“Kam një lajm të keq për Bashën” | Berisha: Gati Kuvendi Kombëtar, nesër dorëzohen 4200 firma në PD

    Polemikat në radhët e demokratëve shënuan të martën një zhvillim të ri, kur ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nesër do të dorëzohen firmat e delegatëve të Partisë Demokratike për ngritjen e Kuvendit Kombëtar.

    Gjatë fjalës përpara përkrahësve të tij në Pogradec, Berisha tha se 4200 firma për ngritjen e Kuvendit Kombëtar do të dorëzohen të mërkurën në Partinë Demokratike.

    Për peng-kryetarin kam një lajm të hidhur, por të gëzuar për të gjithë ju. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar. I them kryetarit pa parti, përkulu para firmave të anëtarëve të Partisë Demokratike, sepse 4200 kanë firmosur, por do të vijnë në atë Kuvend 10 mijë të tjerë”, tha Berisha.

    Ai akuzoi kryetarin e forcës më të madhe opozitare, Lulzim Basha, se ishte marrë peng nga kryeministri Edi Rama, gjë që u provua kur vendosi ta përjashtojë nga grupi parlamentar në shkelje të statutit të partisë.

    Marrëdhëniet e afërta mes ish kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, e shpalli ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa kreu i PD-së Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës.

    Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, përcaktoi Berishën, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion domethënës.

    Pas kësaj, Basha e përjashtoi Berishën nga grupi i deputetëve dhe ka theksuar disa herë publikisht se, si kryetar i PD-së, ai nuk do të lejonte që partia të shndërrohej në bunker për interesat personale të ish-kryeministrit Berisha dhe se nuk do të lejonte që Partia Demokratike të mbante Kuvend për vendimet e SHBA-ve.

    Gjatë një fjalimi në parlament Basha akuzoi për një bashkëpunim mes presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe ish kryeministrit Berisha, duke i etiketuar si “trekendëshi i Bermudës, brinjët e të cilës do të zbërthehen një nga një”.

    Por disa ditë më parë, Berisha dëshmoi përsëri këmbënguljen e tij, kur deklaroi në një tjetër tubim se ai do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin, për thirrjen e të cilit, sipas tij, tashmë ishin mbledhur firmat e delegatëve.

    Sipas interpretimeve mbi statutin nga ana e PD-së zyrtare është kryetari ai që vendos, nëse thirret apo jo, një Kuvend i partisë.

    Basha ka kujtuar se ai sapo është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike me një shumicë dërrmuese votash.

    Ai ka propozuar në Kuvend një proces vettingu për pastërtinë e pasurive dhe integritetin e politikanëve, në mënyrë të ngjashme me atë që po bëhet për gjyqtarët, madje shprehu gatishmërinë që ky vetting të nisë së pari nga kryetari i opozitës para se të përfshijë qeverinë dhe gjithë politikanët e tjerë.

    Ish-kryeministri Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i së djathtës në vitin 2013, kur humbi thellë zgjedhjet përballë Partisë Socialiste, të drejtuar nga Edi Rama.

    Polemikat mes politikanëve kryesorë të Partisë Demokratike kanë shkaktuar një debat të gjerë mes deputetëve dhe bazës së kësaj partie, lidhur me autoritetin kryesor drejtues të partisë. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Server kërkon prova se Grenell paguhet nga Serbia për lobim | “Do t’i dërgoj në Departament të Drejtësisë”

    Lajmi i rradhës

    Squid Game, ose kapitalizmi me fytyrë çnjeriu

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë