Inspektorati i gjuhëve, 190 inspektime e 0 gjoba

    Që nga themelimi i Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve janë kryer gjithsej 190 mbikëqyrje, por asnjë gjobë nuk është shqiptuar deri tani. Drejtori i Inspektoratit, Fatmir Iseni, thotë se janë në përfundim të një analize e cila tregon më qartë se cilat institucione nuk zbatojnë vërejtjet e Inspektoratit duke shtuar se së shpejti ndaj institucioneve në fjalë do të ngrihet procedurë kundërvajtëse.

    “Problemi është se tek institucionet më të mëdha, siç janë ministritë, disa drejtori dhe agjencitë volumi i punës atje është shumë i madh. Ato institucione kërkojnë shtyrje të afatit për shkak të volumit të madh të punës dhe numrit shumë të vogël të përkthyesve. Ka disa institucione që ende nuk kanë as përkthyes”, deklaroi Fatmir Iseni- Drejtor i inspektoratit të Gjuhëve.

    Inspektorati që duhet të monitorojë zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nuk ka automjete zyrtare. Ka mungesë kuadri dhe buxheti është i njëjti që nga themelimi, 16 milion denarë, ndërsa buxheti për themelimin e Inspektoratit ka qenë shumë herë më i vogël. Nga Ministria e Financave ka kërkuar dy herë aprovim për punësime të reja, por përgjigja ka qenë negative.

    “Besoni se ne vërtet kemi nevojë për buxhet më të madh, sepse në bazë të sistematizimit kemi paraparë edhe hapjen e njësive rajonale, siç është në Tetovë, Kërçovë, Kumanovë dhe Shkup, sepse në Shkup kemi shumë institucione dhe për të gjitha këto patjetër duhet të kemi buxhet të mjaftueshëm edhe për punësime të reja sepse ato vende duhet të plotësohen me punësime të reja. 16 milionë denarë, nga të cilët 85 për qind janë për paga. Jo, nuk kemi veturë zyrtare, mbikëqyrjet që i bëjmë jashtë Shkupit i bëjmë me veturën time personale”, tha Fatmir Iseni- Drejtor i inspektoratit të Gjuhëve.

    Në një të ardhme të afërt pritet të formohet edhe një tjetër inspektorat i cili do të ketë si të dytë të monitorojë zbatimin e drejtë të gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik. Vetëm për themelimin e këtij inspektorati në ligj parashikohet buxhet prej rreth 7 milionë denarësh. Në ligj theksohet se gjuha maqedonase është e rrezikuar edhe nga huazimet dhe shprehjet e huaja dhe përmes këtij ligji planifikohet shmangia e të njëjtave. Dispozitat ligjore parashikojnë që në çdo institucion, përfshirë edhe mediat të ketë të punësuar lektor.. Ligji obligon që Kuvendi të miratojë Strategji Nacionale për periudhë prej 5 vitesh, ku duhet të vërtetohen prioritetet për zbatim, mbrojte, avancimin dhe pasurimin e gjuhës së standardizuar maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik. Më tutje thuhet se në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në nivel vjetor, detyrimisht të sigurohen mjetet për realizimin e Strategjisë Nacionale. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    U SHPËRNDANË FOTOGRAFI TË PROVIMIT TË GJUHËS ANGLEZE | MASh kërkon detektimin e lëshimeve

    Lajmi i rradhës

    Si të përfitoni më shumë hekur nga ushqimet tuaja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë