“Inekzistenca” e familjes nga Tetova në institucionet e Maqedonisë së Veriut

    Gazetar | Adrian Kerimi

    Familja Emshi nga Tetova e cila në zjarrin e Spitalit Modular të Tetovës humbi dy anëtarë, akoma nuk gjen drejtësi në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Ndonëse se tashmë disa herë, familja Emshi përmes përfaqësuesit ligjorë nga Italia ka kërkuar nga institucionet vendase të bashkëpunojnë në drejtim të zbardhjes së vërtetës, Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Drejtësisë vazhdojnë të injorojnë kërkesat e tyre.

    Nistori disa herë ka adresuar pyetje në Qeveri dhe dy resorët përkatës, por deri sot nuk kemi marr asnjë përgjigje. Famila Emshi, banuese në Itali kërkon të mësohen shkaqet e zjarrit dhe të dëmshpërblehet realisht për dhimbjen shpirtërore nga humbja e dy anëtarëve. Avokati nga Italia, Gabriele Giambrone në një prononcim paraprak për Nistori paralajmëroi padi ndaj autoriteteve në Maqedoni të Veriut.

    “Ata janë rezident në Itali, jetonin këtu. Vëllai i klientit tonë ishte me aftësi të kufizuara. Ai beson se oferta e dhënë për 30 mijë euro është një nënçmim, posaçërisht kur shohim atë se çfarë ka ndodhur në atë spital. Kemi parë video incizimet, sa shpejtë është shpërndarë zjarri dhe mendimi jonë është se ato spitale nuk është dashur të ndërtohen në atë mënyrë. Gabimet janë bërë dhe njerëzit duhet kompensuar në mënyrë korrekte. Në Itali ka dispozita në të cilat thuhet se ata të cilët janë rezident të vendit tonë, mund të iniciojnë padi në vendin e tyre ku jeton në, në bazë të jurisprudencës vendase, pra në Itali dhe jo në Shkup”, potencon avokati Giambrone në një prononcim ekskluziv për Nistori.

    Paraprakisht ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali duke mos dashur të komenton rastin e familjes Emshi kishte deklaruar se derisa vazhdon hetimi, nuk do të komenton asnjë rast individual për tragjedinë e spitalit të Tetovës. I pyetur nga Nistori nëse do të del në ndihmë të familjes Emshi e cila kërkon bashkëpunim me institucionet vendase përmes avokatit të tyre nga Italia, Sali deklaroi se për një rast si ky nuk posedon informacion.

    “Nuk kam ndonjë informacion. Të gjitha procedurat janë në Prokurori. Derisa nuk ka përfundim të procesit gjyqësorë unë nuk mund të jap ndonjë deklaratë për ndonjë rast incidental ose individual”, deklaroi Sali, ministër i Shëndetësisë.

    Gati dy muaj në Prokurori Publike ka arritur raporti i ekspertëve gjerman mbi shkaqet zjarrit. Për shkak se i njëjti është hartuar në gjuhën gjermane, organi akuzës ka dhënë urdhër që të përkthehet në mënyrë të saktë dhe profesionale, më qëllim mënjanimin e çdo lëshimi gjatë fazë para-hetimore dhe hetimore. Ndërkohë për hetimin vendas, Prokuroria Publike në Tetovë kanë sqaruar se hetimi vonon për shkak se lënda është tejet voluminoze, andaj edhe merr kohë trajtimi i së njëjtës. Dyshimet fillestare janë se, zjarri ka shpërthyer nga një kabllo zgjatuese e cila është nxehur dhe ka shkaktuar zjarr.

    Në zjarrin që shpërtheu natën e 8 shtatorit të vitit të kaluar, humbën jetët 14 persona, 12 nga të cilët ishin pacientë dhe dy persona familjarë që kujdeseshin për pacientët e prekur me Kovid. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria: AZGj është përgjegjëse për zbatimin e shqipes

    Lajmi i rradhës

    Sofja: Heqja e vetos, vetëm nëse përfshihen bullgarët në kushtetutën e Maqedonisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë