KAOSI ME DOKUMENTET / Revoltohen qytetarët, ndalet rryma, bllokohet procesi i punë

    Qytetarët shprehen tejet të revoltuar pasi nuk mund të pajisen me dokumentet personale edhe pse disa prej tyre thonë se procesin e fotografimit e kishin kryer muaj më parë.

    Revoltin e qytetarëve e shtoi edhe më shumë ndërprerja e energjisë elektrike që për një kohë pengoi procesin e punës në sportelin e MPB-së në RTVM.

    “Nervoz sepse nuk mund ta marr letërnjoftimin prej 21 qershorit, prej vitit të kaluar. Kam ardhur dy herë, letërnjoftimin nuk e kam këtu, tash më thanë se nuk kanë rrymë, ejani ditë tjetër. Të marr ditë të lira në punë, ta lë punën, ta marr letërnjoftimin, nuk do të mundem pagën ta marr..”, tha një qytetar.

    “Tre herë vij këtu, nuk është gati nuk është gati, tash do të shkoj, ja për të katërtën herë. Prej 28 nëntor e kam nis procedurën, akoma nuk e kam gati letërnjoftimin”, u shpreh një qytetar tjetër.

    “U qëllua që edhe rrymë të mos ketë, tani derisa e rregullojnë atë, njerëzit janë nervoz që është normale… Nuk më ka arritur porosi se e kam gati, por prej 16 nëntor jam fotografuar.. Nuk ka nevojë të më tregojnë”, theksoi një qytetar.

    Lidhur me këtë problematikë reagoi edhe Avokati i Popullit. Ai tha se një numër i madh dokumentesh rrinë nëpër depot e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe nuk u shpërndahen qytetarëve.

    Ekipi i institucionit Avokati i Popullit, ka reaguar në bazë të disa ankesave të qytetarëve që e kishin të domosdoshëm udhëtimin dhe bashkë me përfaqësues të MPB-së kanë gjetur dhe shpërndarë dokumentet.

    “Është bërë caktimi i terminit, është kryer fotografimi, është bërë përpunimi, është dhënë leja e dhënies dhe rri nëpër depot e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qofshin ato dokumente udhëtimi, pasaporta, letërnjoftime, leje qarkullimi e kështu me radhë. Meqë filluan të vijnë ankesa para institucionit Avokati i Popullit, ne organizuam ekip në vendet që kishim informacion se ndodhen dhe në disa raste, qytetarët kur kanë nevojë të paprolongueshme që të udhëtojnë, për shkaqe shëndetësore, studimore, shkencore, sportive dhe afarizmi, sportive. Insistuam që MPB në bashkëpunim dhe me insistim tonin ti kërkojë ato dokumente dhe t’ua jep qytetarëve”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

    Ziberi rikujtoi se afati ligjor për dorëzim të dokumenteve është 15 ditë pune dhe theksoi se sistemi duhet patjetër të vihet në funksion, Ministria e Brendshme duhet të riorganizohet dhe të gjitha dokumentet e përgatitura t’u shpërndahen qytetarëve. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Vrasja e 14-vjeçarit nga Prilepi, ndalohen dy persona

    Lajmi i rradhës

    Prokuroria me aktakuzë ndaj Merkos / Llogaria bankare e komunës e bllokuar, kryetari bleu veturë 67 mijë euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë