Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pas mbajtjes së mbledhjes së kryesisë qendrore tha se Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të partisë, në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm.
Kasami tha se Kuvendi i Lëvizjes Besa vlerësoi se duhet të hapet rruga për strukturimin e VLEN-it dhe e solli këtë vendim bazuar në moratoriumin e aktiviteteve partiake nga subjektet që përbëjnë VLEN-in.
“Me këtë rast, Kuvendi më autorizoi mua të vijojë bisedimet për të ardhmen e VLEN-it, duke i dhënë mbështetje bashkimit në një subjekt të vetëm, me një zgjidhje që respekton parimin e drejtësisë dhe dëgjon zërin dhe vullnetin e votuesit të VLEN-it dhe gjithë shqiptarëve”.
“Në mbledhjen e Kuvendit u diskutua gjithashtu puna e funksionarëve të Lëvizjes Besa në Qeveri. Kuvendarët e përkrahën konstatimin e kryetarit Kasami se Besa ka kapacitet për shumë më shumë punë sesa është bërë deri tani”, tha Kasami.
Ai gjithashtu shtoi se analiza e punës së funksionarëve do të vijojë në ditët në vijim, ndërsa konstatimet e gjetura do të reflektohen në rikonstruimin e ardhshëm të Qeverisë./Nistori/






