Cilat janë kushtet për qeverinë e re, çfarë presin nga zgjedhjet e 8 majit dhe çfarë do të punojë nëse zgjidhet deputet. Për këto tema kemi diskutuar me kandidatin për deputet nga radhët e koalicionit VLEN, Halil Snopçe. Në intervistë për Nistori-n ai flet edhe për mandatin e tij të parë si deputet, si dhe çfarë e dallon “Frontin Europian” me Koalicionin VLEN.
NISTORI: Keni qenë katër vite deputet, si kanë qenë këto vite? Për çfarë mendoni se do t’iu kujtojnë qytetarët? Cilat kanë qenë temat që iu keni dhënë më shumë zë?
Halil Snopçe: Mandati i parë si deputet ishte interesant dhe nëse njerëzit më pyesin nëse jam bërë pishman, normalisht pak kemi sakrifikuar prej karrierës profesioniste, pasi jam profesor i matematikës dhe unë kam vazhduar ët jap mësim në UEJL si part time, por nuk jam bërë pishman, pasi drejtpërdrejt e pash se si janë marrë vendimet, si funksionon qeveria, si funksionon parlamenti, kjo është përvojë interesante, aq më tepër njihesh me shumë njerëz, dhe veten e sheh në rreth interesant të cilët marrin vendime për fatin e njerëzve, shtetit dhe shoqërisë. Nuk jam bërë pishman, pavarësisht humbjes në karrierën profesioniste. Jam angazhuar për shumë çështje. Fillimisht rezistenca ka qenë shumë e fuqishme dhe kam filluar në kohën e kovidit me maska dhe në një sallë e përshtatur për kovidin. Në fillim ishte pika e zgjedhjes së avokatit të popullit, aty reagova shumë ashpër dhe kam pasur akuza ndaj Qeverisë, posaçërisht ndaj BDI-së, pasi avokat i popullit u zgjodh Naser Ziberi, i cili ishte kandidat për kryeministër, pra ishte një mashtrim. Kemi zhvilluar debate për Ligjin për shtetësi, më kujtohet kur bllokuam parlamentin, duhej të bëjmë shumë amendamente dhe rrinim me orë të tëra për të përpiluar amendamente dhe për ta detyruar Qeverinë të lëshojë pe që të sjellim Ligjin për shtetësi që të zgjidhet fati i shumë shqiptarëve. Më kujtohet beteja gjatë regjistrimit. Një ndër lëshimet e Qeverisë së tanishme, ishte shtyrja e regjistrimit. Në momentin kur 200 mijë shqiptarë ishin regjistuar në diasporë, sollën vendim për shtyrje të regjistrimit dhe shqiptarët humbën shpresën se mund të ketë rezultat të besueshëm. Këtu kam bërë betejë të ashpër me fakte, me matematikë duke përdorur profesionin tim. Kemi qenë të ashpër për mbylljen e kazinove, e kam demaskuar mendoj edhe VMRO-në edhe pushtetin për çështjen e kazinove. Ne propozuam ligj, por kishte mendoj marrëveshje në mes VMRO-së dhe BDI-së për të gjetur kompromis për vazhdimin e kazinove. Pra ka pasur shumë çështje për të cilët kam punuar dhe mendoj këto janë për të cilat do të mbahem mend.
NISTORI: Ditëve të fundit po flitet për futjen e VLEN-it në Qeveri. Çfarë nëse në raundin e zgjedhjeve VMRO do të ketë epërsi, a do të keni kushte apo marrëveshje paraprake?
Halil Snopçe: 24 prilli ishte njëfarë sondazhi për disponimin e qytetarëve në RMV. Fronti Europian fitoi pak më tepër vota se kandidati i VLEN-it, por një gjë është e padiskutueshme – qeverinë e ardhshme e formon VMRO-DPMNE-ja. Të gjithë shqiptarët të bashkohen edhe Fronti dhe VLENi, me LSDM nuk bëjnë qeveri. E tani bëhet pyetja nëse në qeveri me VMRO do të jetë Fronti Europian apo VLEN-i. Kishim një deklaratë nga Mickoski, i cili tha BDI-së mos na çoni emisarë sepse në qeverinë e ardhshme nuk ka vend për BDI. Ky është mesazh që BDI-së nuk intereson, sulmet e VMRO-së janë për qëllime të brendshme. Ata pajtohen që pa kushte pajtohen të jenë pjesë e qeverisë, qoftë edhe me VMRO-në. VLEN nuk ka pasur bashkëpunim me VMRO-në, për ne edhe LSDM edhe VMRO është e njëjtë. Ne do të hyjmë në qeveri me çdo parti që pranon kushtet themelore, që është vazhdimësia e rrugës europiane. Ne si Aleancë kur kemi hyrë në Qeveri kemi hyrë t’u japim shtytje ndryshimeve kushtetuese, si kusht për nisjen e negociatave, kjo nuk u bë. Edhe në qeverinë e ardhshme, kemi thënë se ne nuk hyjmë pa mos pasur marrëveshje për ndryshimet kushtetuese, pa votimin e ndryshimeve kushtetuese nuk nisin negociatat. Kjo kërkon kohë dhe ne do të japim afat kohor, por nëse nuk plotësohet në afatin kohor ne dijmë të dalim nga qeveria siç kemi ditur në të kaluarën. Në momentin kur u prishën parimet ne dijmë të dalim nga qeveria.
NISTORI: Si mendoni se do të dilni në zgjedhjet e 8 majit, sa deputet mendoni se do të fitoni?
Halil Snopçe: Sipas rezultateve të 24 prillit, ndoshta nuk u plotësuan projeksionet tona, por sipas analizave tona kemi pasur mundësinë të fitojmë 13 deputetë. Mund të ketë disa ndryshime në favorin tonë. Dhe numër nuk caktoj, por në këtë interval është kuantumi rreth 15 deputetë. Realisht nuk mund të pretendojmë 20 ose 25 pasi nuk janë gjasa reale. 24 prilli ishte një lloj sondazhi me popullin dhe kemi detektuar disa lëshime që kemi bërë ne gjatë 24 prillit dhe jemi në fazën ku tentojmë të plotësojmë ato lëshime dhe mendojmë se numrin 15 mund ta arrijmë, por cilido qoftë numri ne do të kemi ftesë për të hyrë në qeverinë e ardhshme dhe nëse realizohen kushtet tona, gjithsesi se do ta pranojmë ftesën e VMRO-së. Nuk është sikur në vitin 2020, Zaevi thoshte të njëjtën, por ai nuk i kishte numrat. VMRO veç ka deklaruar se do t’i çojë ftesë VLEN-it dhe them edhe një herë se nëse vazhdon integrimi europian. Mendojmë që do ta realizojmë edhe heqjen e 20% në Kushtetutë dhe këto janë kushte të mjaftueshme të vazhdojmë të jemi pjesë e qeverisë në të ardhmen.
NISTORI: Çfarë e dallon VLEN-in nga Fronti Europian?
Halil Snopçe: Ato flasin për Frontin Europian, por në zgjedhje shkojnë me gardën e vjetër të Gruevskit. Ndërsa ne themi se regjimi i Gruevskit ishte më i korruptuari dhe më i kriminalizuari, ata kandidojnë me deputet, dihet BDI-ja. Asnjëri prej ministrave, zv.ministrave të BDI-së nuk është kandidat për deputet. As koordinatori i grupit parlamentar nuk është kandidat për deputet. Nëse paskan qenë të suksesshëm ata në qeverisjen e kaluar dikush duhej të ishte kandidat për deputet. Por ato kërkojnë vota me gardën e vjetër të Gruevskit, të cilët kanë qenë bashkëfajtor për këtë kriminalitet dhe korrupsion të madh. Ne dalim me fytyra të reja, pa bagazh negativ, fytyra të shantazhuara, nuk mund ta shantazhosh njeriun e pastër. Mendojmë që jemi forma më e mirë për të luftuar kundër këtij korrupsioni, të cilin ambasadorja e Amerikës e quajti pandemi të korrupsionit. Kemi shembuj me qindra. Ata thonë Fronti Europian, ndërsa u japin pasaporta oligarkëve rus në listën e zezë të Amerikës, asnjë akuzë nuk kanë bërë për sulmin terrorist në Banjskë në Kosovë nga ana e Serbisë, realizuar nga Vuçiq, ekzekutuar nga Radojiçiq. Thonë Fronti Europian janë përkrahës të Open Ballkanit, të cilin e udhëheq Serbia, këtë e ka thënë edhe Lavrovi. Çfarë ka të bëjë me Frontin Europian këto gjestikulime. Frymën europiane mund ta ruajë vetëm VLEN, pasi kandidatët janë të tillë, nuk mundet me gardën e vjetër të Gruevskit të promovosh pro-europianizëm, nuk mundet të bashkosh Menduh Thaçin, Ziadin Selën dhe Ali Ahmetin e të promovosh pro-europianizëm, çka mos kanë thënë për njëri-tjetrin dhe sot për interesa tjera luajnë në kartën e pro-europinizmit, dikund ka efekt, por mendoj që më 8 maj populli do të vetëdijesohet. Nuk mundet që deri dje të thoni hajn, kriminelë dhe të kërkosh votën bashkë me BDI-në. Edhe Menduh Thaçi ka thënë gjithçka për Ziadin Selën dhe Ali Ahmetin dhe tani kërkojnë vota për pro-europianizëm. Bashkë e sollën ligjin për Kodin Penal për të shpëtuar kriminelët dhe tani kërkojnë vota për pro-europianizëm. Këtu dallojmë – mendoj se pro-europianistët e vërtetë jemi ne, por populli vendos. Ne mundohemi t’i përmendim këto fakte dhe fenomene dhe të bindim popullin.
NISTORI: Ku do të angazhoheni më tepër, nëse zgjidheni deputet në këto zgjedhje?
Halil Snopçe: Do të vazhdoj atje ku jam ndalur. Karta europiane për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese, kam pasur fjalime të fuqishme në këtë drejtim. Çështjen e 20%, do të angazhohem për mbylljen e plotë të kazinove. Do të angazhohem për luftën ndaj korrupsionit, qoftë me veting apo me forma tjera, që të rrisim besimin ndaj gjykata dhe prokurorëve. Në shtet ku 8% është besimi në gjykata dhe prokurori, kjo nuk është normale. Do të sjellim ligje që do ta rrisin besueshmërinë në institucione. Në një shtet ku arsimi është në nivel të ulët nuk ka prosperitet. Universitetet duhet të jenë autonome. Disa angazhime janë spontane, varet prej momenteve, fenomeneve dhe ndodhive. Do të mundohem të jem aktiv nëse e kam mbështetjen e qytetarëve. /Nistori/