RMV, këtë vit më pak mjaltë

    Dëmet e ndryshme të shkaktuara nga temperaturat e larta, nuk kanë anashkaluar as bletarët. Agronomët thonë se vapa e madhe në muajt e fundit, në vendin tonë dhe rajon po zvogëlon dhe po dëmton me të madhe edhe llojet e ndryshme të bimësisë që japin ushqimin e bletëve. Përskaj ndikimit të dëmshëm të temperaturave të larta ndaj gjendjes së bimëve, nuk janë të rralla as rastet kur i nxehti afrikan ndikon edhe në aftësinë e punës së bletëve, zhvillimin e koshereve dhe krijimin e shoqërive të reja të bletëve.

    Me fjalë të tjera, si rrjedhojë e motit të nxehtë kemi edhe kullosa më të varfra, dhe bletët sjellin më pak nektar dhe polen për nevoja të përditshme. Në kushtet tona klimatike rëndom, gushti është muaji më i nxehtë, mirëpo edhe temperaturat edhe më të larta se 32 gradë celsius, ndikojnë ndaj rendimentit të mjaltit. Bletarët me përvojë thonë se në këtë vapë përvëluese në natyrë me ulje të madhe të nektarit, bletët edhe nuk kanë çka të bëjnë jashtë, por nevojitet që vetëm të përkujdesen për familjen ekzistuese dhe të sjellin ujë. Sugjerohet që bletarët në këtë situatë të vapës ekstreme sigurojnë ujë dhe ushqim për kosheret.

    “Në këtë sezon gjithsesi se do kemi më pak mjaltë, edhe pse grumbullimi i mjaltit që fillon në muajin maj dhe zgjatë deri në muajin korrik ka përfunduar. Sivjet mund të them se do të kemi një vit të dobët, por jo edhe katastrofik”, thotë bletari Ljupço Stankoski. Bletarët e tjerë thonë se edhe mikroklima apo klima në një hapësirë shumë të ngushtë është mjaftë e rëndësishme për rendimentet e mjaltit. Kështu në dy lokacione të ndryshme ku vendosen kosheret e bletëve, njëra me bletarinë ku transportohen bletët dhe tjetra ku nuk lëvizin, sjell edhe ndryshime në sasinë e mjaltit. Në një vend në muajt maj dhe qershor mund të ketë më shumë reshje shiu, në tjetrin më shumë thatësi që sjell edhe më pak apo më shumë mjaltë. Vlerësohet se përskaj lulëzimit të bimëve nevojitet edhe temperatura dhe lagështia përkatëse për një bletari të mbarë. Thënë ndryshe, në më shumë rajone në Maqedoninë e Veriut në vitet e kaluara në muajin maj dhe qershor ka ose thatësirë të madhe apo shi të dendur dhe temperatura të larta, apo ditën ka temperatura të larta ndërsa natën të ulëta, që në fund pamundëson edhe aktivitetin e bletëve lidhur me përpunimin e mjaltit.

    “Si masë për zbutjen e ndryshimeve klimatike sugjerohet të mbillen bimë që lulëzojnë në periudhat e krizës pa kullosë, që sigurojnë kullose të heshtur nga grupi i bimëve aromatike , për ilaçe dhe të mëlmesave siç janë rigoni, lavanda, korianderi, trumza etj”, thonë agronomët.

    Nga ana tjetër, ndryshimet klimatike po shkaktojnë telashe për bletarët në të gjithë botën.

    Mediat raportojnë se 30 për qind e kolonive të bletëve në Francë po vdesin për shkak të ndryshimeve klimatike dhe dëmeve të shkaktuara prej specieve të emigruara. Por bletët vuajnë edhe nga ndryshimet klimatike. “Për shembull, këtë vit lulet çelën shumë herët, dhe pastaj pati përsëri ngrica. Po ashtu bletët sëmuren edhe prej parazitëve që kanë ardhur nga Azia dhe që nuk ekzistonin më parë këtu te ne”, thonë bletarët francez. Në ndërkohë, analizat e ndryshme të ekspertëve të agronomisë kanë treguar se ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejtë tek sjellja, riprodhimi dhe cikli i jetës së bletëve. Ndikimet të ndryshimeve klimatike në bletari janë edhe prishja e ambientit natyror ku janë vendosur bletët, qasja apo jo qasja ndaj kullosave dhe ujit, përdorimi në rritje i mjeteve për mbrojtje të bimëve që dëmton kullosat etj

    Gjithashtu, ndryshimet e tipareve dalluese të bimëve mjaltoze si rezultat i ndryshimeve klimatike manifestohen edhe me paraqitjen e periudhave të gjata pa kullosa, ndryshime në prodhimtarinë e luleve, madhësinë dhe hapjen e luleve. Me këtë, bletët përballohen me mungesë të nektarit dhe polenit e që janë të domosdoshme për zhvillimin dhe funksionimin e familjeve të bletëve. Nën ndikimin e ndryshimeve klimatike paraqiten edhe sëmundjeve dhe dëmtuesve tek bletët, si sindromi i kosheres së zbrazët, një nga sëmundjet më të shpeshta në të kaluarën tek bletët si varoza bëhet më agresive dhe më rezistuese etj./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Filipçe: Qytetarët që kanë kaluar Covid-19 do të mund të hyjnë në objektet hotelerike vetëm 45 ditët e para

    Lajmi i rradhës

    Hodai: Rinia keqpërdoret vetëm në fushatë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë