Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka përsëritur se miratimi i Ligjit për shkollat fetare nuk paraqet ndërhyrje të shtetit në arsimin fetar dhe nuk shkel laicitetin e shtetit.
Janevska kujtoi se ligji është punuar me shumë kujdes ku paraprakisht janë konsultuar literaturë dhe ligje nga vendet fqinje si Bullgaria, Serbia, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, si dhe vende të BE-së dhe Anglia.
Më 29 korrik Kuvendi i dha dritë jeshile Ligjit për Shkollat Fetare i cili u lejon nxënësve nga këto shkolla të japin provimin e maturës shtetërore dhe të regjistrohen në universitete, njësoj si nxënësit e gjimnazeve, shkollave të mesme profesionale dhe artistike.
“Ne ishim shumë të kujdesshëm që të mos mbivendosnim kompetencat, thamë se si shtet do t’u ofronim atyre mundësinë me programe mësimore, Byroja do t’ua ofronte, me të cilat nxënësit mund të kalonin maturën shtetërore. Nëse i pranojnë, nxënësit do të jenë në gjendje të kalojnë maturën, nxënësit që nuk e kalojnë maturën shtetërore nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë arsimin e tyre në fakultete të tjera përveç fakulteteve teologjike. Ne jemi në përputhje me ligjet në vendet fqinje dhe besoj se ishte koha e duhur që edhe ky problem të zgjidhej. Shpresoj se do të ketë një zbatim të suksesshëm të këtij ligji, i cili do të jetë i vlefshëm nga viti 2025-2026”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit./ Alsat/






