Ish i dënuari padrejtësisht për rastin Sopoti, pajiset me shtetësi

    “Sopoti gjithmonë ka asocuar me padrejtësi, me burgje dhe vështirësi për shqiptarët. Por sot jemi në shtëpinë e Sulejman Sulejmanit për të sjell një lajm të mirë”.

    I njohur ndryshe si baca Sulë, na priti si zakonisht në odën e tij. I lodhur dhe në moshë i shtyrë, por plot vullnet për të shijuar lirinë përtej kufijve.

    “Gati 20 vite pasi u dënua dhe vuajti burg në mënyrë të padrejtë dhe në një moshë të shtyrë prej 78 viteve, Sulejman Sulejmani nga fshati Sopot më në fund u pajis me shtetësi. Sistemi shtetërorë i cili e kishte vlerësuar si të rrezikshëm dhe që e kishte injoruar disa herë duke i thënë se nuk mund të ketë shtetësi, më në fund u dorëzua për t’i dhënë atij lidhjen me shtetin. Por kjo sipas tij nuk nënkupton që vështirësitë që i ka kaluar në jetë, nga dënimi me burg e deri sot mund të harrohen aq lehtë”.

    “Jo vështirësitë nuk harrohen kurrë. Ato nuk i harroj kurrë”, rrëfen ekskluzivisht për Alsat Sulejman Sulejmani, ish i dënuar në rastin Sopoti.

    “Isha 4 ose 5 herë. Pastaj hoqa dorë sepse e pash që nuk ka asgjë nga kjo”, shprehet tutje Sulejmani.

    Ishte i panjohur për shtetin, por kjo nuk e pengoi policinë dhe gjykatën për ta arrestuar dhe dënuar.

    “Po, si jo. Për shkak se nuk kisha shtetësi më vendosën tek të huajt me turq dhe disa nga Shqipëria”, tha ai.

    Zonja e shtëpisë thotë se u gëzua kur morri vesh lajmin se burri i saj, edhe pse në moshë të shtyrë po merr shtetësinë.

    “Po si jo biri im. Gjithmonë që shkonim tek vajzat ose tek familja ime, gjithmonë qaja. Rrinim 2-3 orë dhe prapë në shtëpi. Gjithmonë kam qarë. Fqinj ta kesh të dhimbset, jo më burrë, shok i jetës”, shprehet Sevdie Sulejmani, bashkëshortja e Sulejmanit.

    Ndërsa burri i saj padrejtësisht dergjej në burg, ajo flet për vështirësitë me të cilat është përballur familja.

    “Kisha vajza pa martuar, kisha vajza të martuara. Janë rritur nipat e mbesa i kanë mbushur nga 20 vite, ky nuk e din derën e shtëpisë së tyre”, vazhdon tutje Sevdie Sulejmani, bashkëshortja e Sulejmanit.

    Zonja Sevdie theu heshtjen pas disa viteve, duke i dërguar një porosi montuesve të rastit “Sopoti”.

    “Trimi të vret, nuk të merr në qafë me burgje. Edhe po ta bësh veprën, trimi të vret dhe nuk të lë varur. Si ishte kur doli nga burgu, tani është shumë më mirë”, thotë ajo.

    Sulejman Sulejmani u arrestua më 26 maj të vitit 2003 për vendosjen e minës në fshatin Sopot ku humbën jetën dy ushtarë polak. Në burg qëndroi 6 vite e 1 muaj, ndërsa u lirua më 2 korrik të vitit 2010. Për rastin “Sopoti” u dënuan 11 banorë të këtij fshati me 156 vjet burg. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Dy standardet postberishiste të Bashës

    Lajmi i rradhës

    Gjykata Kushtetuese e refuzoi kërkesën e ish-gjykatësit Pançevski

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë