Kaq herë është ndryshuar kushtetuta e RMV-së që nga viti 1991

    Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut si akti më i lartë juridik shtetëror deri më tani ka pësuar tetë ndryshime me amendamente. I fundit ishte në vitin 2019 kur Kuvendi me 81 vota “për” votoi katër amendamentet kushtetuese për ndryshimin e emrit kushtetues nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës. Kuvendi miratoi edhe Ligjin kushtetues për zbatimin e amendamenteve, përcjell Nistori.

    Paraprakisht, ndryshimet në Kushtetutë janë bërë në vitet 1992, 1998, 2001, 2003, 2005, 2009 dhe 2011.

    Ndryshimet e para të Kushtetutës janë miratuar më 6 janar të vitit 1992 me miratimin e amendamenteve I dhe II. Me to përcaktohet se shteti nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje dhe nuk do të përzihet në të drejtat sovrane dhe punët e brendshme të shteteve të tjera.

    Më 1 korrik të vitit 1998 u miratua Amendamenti III, me iniciativë të Gjykatës Supreme dhe me të është zhvendosur afati për kohëzgjatjen maksimale të paraburgimit deri në ngritjen e aktakuzës, nga 90 në 180 ditë nga dita e paraburgimit.

    Deputetët, në seancën e Kuvendit më 16 nëntor të vitit 2001, miratuan amendamentet IV, V, VI, VII, VIII, IX, X, XI, XII, XIII, XIV, XV, XVI, XVII dhe XVIII. Këto ndryshime janë miratuar si detyrim nga Marrëveshja kornizë e Ohrit. Është zëvendësuar Preambula e Kushtetutës, e cila është shkruar në një paragraf. Në mënyrë krejtësisht të re është rregulluar çështja e përdorimit të gjuhës zyrtare
    dhe alfabetit të saj në të gjithë territorin e vendit dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale. Është futur vlerë e re themelore në rendin kushtetues të shtetit, gjegjësisht përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i qytetarëve nga bashkësitë tjera në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet tjera publike në të gjitha nivelet.

    Është zgjeruar lista e bashkësive fetare e përcaktuar në Kushtetutën e vitit 1991. Janë rregulluar të drejtat e pakicave etnike. Garantohet mbrojtja, avancimi dhe pasurimi i pasurisë historike dhe artistike të shtetit dhe të të gjitha bashkësive në të. Është paraparë që për ligjet që prekin drejtpërdrejt kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale dhe përdorimin e simboleve, Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, me ç’rast duhet të ketë shumicë të votave të deputetëve të pranishëm që u përkasin bashkësive që nuk janë shumicë në shtet. Është rregulluar mënyra e zgjedhjes (shumicë e dyfishtë) dhe kompetencat e avokatit të popullit. Është vendosur Komiteti për marrëdhënie mes bashkësive i cili është themeluar nga Kuvendi dhe është përcaktuar përbërja e tij. Është i rregulluar përfaqësimi i pjesëtarëve të bashkësive pakicë në Këshillin Gjyqësor Republikan, në Gjykatën Kushtetuese dhe në Këshillin e Sigurimit. Është rregulluar çështja e miratimit të ligjeve në fushën e vetëqeverisjes lokale (shumica e dyfishtë e votave), si dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale. Është rregulluar procedura për marrjen e vendimit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

    Sipas amendamentit të fundit, preambula, nenet për vetëqeverisjen lokale, neni 131, gjegjësisht vendimi për nisje drejt ndryshimit të Kushtetutës, si dhe nenet me të cilat rregullohen vlerat themelore, e drejta për barazi, si dhe të drejtat e bashkësisë pakicë dhe vendimi për shtimin e një dispozite të re, që ka të bëjë me lëndën e atyre dispozitave apo neneve, nuk mund të ndryshohen pa shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, në të cilin duhet të ketë shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët u përkasin bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.

    Më 26 dhjetor të vitit 2003, deputetët miratuan amendamentin XIX, me të cilin rregullohet devijimi nga paprekshmëria e fshehtësisë së të gjitha formave të tjera të komunikimit, e jo vetëm të letrave, siç është përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1991. Është përcaktuar se devijimi bëhet në bazë të vendimit të gjykatës, në kushte dhe procedurë të përcaktuar me ligj, ndërsa për shkak të arsyeve të
    përmendura saktësisht.

    Amendamentet XX, XXI, XXII, XXIII, XXIV, XXV, XXVI, XXVII, XXVIII, XXIX dhe XXX Kuvendi i miratoi në seancën e mbajtur më 7 dhjetor të vitit 2005. Ato u referohen reformave të sistemit gjyqësor, gjegjësisht ndryshimit të organizimit të sistemit gjyqësor, zgjedhjes së gjykatësve dhe prokurorisë publike. Është hequr imuniteti i ministrave, ndërsa ruhet vetëm imuniteti i kryetarit të
    Qeverisë, me atë që për heqjen e imunitetit të tij vendos Kuvendi, e jo Qeveria
    siç parashikonte Kushtetuta e vitit 1991.

    Në seancën parlamentare të mbajtur më 9 janar të vitit 2009, u miratua amendamenti XXXI i Kushtetutës, me të cilin është përcaktuar pragu për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në raundin e dytë të zgjedhjeve (do të zgjidhet ai kandidat i cili merr shumicën e votave nga zgjedhësit që kanë.

    Amendamenti XXXII i Kushtetutës është miratuar në seancë parlamentare më 12 prill të vitit 2011, e ka të bëjë me pamundësinë e heqjes së nënshtetësisë së shtetasve të Republikës së Maqedonisë, respektivisht të pamundësisë që i njëjti të dëbohet nga shteti. Shtetas i Republikës së Maqedonisë nuk mund të ekstradohet në shtet tjetër, përveç në bazë të marrëveshjes së ratifikuar ndërkombëtare dhe me vendim të gjykatës.

    Ndryshimet e fundit kushtetuese u bënë më 11 janar të vitit 2019 kur dhoma ligjdhënëse miratoi amendamentet XXXIII, XXXIV, XXXV, XXXVI të Kushtetutës të cilat hyjnë në fuqi me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutën 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerjen e vlefshmërisë së Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik mes palëve dhe ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit në NATO nga pala e parë e Marrëveshjes përfundimtare. Me të ndryshohet emri i shtetit nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, bëhen ndryshime në Preambulën, garantohet sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësinë politike e vendeve fqinje dhe kujdesi për diasporën.

    Praktika e ndryshimeve kushtetuese në vende të tjera të Europës

    Ndryshimet kushtetuese respektivisht reformat janë një proces kompleks dhe i gjatë. Ndonjëherë ndryshimet janë të domosdoshme dhe krejtësisht thelbësore për të përmirësuar qeverisjen demokratike ose për t’iu përshtatur transformimeve politike, ekonomike dhe sociale. Megjithatë, duke marrë parasysh faktin se themelimi i shteteve është i sanksionuar në vetë kushtetutën,
    ndryshimi i këtij dokumenti të rëndësishëm është çështje e një rëndësie të madhe. Në disa vende evropiane ndryshimet kushtetuese janë aq të shpeshta sa që ndodhin thuajse çdo vit, ndërsa në të tjera janë shumë të rralla.

    – Në Austri ndryshimet e Kushtetutës në baza vjetore variojnë nga një deri në gjashtë herë (me përjashtim të viteve kur nuk ka pasur fare ndryshime).

    Kushtetutat zvicerane dhe belge gjithashtu ndryshojnë mjaft shpesh, ndërsa në kushtetutën e Gjeorgjisë ka më shumë se 30 ndryshime, tregon studimi komparativ i Institutit parlamentar.
    Në shtete të tjera, nga ana tjetër, siç qëndron në hulumtimin, ndryshimet
    kushtetuese janë shumë të rralla.

    – Në Suedi, Akti i sukcesionit që është pjesë e katër ligjeve fundamentale të Kushtetutës është ndryshuar vetëm një herë. Në Rumani nuk ka pasur ndryshime që nga viti 2003. Kushtetuta spanjolle ka pësuar vetëm dy ndryshime. Kushtetuta e Polonisë, gjithashtu, është ndryshuar vetëm dy herë që nga viti 1997. Në Finlandë, Kushtetuta është ndryshuar katër herë që nga hyrja në fuqi e saj në vitin 2000. Kushtetuta bullgare është ndryshuar vetëm pesë herë që nga viti 1991. Kushtetuta greke, nga ana tjetër, ka pësuar katër revizione që nga viti 1975. Kushtetuta e Lituanisë është ndryshuar 10 herë që nga viti 1992, bën të ditur hulumtimi.

    Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut është ndryshuar tetë herë që nga viti 1991. Nga Instituti parlamentar bëjnë të ditur se ka disa vite që nuk ka fare ndryshim, por në disa vite ka ndryshime në mbi 15 nene të Kushtetutës.

    – Çështja e ndryshimeve kushtetuese gjendet në thelbin e teorisë dhe praktikës kushtetuese. Konstitucionalizmi nënkupton që rregullat themelore për ushtrimin efektiv të pushtetit shtetëror dhe mbrojtjen e të drejtave individuale të njeriut duhet të jenë të qëndrueshme dhe të parashikueshme dhe të mos u nënshtrohen ndryshimeve të shpeshta, thuhet në studim, duke vënë në dukje se kjo është thelbësore kur bëhet fjalë për legjitimitetin e sistemi kushtetues.

    Numri i ndryshimeve në kushtetutat e vendeve të përzgjedhura në Europë
    Shteti

    Viti i miratimit të Kushtetutës

    Numri i ndryshimeve kushtetuese
    1 Shqipëria 1998 6 herë
    2 Belgjika 1831; Më shumë se 30 herë
    3 Bullgaria 1991 5
    4 Kroacia 1990 5
    5 Qipro 1960 14
    6 Çeki a 1993 8
    7 Estonia 1992 5
    8 Finlanda 2000 4
    9 Franca 1958 24
    10 Gjeorgjia 1995 Më shumë se 30 herë
    11 Gjermania 1949 64
    12 Greqia 1975 4
    13 Hungaria 2011 7
    14 Irlanda 1937 32
    15 Italia 1947 12
    16 Letonia 1991 8
    17 Lituania 1992 10
    18 Moldavia 1994 8
    19 Holanda 1814 Më shumë se 40 herë
    20 Maqedonia e Veriut 1991 8
    21 Norvegjia 1814 Relativisht shpesh
    22 Polonia 1997 2
    23 Portugali 1976 7
    24 Rumania 1991 1
    25 Sllovakia 1992 19
    26 Sllovenia 1991 10
    27 Spanja 1978 2
    28 Suedia 1974 1
    29 Zvicra 1999 44
    30 Turqia 1982 19
    Burimi: Institutit parlamentar

    Lajmi Paraprak

    Dialogu në Bruksel përfundon pa takim trepalësh

    Lajmi i rradhës

    Barcelona gati të “rrëmbejë” sulmuesin e Salzburgut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë