Qeveria e RMV-së propozoi dy drejtorë të rinj në M-NAV

    Kryetari i Bordit Drejtues të M-NAV-së Fahrudin Hamidi dhe drejtori ekzekutiv sektorial në M-NAV Lube Stamenkovski duhet të shkarkohen dhe në vend të tyre të emërohen Ilir Mehmedi dhe Milan Koraq. Ky është propozimi i Qeverisë në seancën e sotme ndaj Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë Aksionare Shtetërore “M-NAV”, njoftoi Qeveria për AIM.

    “Qeveria në seancën e sotme i dha udhëzim Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionare shtetërore për kryerjen e veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve në navigacionin e aviacionit “M-NAV” SHA- Shkupi të shkarkojë Fahrudin Hamidin nga pozita e kryesuesit të Bordit të drejtorëve dhe Lube Stamenkovskin nga pozita e anëtarit të Bordit të drejtorëve. Qeveria i rekomandoi edhe Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë Aksionare Shtetërore për kryerjen e veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve në navigacionin e aviacionit “M-NAV” SHA të emërojë Ilir Mehmedin drejtor ekzekutiv”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

    Shkarkimi i drejtorëve të deritanishëm kishte qenë kërkesë e Sindikatës së të punësuarve në M-NAV të cilët kishin kërcënuar se nëse kjo nuk ndodh, do të bëjnë grevë duke mbyllur hapësirën ajrore mbi Shkup.

    Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se shkarkimi i drejtorëve të M-NAV nuk mjafton.

    “Nuk mjafton vetëm shkarkimi i drejtorëve por të kërkohet edhe përgjegjësi nga komanduesit dhe pranga në duar. Kush e porositi dhunën në kullën e kontrollit? Kush ka lejuar dhunë deri sa avionët qarkullojnë mbi Shkup. Kush është përgjegjës për përzgjedhjen e sigurimit në objekt strategjik? Për këto çështje duhet të shihet edhe përgjegjësia e ministrive përgjegjëse, nga Lidhje dhe Transport, deri te MPB-ja, Boçvarski dhe Spasovski. Ligji është i qartë. Kjo nuk është “zënkë” mes kolegëve, është rrezikim i sigurisë së transportit ajror”, tha Naum Stoillkovski, VMRO.

    Ndërkohë, në M-NAV sot ka hyrë Policia financiare. Nga atje për mediat njoftojnë se do të bëjnë kontrolle për të parë a ka dyshime për vepra penale në procedurat financiare.

    Pakënaqësitë në M-NAV vazhdojnë prej kohësh dhe sindikata disa herë ka kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës.

    Me gjasë nuk do të ketë edhe bllokim të fluturimeve, pasi Sindikata tha se nëse nuk shkarkohen drejtorët do të ketë bllokim, por meqë janë shkarkuar, kjo pritet të mos ndodhë.

    “Shpresojmë që e gjithë kjo që ka ndodhur të rezultojë me shkarkimin e drejtorëve në M-NAV. Përndryshe, tregojnë se për ta nuk ka asgjë të rëndësishme në Qeveri, përveç servilitetit”, tha paraprakisht Tasevski.

    Zhvillimi i mëtejshëm i situatës varet edhe nga dorëheqjet, paralajmëroi ai. Nëse drejtorët nuk shkarkohen nga detyra, sindikata bëri të ditur se nuk ka zgjidhje tjetër përveç bllokimit të fluturimeve mbi Shkup nga e mërkura (10 janar), kryesisht për sigurinë e pasagjerëve.

    Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Por sulmi i 4 janarit u konsiderua më seriozi, i cili ndodhi nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë, pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

    Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror. Më 5 janar, Neziri së bashku me tre të tjerë në pranga u dërgua në Gjykatën Themelore Penale, por nuk iu shqiptua masa e paraburgimit.

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti kritikon Kurtin: po ndërhyni në punët e brendshme të shqiptarëve në RMV

    Lajmi i rradhës

    Gashi: Ahmeti në panik se ka humbur përkrahjen nga Kosova, por ilaç për frikën nuk ka

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë