Incidentet sportive, MPB nuk bën mjaftueshëm – merret me çështje tjera kriminale

    Përfaqësuesit politik përsëri deklarojnë se dhuna dhe incidentet në terrenet sportive duhet të ndërpritet edhe pse shumë pak veprime janë bërë në këtë drejtim. Zv/kryeministri i parë Artan Grubi, i pranishëm në ndeshjen e fundit sportive me incidente, thotë se institucionet kompetente duhet të reagojnë.

    “Me shumë keqardhje i ndoqa edhe skenat dje në stadiumin e Çairit, edhe skenat në ndeshjen në stadiumin e Tetovës midis dy klubeve, Shkëndisë dhe Shkupit, ofendime nga të dy anët herë atje dhe herë këtu. Janë për t’u dënuar. Nuk janë gjë e mirë por është çështje e organeve të Federatës së Futbollit për të ndërmarrë hapat e duhur si dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të evituar incidente në ndeshjet sportive”, deklaroi Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.

    VMRO-DPMNE-ja vlerëson se Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën mjaftueshëm, por, në vend të saj, merret me çështje të tjera kriminele.

    “Ministria e Punëve të Brendshme, në vend se ta bëjë punën e saj është vendosur në funksion të krimit dhe korrupsionit, në funksion të dhënies së pasaportave të mafias botërore, në shërbim të transportimit të drogës përmes kufijve të Maqedonisë… Deri sa LSDM-ja dhe BDI-ja janë në pushtet në Maqedoni sundon vetëm krimi dhe korrupsioni dhe krijimi i pasigurisë të cilën qytetarët do të mund ta durojnë edhe gjatë”, tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE-së.

    Aleanca për Shqiptarët kërkon rregullimin e incidenteve të tilla me një ligj të përshtatshëm dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre akteve.

    “Është fakt se incidentet në ndeshje sportive dhe gjuha e urrejtjes në ndeshje sportive është shqetësuese për faktin se ajo ndodh në vazhdimësi dhe për faktin se nuk dënohet asnjëherë. Mendoj se është një çështje që duhet zgjidhur me një ligj të mirë që gjëra të ngjashme të mos na ndodhin më në të ardhmen”, u shpreh Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.

    Incidente të këtilla në ngjarje sportive janë regjistruar me dhjetëra herë edhe në të kaluarën. Ligji për parandalimin e dhunës dhe sjelljes së pahijshme në ndeshjet sportive ekziston që në vitin 2004 dhe është ndryshuar dhe plotësuar disa herë deri tani. Përsëritja e skenave të njëjta tregon se zbatimi i tij nuk është në nivelin e duhur dhe nuk ka sjell rezultatet e duhura. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Anketa: 70% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është shumë i përhapur në RMV

    Lajmi i rradhës

    Largimi i të rinjve nga vendi – politika ka kohë që ka “vrarë” shpresën e të rinjve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë