nuk është i vetmi që përballet me një problem të këtillë. Siç e potencoi edhe vetë drejtori, nevoja për asistent personal për fëmijët me nevoja të veçanta si në këtë shkollë por edhe në shkollat tjera periferike të Kërçovës është shumë më e madhe. Ata për momentin posedojnë vetëm 4 asistent personal me leje të shkollës amë të Manastirit, por kërkesa është shumë me e madhe se kjo. Këto asistentë për momentin paguhen nga UNICEF, por pas 3 viteve do të paguhen nga Ministria e Arsimit.

    Lajmi Paraprak

    Cristiano Ronaldo, përballë makthit më të keq të karrierës së tij

    Lajmi i rradhës

    DËNOHET DREJTOI I “SHUTKËS”, LEJOI SHITJEN E PRODUKTEVE NË BURG PA KUPONA FISKAL DHE ME ÇMIME TË LARTA

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë