IShT Maqedoni: Kujdes gjatë blerjeve online!

    Të huajt blejnë më pak online në Maqedoni sesa qytetarët e Maqedonisë jashtë vendit. Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut apelojnë që të bëhet kujdes gjatë blerjeve online pasi sipas tyre qytetarët çdo ditë e më shumë po denoncojnë mashtrime online. Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut apelojnë deri tek qytetarët që para se të bëjnë porosi online, fillimisht të kontrollojnë të dhënat e kontaktit, të dhënat e kompanisë apo personit që shet produktin si dhe të kontrollojnë besueshmërinë e e-shitores në mënyrë që të mbrojnë të dhënat personale. Kompetenca, siç thonë nga atje, kanë vetëm për kompanitë që janë të regjistruara dhe japin llogari fiskale. Inspektorati Shtetëror i Tregut kompetenca nuk ka as për kompanitë ndërkombëtare që funksionojnë jashtë territorit të vendit.

    “Duke marrë parasysh që teknologjia po përparon vazhdimisht, të tilla janë edhe zakonet e njerëzve. Shitjet online janë bërë më intensive duke lejuar kështu akçes më të lehtë në produktet e dëshiruara, por përveç këtyre përparësive ka edhe mangësi me të cilën po përballen një numër i madh i qytetarëve. Shpeshherë ka ankesa nga ana e qytetarëve për përvoja të këqija në lidhje me cilësinë e produktit, pamundësinë për ndërrimin e produktit, dërgimin jashtë afatit të caktuar, pamundësi për të ri-kontaktuar me shitësin, pasi faqet nga të cilat shiten produktet janë të bllokuara”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

    Ndodh shpesh që produkti të arrijë ndryshe nga ai që është në fotografi, problem me mos lëshimin e llogarive fiskale, faturave apo kartës së garancisë gjatë dorëzimit të produktit. Për shkak të këtyre përvojave negative, thonë në ISHT, qytetarët intensivisht po raportojnë për mashtrime gjatë blerjeve online, veçanërisht kur bëhet fjalë për produkte që shiten nëpërmjet rrjeteve sociale.

    “Inspektorati vepron në përputhje me kompetencat e tij që domethënë vetëm nëse kërkesa e paraqitur është për ndonjë tregtar të regjistruar që lëshon llogari fiskale, pasi ajo shërben si dëshmi për veprimet tona, e që ata që shesin nëpërmjet rrjeteve sociale zakonisht nuk janë të regjistruar dhe për këtë arsye është e pamundur që të gjinden dhe të veprohet sipas dispozitave të denoncimit. Gjithashtu për qytetarët të cilët bëjnë porosi në dyqane jashtë territorit të vendin, ju informojmë se Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk ka kompetenca mbi tregjet ndërkombëtare që janë jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

    Nga atje njoftojnë edhe se një tregtar i regjistruar është gjithmonë i drejtpërdrejtë, lehtësisht i kapshëm, si dhe i disponueshëm për klientët në të paktën me informacionin e emrit, gjegjësisht kompaninë e ofruesit të shërbimit, selinë e personit juridik, ofrues i shërbimit ose adresën nëse është person fizik. “Të nevojshme janë edhe të dhënat për institucionin në të cilin është regjistruar ofruesi i shërbimit, titulli profesional, dhe shteti në të cilin është marrë ai titull, si referencë për rregullat profesionale në vendin ku ushtrohet veprimtaria. Çmimet e produkteve që listohen nga ofruesi i shërbimit duhet të deklarohen qartë dhe pa mëdyshje, e në veçanti nëse ato përfshijnë koston e transportit, taksën, dhe koston e trajtimit që ndikojnë në çmimin e deklaruar.

    Inspektorati Shtetëror i Tregut vazhdimisht i informon qytetarët se nga çfarë duhet të kenë kujdes kur porosisin online. Qytetarët drejtpërdrejtë kontaktojnë me ne dhe përmes linjave telefonike u thuhet se kujt duhet t’i kushtojnë vëmendje kur blejnë online. U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm para se të bëjnë porosi online të kontrollojnë të dhënat e kontaktit dhe të dhënat e tjera për kompaninë apo personin që shet produktin, dhe në rast se kanë dyshime menjëherë të lajmërojnë Inspektoratin Shtetëror të Tregut. Për periudhën e ardhshme planifikojmë aktivitete intensive që do t’i përfshijnë të gjitha palët e interesuara që mund të kontribuojnë në reduktimin e këtij lloji të mashtrimit”, thuhet në kumtesën e Inspektoratit Shtetëror të Tregut. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Antikorrupsioni: Automjetet zyrtare të Ministrisë së Mjedisit janë keqpërdorur

    Lajmi i rradhës

    VËSHTIRË NË TREGJET ALTERNATIVE, SHKAK SANKSIONET E RUSISË!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë