I nxehti i tetorit pothuajse garanton se viti 2023 do të jetë më i nxehti në histori

    Ky tetor ishte më i nxehti i regjistruar globalisht, 1.7 gradë më i nxehtë se mesatarja për muajin tetor para epokës industriale – si dhe muaji i pestë me radhë me një rekord të tillë, që nënkupton se është pothuajse e sigurt se viti 2023 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar në histori.

    Tetori ishte 0.4 gradë më i nxehtë sesa rekordi paraprak për tetorin nga viti 2019, duke e habitur madje edhe Samantha Burgessin, zëvendësdrejtoreshën e Shërbimit të Bashkimit Evropian për Ndryshime Klimatike, Copernicus.

    “Shkalla me të cilën po i thyejmë rekordet është tronditëse”, tha Burgess.

    Pas të nxehtit të muajve të fundit, është praktikisht e sigurt se viti 2023 do të regjistrohet si viti më i nxehtë në histori, sipas Copernicus.

    Shkencëtarët i vëzhgojnë klimat e ndryshme për ta kuptuar se si planeti jonë zhvillohet si pasojë e emetimeve të gazrave serë nga dora e njeriut. Një planet më i nxehtë nënkupton mot ekstrem më të shpeshtë, si thatësira të mëdha apo uragane që përmbajnë më shumë ujë, tha Peter Schosser, zëvendëspresident i Laboratorit për të Ardhme Globale në Universitetin e Shtetit të Arizonës.

    “Kjo është një shenjë e qartë se ne po shkojmë drejt një regjimi klimatik i cili do të ketë më shumë ndikim tek njerëzit”, tha Schlosser.

    Ky vit ka qenë tejet i nxehtë kryesisht për shkak se oqeanet janë duke u ngrohur, që nënkupton se ato po punojnë më pak tani se në të kaluarën për t’iu kundërvënë ngrohjes globale. Historikisht, oqeani e ka thithur 90% të të nxehtit tepricë nga ndryshimi klimatik, tha Burgess.

    Kjo nënkupton, sipas Schlosser, se bota duhet të përgatitet për rekorde të reja si pasojë e ngrohjes. Ai shtoi se planeti po e tejkalon tashmë 1.5 gradë të ngrohjes prej epokës para industriale dhe se planeti ende nuk e ka parë ndikimin e plotë të ngrohjes.

    Ai, Burgess dhe shkencëtarët e tjerë thonë se nevoja për të vepruar – për t’i ndaluar emetimet që po e ngrohin planetin – është urgjente tani. /REL/

    Lajmi Paraprak

    KE miraton paketën e zgjerimit, thotë se rruga e Kosovës ndikohet nga dialogu me Serbinë

    Lajmi i rradhës

    Kinë, fshati që magjeps turistët në ishullin e braktisur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë