Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, pas vizitës së saj në Shkup, tha se Maqedonia i përket familjes evropiane dhe se është e nevojshme të vazhdojë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përcjell Nistori.
“Është kënaqësi të jem në Shkup. Maqedonia e Veriut ishte e para në rajon që nënshkroi një partneritet të sigurisë dhe mbrojtjes me BE-në dhe e para që filloi të korrte përfitimet e Planit tonë të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ajo i përket familjes sonë evropiane. Tani duhet të vazhdojmë rrugën drejt BE-së”, ka shkruar Kallas në profilin e saj në platformën X.
Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë së BE-së gjatë vizitës së djeshme në Shkup pati takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, mori pjesë në hapjen e dialogut të sigurisë dhe mbrojtjes mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të Partneritetit për siguri dhe mbrojtje, ndërsa vizitoi edhe selinë e përhershme të Forcave Mjekësore Ballkanike në kazermën “Ilinden”. /Nistori/