Në raportin për punën e Këshillit Gjyqësor thuhet se gjatë vitit të kaluar Këshilli ka mbajtur 39 seanca ku janë zgjedhur dhe shkarkuar gjyqtarë, ndërsa përfundimi është se gjykatat vazhdojnë të punojnë me mungesë stafi gjyqësor. Mbi 250 gjyqtarë kanë qenë në shënjestër të vlerësimit për punën e tyre, por raporti nuk tregon sa prej tyre janë sanksionuar.
“Në vitin 2024 ka 34 gjyqtarë më pak në krahasim me vitin 2023. Arsyeja më e shpeshtë për uljen e numrit të gjyqtarëve është për shkak të përmbushjes së kushteve për pensionim. Vitin e kaluar është kryer vlerësimi i rregullt i 260 gjyqtarëve, prej të cilëve 45 janë vlerësuar, si dhe 45 kryetarë gjykatash, ndërsa janë paraqitur gjithsej 47 ankesa”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.
Në pjesën e pavarësisë financiare, Këshilli Gjyqësor edhe këtë vit kërkon rritje të fondeve.
Këshilli Gjyqësor angazhohet për rritjen e përqindjes së buxhetit gjyqësor në raport me Bruto Prodhimin Vendor, nga 0.3 për qind aktualisht në nivel vjetor, në 0.8 për qind të përcaktuar ligjërisht për buxhetin e pushtetit gjyqësor.
Raporti vjetor për punën e Këshillit për vitin 2023 krijoi kushtet që shumica në pushtet të kërkonte dhe më pas të miratonte interpelancë për pesë anëtarët e Këshillit të zgjedhur pikërisht nga Kuvendi. Atëherë, deputetët nuk e votuan raportin dhe vlerësuan se Këshilli punonte në mënyrë të pjesshme dhe jo profesionale. Megjithatë, pavarësisht kësaj, këta pesë anëtarë të Këshillit mbetën në funksionet e tyre, pasi refuzuan të dorëhiqen dhe nuk u pajtuan me qëndrimin e deputetëve se duhet të largoheshin. Tani mbetet të shihet se si do ta vlerësojnë deputetët raportin këtë vit, nëse edhe këtë herë do të jetë objekt kritikash si vitin e kaluar dhe nëse eventualisht kjo do të çojë në kërkesa të reja për dorëheqje të anëtarëve të Këshillit. /Alsat/