Keqpërdorim apo gabim teknik?! ASh akuzon Kasamin se keqpërdori ueb-faqen e Komunës së Tetovës për pikë politike të Lëvizjes Besa

    Kryetari i Komunës së Tetovës, i cili njëherit është dhe kryetar i partisë Lëvizja Besa, si duket nuk e ka të qartë se qytetarët e Tetovës idiologjikisht nuk i përkasin të gjithë “Besës”. Kështu ka reaguar dega e Tetovës e Aleancës për Shqiptarët e cila nisur nga fakti se në ueb-faqen e Komunës së Tetovës deri para pak orësh në një rubrikë paraqiteshin postimet nga Facebooku i kryetarit të Komunës, të cilat jo gjithnjë kanë të bëjnë me komunën që ai e drejton, por edhe me partinë. Komuna e Tetovës për Portalb.mk thotë se bëhet fjalë për lidhje automatike dhe se në të ardhmen do të selektohen postimet. Megjithatë, Komuna përmirësoi “gabimin” në ueb-faqe dhe në vend të profilit të Kasamit tani del ai i Komunës.

    Nga Aleanca për Shqiptarët reaguan se Kasami në faqen zyrtare të Komunës së Tetovës plason lajme të cilat kanë të bëjnë me marketing politik të partisë të cilën e udhëheq vet duke harruar se ndërkohë bën shkelje flagrante jo vetëm të standardeve morale nga kodi etik urban, por edhe të ligjeve në fuqi.

    “Kodi etik kërkon nga një kryetar komune që është i ndërgjegjshëm, para se gjithash të jetë i ndershëm dhe i paanshëm, t’i shmanget konfliktit të interesit (në rastin konkret atij partiak me atë të qytetarit të lirë), të parandalojë çdo formë të shprehjes së diskriminimit në lidhje me bindjet politike dhe të ngjashme. Të gjitha këto vlera janë standarde të shoqërive që mëtojnë lirinë e veprimit të secilit individ brenda një hapësire gjeografike apo njësie administrative siç është komuna. Përdorimi i faqes zyrtare të komunës së Tetovës për mbështetje të veprimtarive partiake irriton gjithsecilin që në një mënyrë edhe pse nuk ishte partiak i Besës e mbështeti po të njëjtin gjatë garës. Uzurpimet e institucionit komunë, përfshirë këtu dhe faqen zyrtare dhe përdorimi i saj për marketing partiak është një gabim i rëndë që nuk falet nga qytetari i lirë i Tetovës”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, dega e Tetovës.

    Në ueb-faqen zyrtare të Komunës së Tetovës, në fund të ballinës, në anën e djathtë, ishte i krijuar opsioni që të gjitha postimet e faqes zyrtare të facebookut të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit të shfaqen automatikisht aty. Në këtë drejtim, aty nuk kishte filtra që të dalin vetëm postimet rreth komunës, por dilnin edhe postimet dhe njoftimet tjera që Kasami bën si kryetar i partisë “Lëvizja Besa”.

    Për këtë, Portalb.mk pyeti udhëheqësinë e Komunës së Tetovës, se cili është qëndrimi i tyre në lidhje me këtë reagim të ASh-së dhe përse në vend se me profilin e kryetarit të Komunës së Tetovës, ueb-faqja nuk ishte e lidhur me profilin e facebookut të Komunës.

    “Puna dhe angazhimi ynë gjithmonë ka qenë i paanshëm dhe korrekt ndaj të gjithë situatave. Lidhur me rastin në fjalë mund të themi se është proces automatik i lidhur me postimet në rrjetin social Facebook të kryetarit dhe komunës dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të qëllimshëm të institucionit në fjalë lidhur me aktivitetin partiak të kryetarit Kasami. Sektori i IT po rifreskon në vazhdimësi web-faqen e komunës me të vetmin qëllim informimin e drejt dhe transparencën përpara qytetarëve. Gjithashtu, nga të njëjtët do të kërkohet të bëjnë selektimin e postimeve të të parit të komunës vetëm aty ku bëhet fjalë për Komunën e Tetovës”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

    Megjithatë, Komuna reagoi ndaj kësaj dhe ndryshoi opsionin në ueb-faqe. Tani në vend të postimeve të faqes së facebookut të Kasamit dalin postimet e faqes së facebookut të Komunës së Tetovës.

    E njëjta mund të shihet në fotografitë e mëposhtme, si ishte deri para pak orësh, dhe si është tani.Pjesa në ueb-faqen e Komunës së Tetovës ku paraqiten postimet e facebookut të Kasamit, foto: Aleanca për Shqiptarët – TetovëUeb-faqja e korrigjuar

    Lajmi Paraprak

    Meyer: Funksionarët t’u shërbejnë votuesve dhe jo interesave personale, të luftojnë korrupsionin

    Lajmi i rradhës

    Ramiz Merko është shprehur se do të dilte vetë t’i vriste qentë endacakë në Strugë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë