Katedra e Historisë në UT: historia shqiptare anashkalohet në programin e ri mësimor

    Universiteti i Tetovës UT / Fotografia: Osman Demiri

    Katedra e Historisë pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës ka reaguar ndaj programit të ri mësimor për lëndën e historisë në arsimin fillor dhe të mesëm. Duke e konsideruar të domosdoshëm përditësimin e programeve, ata shprehin shqetësime serioze lidhur me përmbajtjen dhe qasjen ndaj historisë së popullit shqiptar, përcjell Nistori.

    Katedra thekson se në grupin punues për hartimin e programeve nuk janë përfshirë historianë shqiptarë, çka sipas tyre ka ndikuar në përmbajtje joshkencore, siç është ndarja e dardanëve nga trungu ilir apo përdorimi i termit “Shqipëri” për periudha kur historikisht ekzistonte nocioni “Arbëri”.

    Sipas reagimit, historisë së shqiptarëve i është dhënë hapësirë shumë më e vogël krahasuar me programet e mëparshme, çka përbën përfaqësim të padrejtë dhe pasqyrim jo të plotë të realitetit multietnik të vendit. Katedra apelon që Ministria e Arsimit të ndërhyjë përpara miratimit të teksteve dhe të sigurojë programe gjithëpërfshirëse, të bazuara në standarde shkencore dhe ndjeshmëri kulturore.

    Në këtë grup punues për përpilimin e programit mësimor të historisë nuk janë përfshirë historianë shqiptarë, derisa në komisionin paraprak kanë qenë 4 anëtarë shqiptarë nga 11 anëtarët e komisionit.

    Si epilog i mospërfshirjes së historianëve shqiptarë janë evidentuar përmbajtje joshkencore, si p.sh.:

    –          “Ilirët dhe Dardanët”, (Programi i kl. VI fillore) nuk është përmbajtje shkencore, meqë dardanët janë njëri nga fiset ilire. Një përmbajtje e këtillë jo vetëm që është jo shkencore, por është një tentativë për të shkëputur dardanët nga trungu i fiseve ilire;

    Shqipëria në Mesjetën e hershme”, (Programi i kl.VII fillore);

    Shqipëria në Mesjetën e zhvilluar”, (Programi i kl. VII fillore) dhe

    Kryengritja e Skënderbeut” (Programi i kl. VII fillore).

    Titujt e përmbajtjeve nuk janë shkencorë, sepse në Mesjetën e hershme, të mesme dhe të zhvilluar nuk ka ekzistuar nocioni “Shqipëri”, meqë atëbotë shqiptarët janë quajtur “arbër” dhe logjikisht vendi ku kanë jetuar është quajtur “Arbëri”.

    – Përmbajtjet, respektivisht struktura e përmbajtjeve, rrjedhimisht edhe standardet dhe shembujt e aktiviteteve si pjesë e programeve, konstatojmë se nuk përmbushin pasqyrimin e mjaftueshëm dhe adekuat të historisë së popullit shqiptar. Qasja e këtillë hera-herës është fragmentuese, sipërfaqësore dhe nuk ndjek linjën e parimit didaktik kronologjik me ç’rast prodhon konfuzion kronologjik dhe mospeshim adekuat historik të ngjarjeve dhe proceseve në historinë e popullit shqiptar;

    – Në aspektin e përfaqësimit dhe krahasimit me numrin e përmbajtjeve të historisë së   popujve të Ballkanit vërehen ndrydhje të ndjeshme në disfavor të historisë së popullit shqiptar. Bazuar në përfaqësimin numerik të programeve të vjetra klasa e 6-të kishte 4 njësi, te programet e reja  për klasën e 6-të ka 1 ose 2 njësi, ndërsa klasa e 7-të ka pasur 10 njësi, tani ka 3 ose 4 njësi. Ky moment mund të vërehet dukshëm në drejtim të zvogëlimit ose përgjysmimit të përmbajtjeve që trajtojnë historinë e popullit shqiptar. Gjithsesi se është e drejtë që përmbajtja e programeve duhet të ndjekë parimin e aftësive dhe moshën e nxënësve, ndërkaq ky parim duhet zbatuar në mënyrë proporcionale dhe adekuate në raporte të përfaqësimit të historisë së popujve që jetojnë në RMV. Rjedhimisht konstatojmë se formati i këtillë i programit ka lëshime të ndjeshme në raport me reflektimin e përbërjes multietnike të shtetit tonë. Së këndejmi, jemi të bindur se e gjithë kjo do të reflektojë drejt varfërimit të interkulturalitetit historik dhe atij aktual në shoqërinë tonë.

    Duke u mbështetur në argumentet e mësipërme dhe duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, apelojmë dhe njëherit shpresojmë se ka mjaftueshëm kohë që Ministria e Arsimit të RMV-së, akoma pa i miratuar tekstet shkollore (të cilat sipas informatave tona janë në proces të miratimit), të zbatojë mekanizma adekuatë për të ndërmarrë aktivitete në drejtim të përfilljes së vërejtjeve dhe sugjerimeve tona për të pasur programe mësimore të cilat sigurojnë pranueshmërinë inkluzive për të gjithë nxënësit në RMV, si qasje e cila buron nga standardet nacionale të parashtruara në preambulën e secilit program.

    Shpresojmë se reagimi ynë, si profesionistë të shkencës së historisë do të kuptohet drejt, në të mirë të realizimit sa më të suksesshëm të programit të historisë për shkollat fillore dhe të mesme.

    Lajmi Paraprak

    Kosovë, më pak nxënës dhe studentë sesa një vit më parë

    Lajmi i rradhës

    Pacientët me diabet në Shkup presin me orë për insulinë – mungesa e internetit paralizon shërbimet prej ditësh!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë