INERVISTË ME DEPUTETIN E LËVIZJES VETËVENDOSJE – Fitim Uka tregon se si është politika në sytë e një psikologu

    Fitim Uka u lind më 21 mars 1987, në Prishtinë. Studimet bazike për psikologji i kreu në Universitetin e Prishtinës. Studimet master i ka përfunduar në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut, Gjermani në një fushë të veçantë si ajo e “Shkencave të të Mësuarit”, ku ka përvetësuar një qasje multidisciplinare mbi të mësuarit dhe edukimin në përgjithësi. Temën e doktoraturës e ka mbrojtur në Universitetin e Freiburgut në Gjermani, me fokus në edukimin e hershëm dhe më specifikisht, me një studim që ka synuar identifikimin e ndërlidhjes në mes të aftësive vetë-rregulluese, inteligjencës dhe suksesit të hershëm akademik të fëmijëve. Për studimet e post-doktoraturës ka qëndruar për një semestër në Universitetin Illinois të Çikagos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i kanë hapur një perspektivë të re studimi në fushën e migrimit dhe shëndetit. Është ligjërues i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, themelues i Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale e Mjekësore dhe botues i revistës psikologjike “Psika”. Ai ka një bagazh intelektual dhe potencial të jashtëzakonshëm. Fitimi ka disa punime të rëndësishme shkencore në revistat më të njohura ndërkombëtare të psikologjisë.

    Intervistoi | Donika Bakiu

    Nistori: Si është të zgjidhesh deputet në Republikën e Kosovës?

    Fitim Uka: Realisht, të zgjidhesha deputet nuk kishte qenë asnjëherë një nga ambiciet e mia jetësore. As që e kam menduar ndonjëherë që politika do të ishte një ambient i përshtatshëm për mua. Por, pasi u ktheva nga SHBA dhe përfundova studimet e postdoktoraturës dhe ballafaqova dhjetëra zhgënjime profesionale, e pashë si një mundësi për kontribut. Mbase, të vetmin në atë kohë. Prandaj, ndjenja e të qenurit deputet është përgjegjësi dhe vetëm përgjegjësi për mua.

    Nistori: Pse pikërisht në Lëvizjen Vetëvendosje?

    Fitim Uka: Natyrshëm, Lëvizja Vetëvendosje, sepse ndaj të njëjtat bindje dhe të njëjtin vision për vendin. E kam admiruar përherë profilin politik të kryeministrit Kurti. Shumë nga studentët e mi janë pjesë e Vetëvendosjes dhe ishin edhe atëherë kur unë vendosa të kyçesha. Në fakt ata ishin shtytësit kryesor. Dhe, nëse kam zhgënjim për angazhimin tim politik, asnjëherë nuk kam mëdyshje për Lëvizjen Vetëvendosje.

    Nistori: Si është politika në sytë e një psikologu?

    Fitim Uka: Politika në sytë e psikologut është një kaos i vërtetë. Ne që përpiqemi të kuptojmë lëmshin e mendjes së një personi të vetëm, nuk besoj që do të jemi në gjendje ndonjëherë të kuptojmë lëmshin që mund të krijojnë shumë mendje, që nuk kanë vizion e dashuri të mirëfilltë për vendin.

    Nistori: Si mund ta ndihmoni Psikologjinë në Kosovë nëpërmjet postit të deputetit?

    Fitim Uka: Besoj që ka mënyra të ndryshme se si mund të ndihmojë psikologjinë. Mbi të gjitha po loboj vazhdimisht që të ketë përfshirje të psikologëve në shkolla, të ketë asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe ekipe multidisciplinare për vlerësimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ndryshme që lidhen me sferën e shëndetit mendor. Jam në përpjekje që të shtyj përpara idenë e krijimit të odës së psikologëve. Dhe, përgjithësisht avokoj për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta. Punoj dhe përpiqem më aq sa kam mundësi që të avancojë statusin e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë. Sa ia kam dalë deri tash dhe sa mundem deri në fund, atë nuk e di. Por, nuk mungon përpjekja.

    Nistori: A kujdeset Qeveria Kurti për psikologjinë sociale?

    Fitim Uka: Qeveria Kurti ka treguar ndjeshmëri të jashtëzakonshme për çështjet e shëndetit mendor. Ndonjëherë, edhe vetë prezenca e psikologëve në listat e deputetëve, është një sinjal pozitiv. Por, edhe për shumë tema të rëndësishme, qeveria Kurti mbështetet në evidencën e mirëfilltë të psikologjisë sociale dhe i kthen rekomandimet në veprime.

    Nistori: Politika apo Psikologjia dhe pse?

    Fitim Uka: Psikologjia në 100 nga 100 rastet e zgjedhjes. Psikologjia është pasioni im. Aty më fle shpirti. Unë në psikologji kam gjetur kuptim dhe përpiqem që të transmetoj kuptim tek njerëzit. Ndërkaq, politika ka qenë si obligim, të cilin besoj që e kam afër përfundimit.

    Nistori: Mesazhi juaj për të rinjtë?

    Fitim Uka: Mesazhi im për të rinjtë është i thjeshtë: nëse mendon që suksesi që ke arritur është më e shumta që e bën në jetë, ta kesh parasysh që kurrë nuk ke eksploruar potencialin tënd të vërtetë. Prandaj, guxoni për të provuar përvoja të reja dhe jipni më të mirën për veten dhe komunitetin ku jetoni. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Do të padisim Qeverinë e Maqedonisë së Veriut” – flet avokati italian i familjarit që humbi babain dhe të vëllain në tragjedinë në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Presidenti i Ukrainës, Zelenskiy: Do ta vendin me apo pa partnerët tanë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë