Vetura të parkuara vend e pa vend, persona me aftësi ndryshe dhe të sëmurë që u është zënë rruga. Kjo është gjendja e përditshme me veturat e parkuara kudo në klinikën Nënë Tereza në Shkup.
Vetëm në hyrje të spitalit Nënë Tereza në Shkup, kjo është një veturë e parkuar gabimisht e që nuk duhet të jetë këtu sepse zen vendin e personave me aftësi të kufizuara të cilët duhet të lëvizin këtu dhe po ashtu edhe korsia e këmbësorëve është e zënë, për shkak të parkingjeve që mungojnë në Klinikën Nënë Tereza, ndërsa qytetarët detyrohen të dalin në rrugë duke sakrifikuar që të arrijnë atje ku duan”, raporton Avni Tahiri, gazetar.
“Si e komentoni këtë situatë? Kjo është e turpshme, këtu ka njerëz me aftësi të kufizuara që kalojnë, ja nëna ime ishte me karrocë u deshtë të shkojmë nga kjo rrugicë, edhe motori në anën tjetër ishte parkuar, këtu duhet të ketë polici dhe ti rregulloje këto çështje”, tha një qytetare.
Disa qytetarë thonë se për të gjetur një vend parkimi duhet të sillesh disa herë rreth Klinikës e disa shoferë të tjerë janë shndërruar në roje që të mos u parkohet ndonjë para veturës.
“Presim të dale ndonjë që të parkojmë, ja e pres që të mos parkohet ndonjë para veturës. Po bën roje? Po, çfarë të bëj”, u shpreh një qytetar.
“As Qeveria e askush nuk mendon për këtë parking, shtyhemi me veturat, thyejmë veturat, nuk ka ku të pakohemi. Unë jam i operuar dhe kur erdha këtu për operim, gjysmë orë nuk kishim vend ku të parkojmë”, tha një tjetër qytetar.
Sa i përket çështjes së parkingjeve në Klinikën Nënë Tereza në Shkup, Ministri i ri i Shëndetësisë, Azir Aliu, paralajmëroi se për të punësuarit tash më janë siguruar 300 vendeve të parkimit jashtë zonës së Qendrës Klinike. Por që pritet të shihet se a do të zbusë kjo kaosin me parkingun apo qytetarët do të presin si në loto për një vend parkim në Klinikë. /Alsat/