Pas publikimit të rastit të ashtuquajtur “monstruoz”, konkretisht dhunën fizike të një motre medicinale ndaj një foshnje 3-muajsh vetëm pse nëna e saj nuk dinte të fliste maqedonisht dhe pas gjithë reagimeve që më pas pati nga ministri i shëndetësisë Arben Taravari, drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi njoftoi se ka ndodhur një keqkuptim. Pasi mjekët e Klinikës së Fëmijëve shpallën bojkot në një takim të furishëm me drejtorin Rexhep Memedi dhe thanë se nuk do të marrin pjesë në një komision për të përcaktuar se si kanë ndodhur mavijosjet e foshnjës tre muajshe që u shtrua atje, drejtori e mohon plotësisht tezën fillestare që ka ngritur familja, se mbi foshnjën është ushtruar “dhuna fizike” nga një infermiere me përvojë 15 vjeçare në Klinikë.
Ndërkaq, Memedi tha se “një komision do të përcaktojë nëse ka pasur qëllim” për shkaktimin e mavijosjeve që janë shfaqur në krahun e foshnjës, por mjekët në një takim profesional kanë njoftuar se puna e tyre nuk është të përcaktojnë qëllimet, por së pari, që familja të bëjë kallëzim, e më pas të thërrasë Prokurorinë dhe të udhëheqë procedurën në nivel të organeve hetimore, sepse akuzat e familjes janë jashtëzakonisht të rënda.
Pa asnjë mjek të angazhuar për të qenë pjesë e një komisioni për përcaktimin e qëllimeve, Memedi tha se nuk kishte asnjë qëllim për të dëmtuar foshnjën. Në këtë mënyrë çështja mbyllet dhe nga akuzat për dhunë fizike kalon në një fazë keqkuptimi.
“E vërteta është se nuk ka pasur fare qëllim për ta lënduar foshnjën. Kjo ndodhi në një procedurë për marrjen e gjakut për analiza. Zakonisht punojnë dy motra. Njëri rregullon krahun për të marrë gjak. Ndoshta për shkak të fiksimit mekanik me dorë, në dorën e djathtë të foshnjës është shfaqur një hematomë. Unë kam konstatuar se sipas të gjitha informacioneve dhe rrethanave, burimi i këtij keqkuptimi është komunikimi verbal i cili mund të mos jetë ashtu siç duhet. Ky komunikim më vonë hapi dilema te prindërit e fëmijës se ndoshta kjo qasje ka motive të tjera”, tha drejtori.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari thotë se është hapur procedurë disiplinuese ndaj njërës prej infermiereve në Klinikën e Pediatrisë në Shkup, ku një fëmijë tre muaj dyshohet se është keqtrajtuar nga personeli mjekësor. Taravari thotë se nuk ka dëshmi të keqtrajtimit.
“Unë shpresoj që masat që do t’i ndërmarrë Komisioni bashkë me drejtorin, do të japin efekt. Nëse përsëritet sërish, atëherë mendoj se menjëherë duhet të shfuqizohet kuadri mjekësorë. Nuk ka dëshmi se është bërë me qëllim, kështu që unë thash edhe në fillim, të jemi të kujdesshëm, t’i dëgjojmë të dy palët. Nuk besoj që ka punonjës shëndetësor që është i gatshëm të lëndojë fëmijë tre muajsh. Kështu që të jemi të kujdesshëm, të presim t’i lexojmë me shkrim të gjitha konstatimet e Komisionit të Klinikës së Pediatrisë dhe sërish do të informojmë. Për kë ka procedurë disiplinuese? Me siguri për infermieren dhe ndonjë punonjës teknik shëndetësor, sërish nuk jam i sigurt, pres që me shkrim t’i dërgojnë”, deklaroi mes tjerash Taravari.
Nga ana tjetër, mjeku Niko Beqarovski theksoi se në profesionin e tij të kahershëm nuk ka rastisur ndonjëherë që ndonjë kolegë i shëndetësisë të ketë lënduar me dashje një pacient e aq më pak një fëmijë të pafajshëm. Ai gjithashtu ka kërkuar që të miratohet Ligji për të drejtat dhe mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë.
“Nëse vërtet ekziston një përbindësh i tillë në radhët tona, ai duhet të dënohet më rëndë, por nëse kjo është vetëm një kalkulim tjetër politik për të krijuar tensione të panevojshme ndëretnike, autorët duhet të damkosen publikisht. Sot ‘viktima’ është një infermiere në Repartin e Pediatrisë, por nesër mund të jetë secili prej nesh”, thuhet Beqarovski.
Ndryshe, menjëherë pas publikimit të rastit edhe BDI pati një reagim të menjëhershëm, ku kërkuan dorëheqjen e ministrit dhe drejtorit, si dhe duke konstatuar se rasti i një foshnje shqiptare 3 muajshe për motive etnike nga personeli mjekësor në Klinikën e Fëmijëve është e papranueshme, jonjerëzore dhe sipas BDI-së, vjen si pasojë e impotencës politike të humbësve të zgjedhjeve që po poshtërojnë shqiptarët çdo ditë e më tepër. /Koha/