Joe Biden duhet të rivendosë autoritetin e Amerikës në Ballkan

    Foto: AP

    Ivan Sascha Sheehan
    “National Interest”

    Katërmbëdhjetë muaj më parë Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë. Ky ishte një hap i madh përpara për paqen dhe prosperitetin në Ballkan, pas një dekade të mungesës efektive të SHBA-së në rajon.

    Ndërhyrja e fundit amerikane atje, ishte në mbështetje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ndoshta i vetmi projekt i suksesshëm në 30 vitet e fundit të ndërtimit të një shteti, i udhëhequr nga SHBA-ja.

    Gjatë dekadës së fundit, nën të ashtuquajturën “udhëheqje” të Bashkimit Evropian, marrëdhëniet midis vendeve të rajonit janë përkeqësuar dhe gjatë presidencës aktuale të Joe Biden, autoriteti i SHBA-së në rajon është zbehur ndjeshëm.

    Marrëveshja e Uashingtonit është traktati i parë dhe i vetëm i vërtetë i nënshkruar midis Serbisë dhe Kosovës. Ajo përfshinte bashkëpunimin ekonomik midis 2 vendeve, demarkacionin e kufirit, dhe planet për të ndërtuar disa akse rrugore midis dy fqinjëve.

    Zbatimi i marrëveshjes dukej se ishte një shenjë e qartë se Amerika ishte rikthyer në Ballkan, një tregues se Uashingtoni po merrte përsipër një proces paqeje të lënë pas dore nga ana e  autoriteteve evropiane, të cilat bënë shumë pak për të çuar përpara marrëdhëniet pozitive midis 2 vendeve.

    Ndërsa Serbia pretendonte se nënshkrimi i marrëveshjes, nuk nënkuptonte se ajo e njihte Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, në fakt pikërisht kjo ishte ajo çka nënkuptonte ai pakt. Asnjë vend nuk mund të nënshkruajë një traktat me një vend tjetër, për të cilin ai pretendon se nuk ekziston.

    Një vit më vonë, dhe me Amerikën që nuk shihet askund në skenë, marrëveshja duket sikur ka qenë një mirazh. Prania dikur thelbësore e Amerikës në rajon është zhdukur; Ndikimi evropian është në rritje.

    Sot Serbia, prej kohësh agresore, i ka rikthyer trupat në kufirin midis vendeve të pavarura dhe e patrullon kufirin nga qielli me avionë luftarakë të prodhimit rus. Kjo është padyshim një panoramë shqetësuese.

    Si të mos mjaftonin provokimet kufitare të Serbisë për të shtuar tensionet, një godinë qeveritare kosovare u dogj qëllimisht në një zonë të banuar nga serbët e Kosovës gjatë një sulmi me granata. Ky sulm buroi nga këmbëngulja e Kosovës për reciprocitet në regjistrimin e targave të automjeteve në pikat kufitare.

    Akoma më shqetësues është fakti qëndikimi evropian ka mbushur boshllëkun e pushtetit të shkaktuar nga neglizhenca e përgjithshme e Amerikës ndaj këtij rajoni. Mbikëqyrja nga BE-ja e zhvillimeve atje, ka sjellë një kaos të madh në lidhje me sundimin e ligjit në Kosovë.

    Për më tepër një paragjykim mbizotërues evropian po e favorizon Serbinë – vend që po i ngjan më shumë një shteti autoritar njëpartiak – dhe kjo gjë mund ta zbehë akoma më tej  besimin, dhe rrjedhimisht të dëmtojë demokracinë e pavarur dhe shumëpartiake të Kosovës në vitet e ardhshme.

    Se sa larg janë të përgatitur të shkojnë evropianët, kur bëhet fjalë për ndërhyrje në qeverisjen e Kosovës, kjo mbetet më se e qartë për ata që i kanë ndjekur zhvillimet, që nga fillimi i zbatimi të Marrëveshjes së Uashingtonit.

    Në Hagë të Holandë, ku BE-ja financon gjykatat ndërkombëtare, kanë filluar gjykimet e para në “Dhomat e Specializuara të Kosovës” (DSK), ndaj Hashim Thaçit, heroit të çlirimit të Kosovës dhe ish-presidentit të vendit, por edhe ndaj disa të tjerëve për të cilët janë ngritur akuza për krime lufte.

    Në një rast tjetër, dy veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u akuzuan për publikimin e dokumenteve të supozuara konfidenciale të zbuluara nga zyra e Prokurorisë Speciale (KSK), që tani i ka nxjerrë në gjyq.

    Nuk ka pasur asnjë hetim se si, pse, apo kush i ka publikuar këto informacione kaq sensitive, dhe as një hetim të mediave kosovare që e kanë publikuar përmbajtjen e tyre. Ish-veteranët e UÇK-së që po ndiqen penalisht, janë ata që shtinë në dorë edhe informacionet konfidenciale. Ndaj duket sikur kjo gjë ka pasur nga prapa një organizim. Një situatë e tillë nuk është befasuese duke pasur parasysh se Bashkimit Evropian ka sfida serioze të brendshme sa i përket sundimit të ligjit. Ndoshta, ai nuk po arrin të mbështesë praktikat normale ligjore në një gjykatë ndërkombëtare që e financon po vetë.

    Por kjo nuk ka të bëjë me zbatimin e ligjit; por me ndikimin e BE-së në Ballkan. Dhe kjo u bë e qartë në raportin e kryetares bullgare të Gjykatës së Kosovës gjatë një takimi me ambasadorët e BE-së, ku ajo shpjegoi jo vetëm akuzat që do të ngriheshin, por edhe kur mund të pritet dhënia e dënimit për ata që janë në bankën e të akuzuarve.

    Ç`është e vërteta, BE-ja duket se po e përdor KSK-në për të nxjerrë jashtë politikës liderët çlirimtarë të Kosovës. Evropianët nuk japin asnjë justifikim se pse duhet t’u besohet atyre nga qytetarët në Ballkan, ndërsa administrata amerikane e Joe Biden nuk tregon shenja të ri-angazhimit me rajonin.

    Por zyrtarët amerikanë duhet që të angazhohen edhe një herë në Ballkan. Ajo që duhet të kuptojnë zyrtarët amerikanë,është se Amerika jo vetëm që e krijoi shtetin e pavarur të Kosovës, por se gjithashtu solli një demokraci shumëpartiake në një rajon pa një histori të tillë.

    Duke u ri-angazhuar seriozisht në Ballkan, Shtetet e Bashkuara mund të kenë shansin të shpëtojnë suksesin e tyre të vetëm në procesin e shtet-ndërtimit përgjatë 30 viteve të fundit, në vend se të dorëzohen para indiferencës amerikane dhe paligjshmërisë evropiane.

    Shënim: Ivan Sascha Sheehan, është drejtor ekzekutiv i Shkollës së Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimorës, SHBA.

    Lajmi Paraprak

    Çfarë zbulon kriza energjitike e Europës

    Lajmi i rradhës

    Analizat shëndetësore që gratë mbi 40 vjeç duhet të kryejnë patjetër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë