Institucionet në RMV nuk përmbushin kriteret e transparencës

    Institucionet shtetërore, duke filluar nga Qeveria, ministritë, komunat dhe sekretariatet, kanë vetëm rreth 50 për qind përmbushje të kritereve të transparencës. Edhe pse sipas hulumtimeve të publikuara, çdo vit transparenca e institucioneve rritet me shkallë të ulët, por një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme. Organizatat joqeveritare (OJQ), kanë kritikuar mungesën e një qasjeje strategjike ndaj politikave strategjike për transparencë dhe hapjes së institucioneve, sipas publikimeve të hulumtimeve ndërkombëtare, është problem ndër vite jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sipas tyre, në pesë vitet e fundit vazhdimisht kanë ngritur shqetësimin e shteteve në Ballkanin Perëndimor, për mos pasjen e strategjisë për transparencë mbi punën e institucioneve shtetërore.

    German Filkov, nga Qendra për Komunikim Qytetar (QKQ), për gazetën KOHA, ka deklaruar se përgjegjësia dhe transparenca e institucioneve deri më tani në masë të madhe janë varur nga marrëdhëniet personale dhe vendosja e personave në pozita të cilët punojnë në ato institucione.

    “Vitet e fundit, janë ndërmarrë hapa të intensifikuar drejt zgjidhjes sistematike të këtyre çështjeve në mënyrë që të mos ketë dallime të mëdha mes institucioneve në shkallën e transparencës së tyre. Megjithatë masa të tilla gjithashtu duken të pamjaftueshme, kështu që llogaridhënia dhe transparenca e institucioneve publike nuk janë në nivelin e kërkuar. Së pari, disa nga këto institucione nuk respektojnë detyrimet ligjore, për publikimin e detyrueshëm të informacioneve bazë në lidhje me punën e tyre që do t’i ndihmojnë qytetarët të kuptojnë se si shpenzohen paratë publike, si të marrin shërbimet publike etj”, shprehet Filkov. Ai shton se në numrin më të madh të institucioneve ka një vetëdije të ulët për përgjegjësinë dhe transparencën e punës së tyre dhe se nuk është vetëm një e drejtë e qytetarëve, por edhe një detyrim i institucioneve. “Për shkak të mungesës së zgjidhjeve sistematike, institucionet nuk janë të qëndrueshme në publikimin e informacioneve me karakter publik, si për shembull, nëse disa institucione e kanë publikuar vitin e kaluar buxhetin e tyre, ata nuk e kanë bërë të njëjtën edhe këtë vit”, deklaroi Filkov. Sipas tij, në 98 institucionet e monitoruara – mesatarisht publikohen rreth 63 për qind të informacioneve bazë për punën e tyre.  “Komunat publikojnë më së paku informacion mbi çështjet brenda kompetencave të tyre (mjedisi, aktivitetet komunale, zhvillimi ekonomik lokal, urbanizmi, kujdesi shëndetësor, mbrojtja nga zjarri, etj). Ndërsa ministritë publikojnë më së paku informacion për buxhetet dhe financat, raportet financiare, prokurimi publik, kontratat e lidhura”, nënvizoi ai.

    Sipas hulumtimeve të USAID-it në bashkëpunim me Fondacionin Metamporfozis, transparenca e institucioneve nuk është më ndryshe as në vendet e rajonit. Sipas hulumtimeve të publikuara, vetëm 62 për qind të institucioneve ekzekutive në rajon nuk kanë publikuar asnjë buxhet dhe llogari përfundimtarë për tre vitet e mëparshme.  “Vetëm dy Qeveri në rajon kanë publikuar një raport gjashtëmujor mbi shpenzimet e buxhetit të shtetit për vitin e kaluar. Vetëm tre Qeveri në rajon kanë lëshuar një raport të borxhit publik. Derisa 17 për qind e institucioneve në rajon publikojnë raporte financiare gjashtëmujore, tremujore ose mujore. Por procesi i planifikimit dhe zbatimit të prokurimit publik nuk është mjaftueshëm transparent. Pothuajse një e treta e institucioneve ekzekutive nuk kanë praktikë për të publikuar planet e prokurimit publik”, thuhet në hulumtim.

    Sipas këtij hulumtimi, për dy vitet e fundit, pothuajse gjysma e institucioneve nuk i kanë publikuar thirrjet për oferta në procedurat e prokurimit publik në ueb-faqet e tyre. “Pra 41 për qind nuk i kanë publikuar vendimet për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme. Niveli më i ulët i transparencës vërehet në lidhje me marrëveshjet e lidhura në dy vitet e fundit, të cilat nuk janë të disponueshme në faqet e internetit të 77 për qind të institucioneve në rajon. Për më tepër, 67 për qind e institucioneve nuk japin informacion publik për prokurimet publike të kryera gjatë vitit, të cilat duhet të jenë të disponueshme në formën e një raporti”, thuhet mes tjerash në hulumtim. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Partia Komuniste Kineze ndërhyn edhe në tekstet shkollore

    Lajmi i rradhës

    Kurti për refugjatët nga Afganistani: Kosova është vend i varfër, por kur bëhet fjalë për çështje humanitare nuk pyesin pse, por vetëm si

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë