Kabineti gjerman ka miratuar projektligje për kufizimin e mundësive për grupe të caktuara refugjatësh për të sjellë familjet e tyre në Gjermani dhe për heqjen e shtetësisë me procedurë të shpejtë për migrantët “të integruar mirë”.
Kufizimet në ribashkimin familjar do të prekin emigrantët në Gjermani me të ashtuquajturin “status mbrojtjeje plotësuese” – domethënë, njerëzit që nuk kanë status të plotë refugjati, por lejohen të qëndrojnë në vend për shkak të kërcënimit të persekutimit politik në vendet e tyre të origjinës.
Rregullat që u lejojnë disa migrantëve të aplikojnë për shtetësi gjermane pas tre vitesh në vend të pesë viteve normale, u prezantuan nga qeveria e mëparshme e koalicionit.
Dy projektligjet, të propozuara nga Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, duhet të miratohen ende nga Bundestagu, dhoma e ulët e parlamentit të Gjermanisë.
Pezullimi i planifikuar i rregullave që lejojnë disa refugjatë të sjellin familjet e tyre në Gjermani shihet shumë kritik nga disa grupe të të drejtave të njeriut.
Një rast si ai i Mohammedit, i cili iku nga lufta civile siriane, nxjerr në pah problemet që pezullimi mund t’u shkaktojë shumë njerëzve që kanë lënë vendet e tyre të origjinës për të kërkuar strehim në Gjermani.
Mohamedi mori vendimin për të bërë udhëtimin e rrezikshëm për në Gjermani përmes Libisë dhe përtej Mesdheut në Itali së bashku me të birin, i cili vuan nga atrofia cerebrale, me shpresën për të marrë trajtim mjekësor dhe një ditë të ribashkohet me pjesën tjetër të familjes në Gjermani.
Dy vjet e gjysmë më vonë, ai ende pret që gruaja dhe dy vajzat e tij të marrin leje për t’u bashkuar me të.
“Para se të vija në Gjermani, nuk e dija se do të ishte kaq e vështirë”, i tha ai DW.