Humbësi më i madh do të jetë ai që largohet nga koalicioni VLEN. Fjala e urtë popullore thotë:“ai që ndahet nga grupi do ta hajë ujku”, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i BESA-s, Bilal Kasami, për partnerin e tij në VLEN, Arben Taravarin, pas mosmarrëveshjeve në koalicion dhe kritikave të liderit të Aleancës për Shqiptarët për funksionimin e saj si pjesë e Qeverisë, përcjell Nistori.
“Vlerësoj që VLEN peshon… të mos them më shumë, por aq pa Taravarin sa ia vlente dhe peshonte me të. Besoj se humbësi më i madh do të jetë ai që do të dalë nga çështja e koalicionit VLEN. Fjala e urtë popullore thotë: “Ai që ndahet nga grupi do ta hajë ujku”. Në këtë rast, mendoj se VLEN do të vazhdojë edhe më fuqishëm”, tha Kasami.
Këto komente ai i bëri pasi u pyet për aludimet e mundshme për daljen e Taravarit nga koaliconi VLEN.
“Unë ende besoj se ka një shans real që të vazhdojmë së bashku, sepse vlerësoj që së pari vlera e secilës parti, pjesë e Vlenit, është më e madhe si pjesë e koalicionit sesa jashtë. Ne kemi tentuar edhe më parë, secili veç e veç, të sfidojmë Ali Ahmetin dhe BDI-në dhe kemi dështuar. Ne ia dolëm mbanë vetëm kur qëndruam së bashku... BDI nuk ka dhënë ende përgjigjen e 20 viteve të qeverisjes korruptive, kriminale të shtetit dhe mospërfaqësimit të shqiptarëve”, tha Kasami.