Pavarësisht se jemi në vitin 2025, studentët në universitetet shtetërore të vendit po vazhdojnë të përdorin indekse tradicionale, duke mbajtur ato në duar, pa pasur mundësinë për të përdorur një indeks elektronik. Ky fenomen ka ngelur si pasojë e një pengesë administrative , duke e bërë këtë proces të dështuar. Megjithatë, një hap i rëndësishëm ka ndodhur së fundmi.
Me iniciativë të Kuvendit Studentorë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM), një ndryshim i rëndësishëm është realizuar në Rregulloren që rregullon përmbajtjen dhe formatin e diplomave, si dhe dokumenteve të tjera të rëndësishme. Ky ndryshim është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Maqedonisë së Veriut”, dhe ka sjellë mundësinë për implementimin e indeksit elektronik, duke kaluar mbi pengesat administrative të deritanishme.
“Me iniciativë të Kuvendit Studentor të UKIM-it, është bërë një ndryshim i rëndësishëm në Rregulloren për përmbajtjen dhe formatin e diplomave, udhëzimet për përgatitjen e shtojcës së diplomës dhe dokumenteve të tjera publike, të publikuara në Gazetën Zyrtare të RMV, nr. 67 më 28.3.2025”, thonë ata.
Njëkohësisht, digjitalizimi ka qenë një prioritet edhe për Organizatën Kombëtare Studentore. Ata, me mbështetje nga Fondacioni për Demokraci të Westminster-it, realizuan një studim mbi gjendjen aktuale të digjitalizimit në arsimin e lartë, dhe zhvilluan një plan aksional për modernizimin e këtij sektori. Kjo ka çuar në një bashkëpunim me disa institucione për të përshpejtuar digjitalizimin dhe për të siguruar një administratë studentore më efikase.
“Si përfaqësues studentorë, ne mbetemi të angazhuar në përmirësimin e të drejtave të studentëve dhe modernizimin e proceseve akademike. Futja e indeksit elektronik nuk është vetëm një ndryshim teknik, por edhe një hap thelbësor për një proces administrativ më të thjeshtë dhe për qasje më të lehtë në informacion për të gjithë studentët”, përfundojnë përfaqësuesit e studentëve. Ndryshe, siç theksojnë ata, ky hap do të lehtësojë jetën e studentëve dhe administratës, duke krijuar një sistem më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas. /Koha/