Investimet e huaja direkte në Maqedoninë e Veriut arritën 135.8 milionë eurosh në tremujorin e parë të vitit 2025. Kjo shënon një rënie prej 58 për qind krahasuar me hyrjen neto prej 327.16 milionë eurosh në të njëjtën periudhë të vitit 2024, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore.
Të dhënat e saj tregojnë se investimet e huaja direkte në tre muajt e parë të këtij viti janë rezultat i hyrjeve neto në riinvestim të fitimit (148.7 milionë euro) dhe kapitalit pronësor (135.8 milionë euro), me dalje neto në instrumente borxhi (148.6 milionë euro). Vetëm në muajin mars, investimet e huaja direkte në Maqedoninë e Veriut arritën në 71.38 milionë euro, krahasuar me fluksin e investimeve të huaja direkte prej 147.10 milionë eurosh në mars të vitit 2024.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut regjistroi investime të huaja direkte prej 1.25 miliardë eurosh në vitin 2024, që është dyfishi i fluksit neto prej 616.7 milionë eurosh në vitin 2023 dhe paraqet një rekord historik.
Shuma më e madhe e investimeve të huaja në vitin e kaluar prej 256 milionë eurosh, u realizua nga Mbretëria e Bashkuar, me pothuajse të gjitha në formën e instrumenteve të borxhit të dhëna nga investitorë të drejtpërdrejtë britanikë në kompanitë vendase në të cilat ata investuan.
Një vend tjetër me një pjesëmarrje të dukshme është Gjermania, e cila pavarësisht gjendjes së ekonomisë së saj, vazhdon të ketë një interes të lartë për investime në Maqedoni. Pas saj vijnë Turqia, Holanda, Austria, Greqia. Pjesa më e madhe e investimeve të huaja është në prodhim – 408 milionë euro. Nivele të konsiderueshme investimesh u bënë gjithashtu në ndërtim, shërbime dhe energji elektrike.
Kompania amerikane “Alcaraz” me 500 milionë euro, kompania turke “Kazanci Holding” me mbi një miliardë euro , që të dyja në energjetikë dhe atë në centrale diellore dhe centrale të kombinuara me gaz si dhe kompania franceze “Akuo” me centrale diellor janë vetëm disa nga kompanitë e huaja që është paralajmëruar se sivjet do të investojnë në vend.
Njëherësh kompanitë e huaja në Maqedoninë e Veriut përballen me një sërë problemesh që ua vështirësojnë punën. Ka mungesë inxhinierësh dhe profesionistësh, dhe kostot e rritura operative, burokraci dhe veprimet e pamjaftueshme nga institucionet.
Problemet më të mëdha me të cilat u përballën kompanitë e huaja në vitin e kaluar janë ato se 51% e tyre kanë mungesa të punëtorëve të kualifikuar. Kostot e rritura operative janë problem për 49 për qind të të anketuarve, në të njëjtin nivel janë burokracia dhe veprimet e pamjaftueshme nga institucionet, si dhe pasiguria ligjore dhe ndryshimet e shpeshta në rregulloret e biznesit. /Koha/