Kandidatët për president me profile edhe në “TikTok”, kërkojnë votat e të rinjve, por a ka kjo efekt?

    Të shtatë kandidatët presidencialë kanë profile në TikTok, disa janë aktivë që nga viti 2020, disa janë “aktivizuar” vetëm pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme dhe disa, edhe pse kanë profile, nuk e përdorin fare këtë rrjet social.

    Në kulmin e fushatës presidenciale, shtatë kandidatët janë gjithashtu të pranishëm në Tik-Tok, në përpjekje për t’u afruar me votuesit më të rinj.

    Të gjithë kandidatët presidencialë kanë profile TikTok. Shumica janë hapur kohët e fundit dhe kanë shkallë të ndryshme ndërveprimi me audiencën.

    Kandidati i “Frontit Europian”, Bujar Osmani, ka profilin më të vjetër. Ai ka qenë në TikTok që nga qershori 2020. Ai është aktiv me video që kur ishte ministër dhe numëron 13500 ndjekës. Ai është i vetmi nga shtatë që u përgjigjet pyetjeve të parashtruara në komente.

    Më pas është kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, me rreth pesë mijë ndjekës. Ajo ka qenë aktive në Tik-Tok që nga korriku i vitit 2020, kur janë mbajtur zgjedhjet e mëparshme parlamentare dhe ka qenë bartëse e listës së VMRO-DPMNE-së në Njësinë Zgjedhore 1. Vlen të përmendet se në periudhën 12 korrik 2020, tre ditë më parë zgjedhjet e atëhershme, deri më 17 dhjetor 2023 ajo nuk ka postuar asnjë video në Tik Tok. Ajo u aktivizua sërish në prag të zgjedhjeve presidenciale. Profili dominohet nga pjesë të fjalimeve të saj.

    Pak pas Siljanovska-Davkovës, edhe kandidati i koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, i cili ka krijuar profil në TikTok – në janar 2021. Ai ndiqet nga rreth 4 mijë përdorues. Videot në përgjithësi u drejtohen shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

    Presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili si kandidat i mbështetur nga LSDM-ja kandidon për një mandat të dytë, është në Tik-Tok që nga gushti i vitit 2023. Ai ndiqet nga mbi 4 mijë përdorues. Ai paralajmëroi edhe aktivitete presidenciale, por është shumë më aktiv në fushatën aktuale.

    Kandidati i koalicionit “Me guxim për Maqedoninë”, Stevço Jakimovski, ka hapur llogari në TikTok në fund të nëntorit të vitit të kaluar, ose pesë muaj para fillimit të fushatës. Ai ka 92 ndjekës dhe nuk është shumë aktiv.

    Biljana Vankovska, kandidate e “Levicës”, vetëm dy muaj më parë, në shkurt të këtij viti, u shfaq në Tik-Tok dhe që nga ajo kohë ka postuar video në mënyrë të parregullt. Rreth 150 përdorues e ndjekin atë.

    Ndërsa Maksim Dimitrievski, i cili merr pjesë në zgjedhje me mbështetjen e partisë së tij ZNAM, është në Tik-Tok që nga muaji shkurt. Ka vetëm dy ndjekës. Në profilin e rrallë ai ka postuar vetëm një video me foto kopertinë.

    Tik-Tok është rrjeti më i fundit social që kanë krijuar politikanët. Ata tashmë tradicionalisht janë të pranishëm në Facebook, Instagram dhe YouTube.

    Përpjekja për të arritur tek votuesit e rinj është e dukshme, por a ka efekt?

    Instituti për Studime të Komunikimit (IKS) pyeti 350 të rinj të moshës 18 deri në 29 vjeç dhe mori konfirmimin se ata marrin më shumë informacion nga mediat sociale.

    Burimi i parë i tyre është Instagram me 74 për qind, më pas Facebook me 62 për qind, YouTube pasohet nga 45 për qind, Tik-Tok – 30, ndërsa të paktën 18 për qind e të rinjve të anketuar marrin informacion në X, ose ish Twitter.

    “Ajo që bie në sy është se kur të rinjtë përdorin rrjetet sociale, ata më së shumti konsumojnë pasivisht lajmin, domethënë hasin në lajme duke bërë gjëra të tjera dhe më pak në mënyrë aktive kërkojnë dhe kontrollojnë vetë informacionin”, tha ai për “360 Gradë” Dejan Andonov – koordinator programi në Institutin për Studime të Komunikimit.

    Lajmi Paraprak

    Edhe 4 ditë deri në përfundim të fushatës për zgjedhjet presidenciale, çfarë premtojnë kandidatët

    Lajmi i rradhës

    Në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë më shumë votues sesa banorë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë