Jeta studentore në RMV: midis lirisë së ëndrrave dhe realitetit të varfër

    Për mijëra studentë të vendit, vitet studentore nuk shënojnë vetëm një hap të ri në arsim, por edhe një ndryshim të madh në stilin e jetës me largimin nga shtëpia. Një numër gjithnjë e më i madh i tyre po zgjedhin të banojnë në konvikte studentore, të vendosura pranë universiteteve kryesore në vend, për arsye që shkojnë përtej komoditetit të distancës. Disa e shohin këtë si mënyrë për të kursyer kohë dhe para, të tjerë si një nevojë për të shmangur lodhjen e udhëtimeve të përditshme, por jo më pak, shumë e zgjedhin për të përjetuar pavarësinë personale, larg vëzhgimit të prindërve dhe rregullave të shtëpisë.

    Në konviktin e Pellagonisë në Shkup, një nga më të mëdhenjtë në vend, këtë vit janë të vendosur rreth 1.000 studentë. Sipas drejtoreshës, Adrijana Daci, një pjesë e konsiderueshme e tyre, rreth 400 janë shqiptarë. Ajo për gazetën Koha thekson se arsyeja e zgjedhjes së konviktit nga këta studentë lidhet ngushtë me faktorë ekonomikë, por nuk mungon as dëshira për pavarësi.

    “Te studentët shqiptarë vërehet një realitet paksa ndryshe, sidomos viteve të fundit, ku për shkak të pamundësisë ekonomike është shtuar dukshëm interesimi për të qëndruar në konvikt. Natyrisht, kjo nuk është diçka e re, gjithmonë ka patur interes, sepse shumë studentë e kanë parë këtë si një mënyrë për të qenë më të pavarur. Me këtë pajtohem plotësisht”, tha Adriana Daci, u.d drejtoreshë në konviktin e studentëve “Pellagonija”.

    Konviktet në vend funksionojnë si një zgjidhje e subvencionuar për studentët që vijnë nga qytete të tjera. Me çmime simbolike mujore dhe kushte që kanë njohur përmirësime të lehta vitet e fundit, ato përbëjnë një alternativë të rëndësishme për ata që nuk kanë mundësi të përballojnë qira në qytet apo transport ditor nga shtëpia. Por përtej aspektit financiar, jetesa në konvikt ka ndikim edhe në formimin personal të studentëve.

    Aida, një studente e vitit të dytë nga Kumanova, e cila jeton në konvikt që nga fillimi i studimeve, thotë se pavarësia që të jep kjo mënyrë jetese është po aq e rëndësishme sa kursimi i parave.

    “Fillimisht ishte për arsye ekonomike, nuk e përballonim dot qiranë. Por shumë shpejt e kuptova që jeta në konvikt më ndihmon të mësoj të kujdesem vet për gjithçka. Tani më duket normale të bëj vetë orarin, të organizoj kohën dhe t’i marr përgjegjësitë mbi vete. Pavarësia e fituar mes katër mureve të dhomës së vogël, shoqëria me bashkëmoshatarët dhe përballja me sfida të vogla të jetës urbane bëhen pjesë e një formimi që nuk përfshihet në planprogramin akademik”, theksoi ajo.

    Nga ana tjetër, jo të gjithë e përjetojnë njësoj jetesën në konvikt. Disa e shohin si një sakrificë të përkohshme, të diktuar nga rrethanat, me kushte që shpesh lënë për të dëshiruar, dhoma të ngushta, ndarje me studentë të panjohur, mungesë privatësie dhe në raste, kushte jo të denja për një jetesë dinjitoze. Megjithatë, edhe për këta studentë, konvikti mbetet e vetmja mënyrë për të ndjekur studimet.

    Ndryshe, pavarësisht përvojës së ndryshme që sjell, konvikti mbetet një tregues i realitetit social dhe ekonomik që përjetojnë të rinjtë sot. Mes dëshirës për arsim të lartë dhe pamundësisë për ta ndjekur atë në kushte më të mira, studentët bëjnë zgjidhje që shpesh janë kompromis mes mundësive dhe nevojave. Por një gjë është e sigurt, për shumë prej tyre, ajo dhoma e përbashkët në konvikt është hapi i parë drejt një jete të pavarur.

    Lajmi Paraprak

    Të dhënë pas peshkimit: 10 mijë njerëz në RMV ndjekin sportin e qetësisë

    Lajmi i rradhës

    Në tokën e tyre, por jo në shtëpinë e tyre: mërgimtarët në Dibër si qiraxhinj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë