Inteligjenca artificiale “vështirëson zbulimin e mashtrimeve”

    Bashkëthemeluesi i gjigantit të teknologjisë Apple, Steve Wozniak, paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund t’i bëjë mashtrimet dhe dezinformatat vështirë të dallueshme.

    Duke folur në një intervistë për BBC-në, ai tha se ka frikë se teknologjia do të shfrytëzohet nga “aktorë të këqij”.

    “Inteligjenca artificiale është aq inteligjente dhe e hapur për aktorë të këqij – për ata që duan t’ju mashtrojnë se kush janë”, tha Wozniak.

    Ai tha se nuk beson se inteligjenca artificiale do t’i zëvendësojë njerëzit, sepse i mungojnë emocionet, por paralajmëroi se ajo do t’i bëjë “aktorët e këqij” edhe më bindës, sepse, siç tha, programet si ChatGPT mund të krijojnë tekste që “tingëllojnë aq inteligjente”.

    Wozniak shtoi se përmbajtja e inteligjencës artificiale duhet të etiketohet qartë.

    Sipas tij, përgjegjësia për çdo gjë të krijuar nga inteligjenca artificiale dhe më pas të postuar në publik, duhet t’u mbetet atyre që e publikojnë.

    Wozniak bashkë me Steve Jobs kanë themeluar kompaninë Apple dhe kanë shpikur kompjuterin e parë Apple.

    Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë ka thirrur në takim shefat e disa kompanive të teknologjisë, për t’i këshilluar ata që ta mbrojnë publikun nga rreziqet e inteligjencës artificiale.

    Produktet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT dhe Bard, të vëna në funksion së voni, kanë rrëmbyer imagjinatën e publikut.

    Ato u ofrojnë përdoruesve të zakonshëm mundësi për të bashkëvepruar me atë që njihet si “inteligjencë artificiale gjeneruese”, e cila mund të përmbledhë informacione nga burime të shumta brenda sekondave, të shkruajë prezantime, e madje edhe poezi, që tingëllojnë në mënyrë të besueshme, sikur të jenë të shkruara nga njerëz. /REL/

    Lajmi Paraprak

    STANDARDI PËRMIRËSOHET NË LETËR | Paga minimale karshi shportës sindikale

    Lajmi i rradhës

    OKB: Kriza ushqimore do ta destabilizojë edhe më shumë Lindjen e Mesme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë