Jakimovski u dënua me 3.5 vjet burg – e quan vendimin skandaloz, paralajmëroi ankesë

    Gjykata Themelore Penale në Shkup e dënoi me tre vjet e gjysmë burg kryetarin e Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski në lidhje me ndërtimin e objektit administrativ të komunës.

    Gjykata e dënoi Jakimovskin për dy vepra – ndërtim pa leje dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Gjykata e dënoi me një vit burg për ndërtimin e paligjshëm të objektit komunal dhe tre vjet burg për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

    “Duke qenë se i pandehuri S.J po gjykohet njëkohësisht për dy vepra penale, Gjykata pasi paraprakisht ka caktuar dënimet për secilën vepër veç e veç, ka shqiptuar një dënim të vetëm prej 3 vjet e 6 muaj për të dyja veprat. Në dënimin e shqiptuar me burg për të pandehurin përfshihet edhe koha e mbajtur në arrest shtëpiak”, thuhet nga Gjykata Themelore Penale Shkup.

    Pas kësaj ka reaguar Jakimovski, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Themelore Penale është skandaloz dhe se nuk ka asnjë dëshmi kundër tij. Ai paralajmëroi se për vendimin do të ankohet në Apel.

    Ai thotë se ka pritur që të lirohej. Siç theksoi, bëhet fjalë për hajkë politike.

    “Jam dënuar pse e kam bërë këtë barakë dhe atë tjetrën, ku në projekt qëndron ndërtim i barakës montuese – çmontuese. Kjo është bërë nga gips kartoni, sipas të gjitha rregulloreve dhe standardeve janë objekte të përkohshme të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe për objekt të përkohshëm nuk mund të ndiqet penalisht”, tha Jakimovski.

    Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për krim dhe korrupsion, dhe theksoi se kjo është procedurë administrative e cila mund të ndërpritet në çdo fazë.

    Jakimovski theksoi se janë kryer presione ndaj familjes së tij dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij që të jepet deklaratë kundër tij.

    Kryetari Stevço Jakimovski është dënuar në tre vjet e gjashtë muaj burg për dy vepra penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, përderisa një ish i punësuar në komunë u dënua me kusht në kohëzgjatje prej dy vjet. Aktvendimi nuk është i plotfuqishëm, ndërsa Jakimovski ka të drejtë ankese në Apel. Ai që në fillim të gjykimeve, tha se nuk ka kurrfarë faji.

    Stevço Jakimovski, kryetar aktual i Komunës së Karposhit vitin e kaluar u gjet në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit.

    Lajmi Paraprak

    Mickoski thotë se reformat duhet të fillojnë nga gjyqësori dhe prokuroria

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë