Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE, nuk po tregon interes për kthimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski në vend, raportoi media hungareze Teleks. Ndryshe nga qeveria e mëparshme e LSDM-së, e cila këmbëngulte në ekstradimin e tij nga Hungaria – ku ai gëzon azil politik – kjo kërkesë tashmë ka skaduar dhe nuk është rinovuar nga qeveria e re. Aktualisht nuk ekziston një urdhër arresti aktiv nga Interpol, çka e lehtëson edhe më tej pozicionin e tij në Budapest, shkruan SDK, përcjell Nistori.
Avokati ndërkombëtar Tamash Hofman, njëherësh lektor në Universitetin Korvinus, deklaroi për Teleks se statusi i refugjatit nuk është i paprekshëm. Sipas tij, nëse vlerësohet se pretendimi fillestar për persekutim politik ka qenë i gabuar dhe se rasti lidhet me procedura të zakonshme penale, autoritetet hungareze mund të vendosin tërheqjen e azilit. Ky është një vendim administrativ që mund të merret relativisht shpejt dhe më pas të pasohet nga një proces apelimi në gjykatë.
Megjithatë, Hofman thekson se edhe në rast të revokimit të azilit, Gruevski nuk do t’u dorëzohej automatikisht autoriteteve maqedonase. Hungaria nuk ka bazë ligjore për ta ndaluar dhe ekstraduar atë pa një kërkesë të vlefshme nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut ose pa një urdhër arresti ndërkombëtar.
Nëse mbetet pa mbrojtjen e azilit, Gruevski, si shtetas i një vendi jashtë Bashkimit Evropian, do të duhej të siguronte një bazë tjetër ligjore për qëndrim, siç është një vizë Shengen; përndryshe, do të detyrohej të largohej nga territori i BE-së. /Nistori/






