Inflacioni i lartë gëlltiti ndihmat e shtetit

    Maqedonia e Veriut vitin e kaluar e ka mbyllur me një inflacion prej 9.4 për qind krahasuar me vitin 2022, bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Të dhënat zyrtare tregojnë se indeksi i çmimeve me pakicë gjatë vitit 2023 është rritur për 7 për qind krahasuar me vitin paraprak.

    Inflacioni i lartë e bën të panjehsueshme ndihmën nga shteti për kategoritë e ndjeshme.

    Pensionistja Milica Todorovska për të përballuar rritjen e çmimeve me pakicë dhe faturën e energjisë elektrike nga shteti, muajin e fundit ka marrë 2 mijë denarë ( 32 euro) shtesë si pjesë e pakos së 9-të të ndihmave nga Qeveria për kategoritë e ndjeshme. Këtë ndihmë ajo do ta marrë për pesë muaj me radhë.

    Por, Milica thotë se me këto mjete nuk mund të shlyejë as dallimin e rritjes së produkteve ushqimore, e jo më rritjen e faturës së rrymës, ndërsa sa i përket ilaçeve i merr vetëm ato që i ka të domosdoshme pasi për vitamina e suplemente shtesë për rritjen e imunitetit, as që bëhet fjalë.

    “Marrë parasysh se të gjitha shpenzimet për jetesë janë rritur, kjo ndihmë është e mirëseardhur. Këto mjete mirë më erdhën, por sikur të ishin dyfishi atëherë mund të flisnim për një ndihmë të dukshme. Ne pensionistët mbijetojmë pasi për jetë me dinjitet as që bëhet fjalë”, thotë Todorovska.

    Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore zvogëlon shqportën e konsumatorit

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut ankohen se gjithnjë e më shumë janë të detyruar të kursejnë gjatë blerjes së produkteve ushqimore bazë.

    Xhebat Hasipi thotë se rritja e çmimeve e ka bërë të papërballueshëm menaxhimin e buxhetit familjar. Ai tregon se për familjen e tij 4-anëtarëshe mezi dalin 6 mijë denarë sa për ushqim, edhe atë siç thotë “veç të kemi diçka të hamë se për cilësi as që bëhet fjalë”.

    “Vjet një kokërr vezë e merrja 6 denarë tani as që bëhet fjalë për më pak se 9 denarë. Krejt çmimet janë rritur”, thotë Hasipi, i cili si ndihmë nga shteti merr nga 20 euro për dy vajzat që i ka në shkollë fillore.

    Në dhjetor, Qeveria mori vendim që një formë ndihme prej 1200 denarësh (20 euro) t’u paguhet nxënësve të shkollave fillore, dhe 1800 denarë (30 euro) nxënësve të shkollave të mesme, prindërit e të cilëve kanë të ardhura mujore deri në 50 mijë denarë (813 euro).

    Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është zotuar se përmes ligjit të ri për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, do të ndikohet në uljen e çmimeve.

    Ministri Bekteshi ka thënë se beson që ky ligj do të hyjë në fuqi deri në fund të janarit.

    “Ligji do t’i rregullojë kushtet dhe mënyrën se si do të ushtrohet tregtia me produkte bujqësore dhe ushqimore”, ka theksuar ministri Bekteshi.

    Ai ka theksuar se rritja e pagës minimale dhe asaj mesatare në aspektin procentual është më e lartë se rritja e inflacionit.

    Por, me këtë nuk pajtohen nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

    Sindikalistët theksojnë se shpenzimet për një familje me katër anëtarë janë rritur për më shumë se 200 euro. Përkatësisht, shpenzimet për një familje 4-anëtarëshe në dhjetor të vitit 2023 krahasuar me dhjetorin e vitit 2022, janë rritur për 13 mijë e 359 denarë (rreth 220 euro).

    Arben Halili, ekspert i ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se për t’u ndalur trendi i rritjes së shkallës së inflacionit, fokusi duhet vënë në zhvillimin e ekonomisë.

    “Në radhë të parë duhet kuptuar se rritja e pagës minimale dhe asaj mesatare nuk është në proporcion me rritjen e çmimeve, respektivisht me shkallën e inflacionit në vend. Përkatësisht, edhe kundrejt uljes së inflacionit që ishte dyshifror gjatë krizës së pandemisë, nuk kemi kurrfarë ulje të çmimeve të konsumit të gjerë. Prandaj, me shumë të drejtë qytetarët ankohen se edhe kundrejt rritjes së pagave, ne nuk kemi ulje të çmimeve, e aq më pak mund të pretendojmë për një konsum të qëndrueshëm, i cili do të mbulohej nga efekti pozitiv i rritjes së pagës minimale”, vlerëson Halili.

    Lajmi Paraprak

    Ekspertja e sigurisë, Strander: më në fund ShBA ka hapur sytë për Ballkanin Perëndimor

    Lajmi i rradhës

    Kasami për VOA: opozita shqiptare, alternativë më e mirë se BDI-ja për shqiptarët në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë