Temat kombëtare janë të paevitueshme në këtë fushatë zgjedhore, për shkak se për 15 muaj shqiptarëve u është marrë hisja e tyre, sovraniteti dhe janë shndërruar nga një popull shtet-formues në pakicë. Kështu vlerësoi kandidati i AKI-së për komunë të Çairit Bujar Osmani. Ai edhe njëherë përsëriti se në këto zgjedhje qytetarët do të kenë dy zgjidhje, barazia apo shndërrimi në kukulla të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Micksoki.
“Këto 15 muaj është bërë gjithçka që është e mundur për të na nënçmuar si popull, për të na e marr statusin e zotit të shtëpisë, për të na e marr statusin e popullit shtet-formues, duke na e marr gjuhën, të drejtën e vetos institucionale me balancuesin, atë politike me Badinterin, na e kanë marrë të drejtën ne të vendosim për fatin tonë, na e kanë marrë sovranitetin si popull, tash ne jemi popull i rendit të dytë, jemi pakicë, kemi hyrë thellë në gjirin e botës serbe. Këto janë tema, mbi çdo temë, asnjë problem lokal nuk mund ta tejkalon tçëshjten e të ardhmes së fëmijëve tanë, a duam të shkojmë në BE, a duam të hyjmlë në kthetrat e botës serbe”, theksoi Osmani, I cili tha se në garën lokale ka futur “gjithë kapitalin politik dhe profesional”, duke e cilësuar Çairin si “identitet dhe mision jetësor”. Ai sfidoi kundërshtarin politik që të bëjnë betim ligjor te noteri për të mos e braktisur postin e kryetarit të komunës.
“Unë nuk e kam Çairin plan B ose rezervë. Kam lindur, jam rritur dhe jetoj në Çair, fëmijët më janë lindur këtu. Oponenti im e sheh këtë komunë si plan rezervë, mban poste në qeveri, merr adresë fiktive dhe llogarit të kthehet prapë në pushtet qendror nëse humb. Ky është dallimi më i madh mes nesh – kush e ka Çairin plan A dhe kush e ka plan B”, tha Osmani. Ai deklaroi se është i gatshëm të nënshkruajë noterialisht një zotim që nuk do ta lëshojë mandatin deri në ditën e fundit. “Pavarësisht çfarë ofertash do kem, edhe ndërkombëtare, nuk e lëshoj pozitën e kryetarit të Çairit. Ky është mision, jo kalkulim politik”, theksoi ai. Ai u zotua për një kulturë të re udhëheqjeje në Çair, duke e krahasuar me atë që e quajti “udhëheqësi të kapur nga klane dhe mafia urbane”.
“Në listën e votimit nuk do të kenë dy emra, do të kenë dy kultura të udhëheqjes: Puna me klane të një grupi i cila e ka kapur komunën dhe e ka shkrirë kufirin ndërmjet udhëheqësisë së komunës dhe mafias urbane dhe që jeton jashtë komunës, pro e ka shndërruar si arë për biznes këtu dhe koncepti tjetër që ofron ndermshmëri, disiplinë pune, përkushtim dhe rezultate. Në çdo proces që kam hyrë kam dalur me rezultate dhe kjoo është ajo që kam mësuar prej politikës se nëse opunon pa ndërprerë, përkushtohesh mjaftueshëm dhe ke nijetin e mirë edhe çështjet më të pazgjidhshme zgjidhen”, theksoi Osmani
BDI: AS MICKOSKI, AS VLEN, SHQIPTARËT VENDOSIN VET
VLEN çdo ditë e më shumë po e dëshmon gjendjen e vet të mjerueshme politike: pa zë, pa legjitimitet dhe të nënshtruar plotësisht ndaj padronit të tyre, VMRO-DPMNE-së. Ata nuk guxojnë të flasin për asnjë çështje të madhe kombëtare. Kryeministri i qorton publikisht sa herë që guxojnë të prekin tema madhore, duke ua kujtuar se janë aty vetëm për kanalizime dhe mbeturina. VLEN hesht për iniciativën skandaloze të VMRO-së në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit për gjuhën shqipe. Kështu ka reaguar BDI-së, sipas të cilës, VLEN hesht edhe për heqjen e balancuesit si mekanizëm mbrojtës për përfaqësim të drejtë në administratë.
“VLEN hesht për mosndëshkimin e policit që përdhosi flamurin shqiptar në Kumanovë që u avancua pastaj. VLEN hesht për hapjen e debatit mbi shfuqizimin e votimit me Badenter në Kuvend, si mburojë kundër majorizimit etnik. E vetmja gjë që ata bëjnë është të heshtin përpara Mickoskit dhe të ofendojnë shqiptarët. Shefi i shtabit të tyre, Adnan Azizi, madje kërkoi falje te Mickoski dhe u justifikua publikisht se nuk kishte në mendje të ndalonte projektet sllave e ruse, por se thjesht kishte kritikuar një shqiptar. Ky është imazhi i vërtetë i VLEN-it: vasalë të përulur përballë të huajve, por të guximshëm vetëm kur bëhet fjalë të sulmojnë shqiptarë”.
VLEN, thuhet më tej në reagimin e BDI-së, nuk reagoi as ndaj partnerit të vogël të Mickoskit, ZNAM, i cili haptazi i fyen dhe i poshtëron. “Edhe kur Izet Mexhiti u trajtua publikisht me përçmim – ‘mos u sill si Liza në botën e çudirave’ – ai zgjodhi të heshtë. Ky është turpi më i madh që ndonjëherë një parti shqiptare i ka sjellë shqiptarëve. Prandaj, shqiptarët janë mobilizuar dhe më 19 tetor në referendum do të flasin me një zë: përfaqësuesit e shqiptarëve i zgjedhin vetë shqiptarët, jo Mickoski, jo VMRO dhe jo veglat e tyre. Dinjiteti i shqiptarëve do të rikthehet vetëm me Aleancën Kombëtare për Integrim. Sepse shqiptarët meritojnë të kenë përfaqësues të lirë, të denjë dhe të pathyeshëm, jo krijesa politike artificiale të VMRO-së”.
VLEN: AKI ËSHTË KOALICION ME SHIRIT-NXHITËS
Koalicioni VLEN përmes një komunikate ka kritikuar ashpër opozitën shqiptare duke e quajtur atë “Koalicioni me shirit ngjitës”, pasi sipas tyre një koalicion i tillë është jo i natyrshëm dhe është i bërë nga “zori”.
“Koalicioni me shirit ngjitës Taravari-Sela-Ahmeti është fotografia më e qartë e mashtrimit politik. As vetë nuk u besojnë fjalëve që shqiptojnë. Njëri mban tubim pa tjetrin, të dytët shkojnë në Haraçinë jo për të uruar mbylljen e kanalit që VLEN e realizoi, por për të shitur të njëjtat tema që banorët i dëgjojnë prej 20 vitesh. Rrena dhe mashtrime! Ky koalicion rreh gjoks për shqiptari, por njëri është i zënë ngushtë me tenderët e “Gjoko Konstrakshën”, tjetri për ta shpëtuar karrierën politike, ndërsa i fundit bën çmos të vijë në pushtet e t’i shpëtojë familjarët e tij. Populli nuk është i verbër dhe nuk ha bar”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Nga VLEN theksojnë se opozita aktuale sot kur nuk kanë pushtet mundohen të shiten si patriot.
“Kur numëronte tenderët dhe privilegjet, Ahmetit nuk i pengonte askush as Gruevski e as Mijallkovi. Sot, pa pushtet, mundohen të shiten si patriotë. Por çdo komunë që kanë udhëhequr është në katrahurë. Patriotizmi i tyre është si tenxherja bosh bën shumë zhurmë, por brenda nuk ka asgjë. Më 19 tetor, shqiptarët do ta japin përgjigjen e merituar”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
TARAVARI: PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME NUK VENDOS KRYEMINISTRI, POR POPULLI
Ndërkohë, Arben Taravari në një takim me qytetarët ka thënë se AKI është krijuar si përgjigje ndaj kërkesës së shqiptarëve për një partneritet të barabartë në qeveri mes shqiptarëve dhe maqedonasve, jo një marrëdhënie nënshtruese ku pala shqiptare është vetëm për t’i shërbyer shumicës. Taravari shprehu bindjen se AKI do të fitojë në të gjitha komunat shqiptare, nga Likova deri në Strugë, duke thelluar diferencën ndaj VLEN-it. Por mesazhi më i fortë ishte ai për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Kot e ka kryeministri kur thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Për këtë nuk vendos ai, vendos populli. Dhe populli do të flasë shumë shpejt”, deklaroi Taravari. Sipas tij, pas fitores në zgjedhjet lokale, AKI nuk do të hyjë në Qeveri, por do të kërkojë që kryeministri të shpallë zgjedhje të parakohshme.
“Kam informata të brendshme – VLEN është totalisht i shpartalluar. Kanë porositur Mickoskin të thotë publikisht se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse i tremben vullnetit të popullit”, theksoi ai. Taravari më tej tha se AKI është krijuar si nevojë e kohës, ndërsa nga ana tjetër tha se VLEN tërë kohës premton rrejshëm se do të shndërrohen një parti. “Aleanca Kombëtare për Integrim nuk është një parti, sikur ata që thonë se ne jemi VLEN dhe një parti, por assesi të bëhen bashkë. Vazhdimisht VLEN coptohet dhe ndahet edhe më shumë. Unë e them me shumë përgjegjësi sepse Aleanca Kombëtare për Integrim është imperativ i kohës, një domosdoshmëri që të gjithë shqiptarët që kanë pak ndërgjegje bëhen bashkë”, deklaroi Taravari. Ai nënvizoi se ndryshe nga strukturat e përçuara të partnerëve shqiptarë në Qeveri, AKI mbetet një koalicion kompakt dhe me vizion të qartë për të ardhmen evropiane të vendit.
“Ne jemi bashkë dhe do të jemi bashkë derisa Maqedonia të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian dhe të hyjmë në një fazë të thellë të negociatave – për të mos thënë deri në përfundimin e tyre”, u shpreh ai. Duke iu drejtuar të rinjve, Taravari foli edhe për vendimin për të dalë nga Qeveria, duke e cilësuar atë si një zgjedhje për dinjitet. “Shumë njerëz më pyesin pse u larguam nga Qeveria. Ne ishim pjesë e VLEN-it dhe besuam se sollëm ndryshimin. Por kur ndryshimi rezulton të jetë më i keq se e kaluara, atëherë ke dy zgjedhje: ose të heshtësh dhe të mbash poste, ose të reagosh dhe të largohesh me dinjitet. Ne zgjodhëm të dytën”, tha Taravari. /Koha/






