
Për ata që nuk e njohin se kush është Leotrim Bytyqi, djaloshi i cili po sfidon të fortit sa i përket sportit ArmWrestling (Mundje e krahut), Nistori po e sjell një bashkëbisedim me të. Leotrim Bytyqi i lindur në Nishor të Suharekes. Ai jeton afro 8 vite në Gjermani. Marrë parasysh që shqiptarët zakonisht merren me sportet e njohura si boksi, futbolli apo sportet tjera luftarake, ko shpesh dëgjojmë te ne për ArmWrestling. Në një intervistë për Nistorin, Leotrimi rrëfen për pasioninin e tij.
Intervistoi: Emir Hamzi
Nistori: si u ndez ky pasion për këtë sport. Na rrëfe diçka!
Leotrim Bytyqi: ndoshta nuk është sport i njohur si futbolli ose sportet tjera luftarake, sidomos në aspektin institucional. Por është një nga sportet që parapëlqehet nga shqiptarët, pasi shqiptarët njihen si fizik i fortë. Mua më ka pëlqyer që nga fëmijëria dhe si i ri kam sfiduar me mundje krahu bashkëmoshatarët e mi dhe gjithmonë kam qenë i dalluar në këtë sport. Viteve të fundit takova njerëz profesionist të këtij sporti dhe qyush në provat e para, më sugjeruan që të merrem më profesionalisht me këtë sport.
Nistori: sukseset e arritura në këtë sport?
Leotrim Bytyqi: unë kam filluar këtë vit, domethënë ky është viti im i parë që merrem profesionalisht dhe kam arritur që të bëhem kampion te Newcommer në Gjermani Deutschemeisterschaft, në katergorinë -110Kg në mars të këtij viti, me dorën e djathtë. Pastaj në turnirin e dytë GermanOpen të mbajtur në Karlsruhe (Gjermani) në muajin maj, mora pjesë për herë të parë me dy duart, edhe atë në kategorinë Newcommer +100KG arrita ta zë vendin e parë me dy duart. Turniri i tretë Babaevscup i mbajtur në Cyrih të Zvicrës arrita ta zë vendin e parë me të dy duart në kategorinë +100. Në turnirin tim të katërt SwissOpen (St Gallen), njëri ndër turniret me të mëdha në Europë, arrita ta zë vendin e parë me dorën e djathtë dhe vendin e dytë me dorën e majtë në kategorinë +100KG.


Nistori: sa është sfidues ky sport në aspektin financiar. A keni përkrahje nga shteti apo federata! Si ia bëni ju?
Leotrim Bytyqi: në aspektin financiar si çdo sport fillimet janë të vështira, sepse duhet të vetëfinancohem për çdo turnir, për çdo pajisje ose ushqim gjatë ushtrimeve. Përkrahja nga shteti dhe federata mungon për këtë sport. Mirëpo, prap se prap këto vështirësi nuk mund ta ndalojnë pasionin tim për këtë sport.
Nistori: sa të shpeshta janë lëndimet në këtë sport?
Leotrim Bytyqi: kuptohet se edhe në këtë sporta ka rreziqe, lëndime me pasoja të mbylljes së karrierës. Por ka dasht Zoti deri më tani nuk kam pasur ndonjë lëndim serioz.
Nistori: cilat janë ndryshimet midis rripit (kur bëhet lidhja e dorës) dhe pa rrip? A është ndonjë ndryshim në llojin e mundjes së krahut? Nëse po, pse?
Leotrim Bytyqi: ndryshimi midis dorës me rrip apo pa rrip (siç thoni ju), kjo varet prej garuesve. Unë personalisht e ndjej veten me të fort në të lidhur, sepse e kam në kontrollë dorën e kundershtarit.
Nistori: do të parapëlqenit një dorë më të fortë apo një krah më të fortë në ArmWrestling?
Leotrim Bytyqi: te preferenca e dorës apo krahut më të fortë kur të dy garuesit janë të barabartë, mendoj që luan rol më shumë teknika dhe shpejtësia e garuesit. Unë jam ndërmjet teknikës dhe forcës.
Nistori: cili është atributi më i mirë për të pasur në këtë sport: lartësia, madhësia e dorës apo gjerësia e kyçit të dorës?
Leotrim Bytyqi: nëse ke lartësinë, madhësinë e dorës apo kyçin e fuqishëm të dorës, mendoj se të gjitha janë perparësi që të ndihmojnë gjatë garës. Unë kam gjenetikë shumë të mirë dhe të gjithë sportistët që merren me vite me këtë sport më kanë përgëzuar për gjenetikën që e kam. Dallimi im nga sportistët tjerë është te shuplaka e dorës, e kam shuplakën shumë të madhe dhe të trashë, gje që me jep përparësi në gara. Por kam edhe diçka shumë më të vlefshme që po i habis të gjithë: qetësinë dhe mentalitetin e fituesit në çdo garë.
Nistori: si është një ditë e zakonshme e një ArmWrestler, për shembull në rastin tuaj?
Leotrim Bytyqi: nje ditë e zakonshme e imja është si e çdo sportisti që kërkon suksesin. Stërvitje tri herë në javë. Gjumë, ushqim të mirë dhe vetëm disiplinë.


Nistori: thatë se sakrifikoni të bëheni numër një në botë, sa i besueshëm është ky qëllim?
Leotrim Bytyqi: ëndrra për t’u bërë numër një në botë është pak e pabesueshme për shkak të konkurrencës shumë të madhe. Por mund të them se gjenetika ma lejon ta besoj këtë gjë. Çka mbetet tek unë është që të stërvitem sa më shumë dhe të arrij në nivelet e larta botërore.
Nistori: planet e Leotrimit?
Leotrim Bytyqi: plani i ardhshëm është të bëhem kampion i ardhshëm i Gjermanisë!
Nistori: faleminderit dhe suksese!
Leotrim Bytyqi: faleminderit edhe ju për mundësinë! Suksese Nistorit!