Kaq do të jetë buxheti i Shqipërisë për vitin 2022

    Qeveria shqiptare ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2022, i cilësuar si buxheti i rimëkëmbjes. Në draftin e depozituar tashmë në Kuvend, ekzekutivi pret që ekonomia vitin e ardhshëm të rritet me 4.1 për qind dhe deficit prej 800 milionë euro.

    Në dokumentin, që tashmë është dorëzuar në Kuvend, pritet niveli i të ardhurave të arrijë 537 miliardë lekë apo rreth 4,4 miliardë euro, ndërsa shpenzimet buxhetore arrijnë shifrën e 637.6 miliardë lekëve, rreth 5,2 miliardë euro.

    Ndërsa deficiti buxhetor, pra diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve që tejkalon 100 miliardë lekë apo rreth 800 milionë euro pritet të mbulohet nga qeveria përmes marrjes së huave. Vitin që vjen Financat zotohen për ulje të borxhit publik në nivelin e 78.9%, pas rritjes së tij në 80% të parashikuar deri në fund të 2021.

    Rritja e nivelit të të ardhurave do të mbështetet sipas qeverisë në ecurinë pozitive të aktivitetit ekonomik në vend, miradministrimit fiskal si dhe në uljen e informalitetit në ekonomi.

    Ndërsa sa i takon krahut të shpenzimeve buxhetore, ato do të mbështesin një sërë investimesh publike me në fokus procesin e rindërtimit dhe projekte të tjera infrastrukturore në ndërtimin e rrugëve, aeroporteve, investime në ujësjellës kanalizime si dhe në sektorë të tjerë.

    Ndër të tjera, projektbuxheti 2022 parashikon rritje të pagave për arsimtarët e mjekët, si dhe indeksim të pensioneve e në draft parashikohet po ashtu edhe bonusi i fundvitit për pensionistët në masën 3.5 miliardë lekë.

    Lajmi Paraprak

    Edhe ky vit shkollor filloi me libra të dëmtuar, nxënësit detyrohen të mësojnë me fotokopje

    Lajmi i rradhës

    150 milionë euro | Kush do ta drejtojë komisionin për rrugën Prizren-Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë