Kina drejton sytë nga Afganistani teksa zgjerohen luftimet

    Teksa situata e sigurisë në Afganistan po përkeqësohet, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka nisur një turne të profilit të lartë në Azinë Qendrore, që sipas analistëve, është përpjekje e Pekinit për të shtyrë përpara interesat e tij në rajon.

    Vizita njëjavore në Turkmenistan, Taxhikistan dhe Uzbekistan vjen në kohën kur talibanët po vazhdojnë të marrin nën kontroll, territore nga forcat e Qeverisë afgane, teksa ka filluar tërheqja e forcave të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s nga Afganistani, proces ky që pritet të përfundojë më 31 gusht.

    Wang do të shikojë mundësitë që të rrisë fuqinë e Pekinit teksa do të diskutojë mbi shqetësimet e sigurisë në rajon, teksa po vazhdon tërheqja e trupave të huaja dhe luftimet ndërmjet talibanëve dhe forcave qeveritare afgane po intensifikohen.

    Ofensiva e talibanëve e ka lënë Pekinin dhe shtetet në Azinë Qendrore – sikurse edhe lojtarët rajonalë siç janë Irani, Pakistani dhe Rusia, që kanë interesa kyçe në Afganistan – që të shohin me padurim situatën e paqartë të sigurisë, që po ndodh në pragun e tyre. Fqinjët e Afganistanit po ashtu kanë shtuar përpjekjet e tyre diplomatike me palët kryesore të përfshira në konflikt, teksa mundohen që të parandalojnë që ky konflikt të arrijë edhe në shtetet e tyre.

    “Nuk pres ndonjë befasi nga ky turne, por Pekini do ta përdorë këtë turne si mundësi për të shfaqur ambiciet për fuqi rajonale”, tha për Radion Evropa e Lirë, Temur Umarov, ekspert për Kinën në Azinë Qendrore në Qendrën Carnegie.

    Turneu i ministrit të Jashtëm kinez, Wang nisi më 12 korrik me një vizitë dyditore në Turkmenistan, që u pasua me takime në Uzbekistan dhe Taxhikistan, ku Wang do të marrë pjesë në takimet vjetore të ministrave të Jashtëm në Organizatën për Bashkëpunim të Shangait (SCO) në Dushanbe të Taxhikistanit, do të fokusohen në atë që zëdhënësi i MPJ-së kineze, Wang Webin e quajti “epokën pas tërheqjes së trupave” në Afganistan.

    SCO – një bllok politik i Euroazisë, i fokusuar në luftën kundër terrorizmit e ku marrin pjesë Kina, Kazakistani, Kirgizia, India, Pakistani, Rusia, Taxhakistani dhe Uzbekistani – ka qenë një prej mjeteve përmes së cilave Pekini ka zgjeruar ndikimin e tij në Azinë Qendrore dhe më gjerë në rajon, ndikim i cili mund të rritet për shkak të situatës së paqëndrueshme në Afganistan.

    Roli i ardhshëm i Kinës, megjithatë, ende nuk është definuar. Pekini mban raporte strategjike me Pakistanin, mbështetësit kryesor të talibanëve, dhe Kina ka lidhje të fuqishme me Iranin. Ndikimi politik dhe ekonomik i Kinës në Azinë Qendrore gjithashtu është zgjeruar në mënyrë dramatike në dekadën e fundit.

    Por, përderisa Pekini posedon kartën e ndikimit për Afganistanin, “strategjia e tij është e paqartë dhe e mjegullt”, thotë Umarov, i cili shton se edhe pse “Kina dëshiron të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara” në Afganistan, gjithashtu nuk dëshiron që të ketë një qasje më të drejtpërdrejtë.

    “Në të ardhmen, ne me gjasë do të shohim përfshirje më të madhe (kineze) me palë të ndryshme në konfliktin afgan, por vetëm nëse u shkon për shtati interesave që Kina ka në rajon”, tha Umarov.

    “Qëllimi më i rëndësishëm për Kinën është që ta mbajë konfliktin brenda kufijve të Afganistanit”, shtoi ai.

    Pamja nga Azia Qendrore

    Shqetësimet për përhapjen e aktiviteteve ekstremiste islamike ndahen nga fqinjët verior të Afganistanit në Azinë Qendrore. Ata po ashtu janë në epiqendër të disa lëvizjeve të fundit në rajon dhe do të marrin pjesë në samitin e SCO-së që do të mbahet në Dushanbe.

    Turkmenistani në korrik vendosi armatim të rëndë më afër kufirit me Afganistanin dhe i vuri në gatishmëri rezervistët në Ashgabat. Ky shtet në Azinë Qendrore që ndan një kufi prej 804 kilometrash me Afganistanin, gjithashtu ka qenë nikoqir i një delegacioni të talibanëve më 10 korrik, ka raportuar shërbimi turkmen i Radios Evropa e Lirë.

    Javëve të fundit, përfaqësuesit e talibanëve po ashtu kanë vizituar Islamabadin, Moskën dhe Teheranin me qëllim që të sigurojë vendet fqinje të Afganistanit se nuk do të ketë vakum të sigurisë në vend, pas tërheqjes së SHBA-së.

    Më 5 korrik, Taxhikistani – ku dy e treta e kufirit të këtij shteti prej 1.357 kilometrash që ndan me Afganistanin tani është nën kontrollin e talibanëve – dërgoi 20.000 rezervistë të ushtrisë për ta mbrojtur kufirin dhe bëri thirrje për ndihmë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), që është një bllok ushtarak i udhëhequr nga Moska e ku Taxhikistani është anëtar.

    Ngjashëm edhe Uzbekistani dhe Taxhikistani kanë parë refugjatë dhe forca afgane që janë mposhtur nga talibanët, të largohen përmes kufijve të tyre teksa luftimet janë intensifikuar javëve të fundit.

    Taxhikistani veçanërisht është një pikë kryesore sa i përket çështjes së sigurisë më të gjerë në rajon. Ky shtet është nikoqir i pothuajse 7.000 trupave ruse që janë të vendosur në bazën më të madhe ushtarake në këtë vend dhe po ashtu në Taxhikistan ndodhet edhe një bazë ushtarake kineze përgjatë kufirit mes Afganistanit dhe Taxhikistanit dhe kjo është baza e vetme ushtarake që Pekini ka në rajon.

    Raportohet se personeli kinez mbledh informacione të inteligjencës që kanë në fokus anti-terrorizmin, veçanërisht informacione ndaj grupeve militante ujgure që janë të vendosur në Afganistan, ku Pekini dëshiron që t’i monitorojë dhe të parandalojë që ata të kalojnë kufirin dhe të shkojnë provincën Xinjiang.

    Moska vazhdon të jetë lidere ushtarake në rajon dhe e sheh Azinë Qendrore brenda “sferës së ndikimit” të saj. Teksa Kina dhe Rusia ndajnë shqetësime të ngjashme mbi stabilitetin në rajon, Kremlini vazhdon të jetë i shqetësuar lidhur me rritjen e pranisë ushtarake kineze në këtë zonë, një faktor, që sipas analistëve, Pekini duhet ta ketë parasysh tash kur situata po ndryshon në Afganistan.

    “Mendoj se do të jetë e vështirë për Moskën të pranojë që Pekini do që të jetë violina e parë në rajon”, tha për REL-in Nargis Kassenova nga Harvardi, që fokusohet në rolin e Kinës në rajon.

    Kina dhe talibanët

    Përderisa Kina ka ambicie më të mëdha në rajon, shqetësimet e saj me Afganistanin janë të fokusuara në militantët ujgurë dhe për sigurinë e saj.

    Lidhjet historike të talibanëve me grupet ekstremiste ujgure, të lidhura me Al-Kaidën, datojnë me dekada dhe kanë qenë burim i një alarmi për Pekinin në të kaluarën, veçanërisht Lëvizja Islamike e Turkmenistanit Lindor.

    Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera, në të kaluarën e kanë cilësuar këtë grup si organizatë terroriste, por administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump e kishte hequr nga lista e organizatave terroriste, duke nxitur reagime nga Pekini.

    Kina, pjesërisht e ka përdorur ekzistimin e grupeve të tilla ekstremiste për të justifikuar shtypjen që bën në Ksinjiang, ku ka internuar më shumë se 1 milion ujgurë, kazakë, kirgizë dhe minoritete të tjera myslimane në një sistem të madh kampi, kanë thënë zyrtarët për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara.

    Shumë militantë ujgurë, që ishin të vendosur në Afganistan, viteve të fundit u shpërngulën në Siri, por më 2020, sipas një raporti të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vlerësohej se disa qindra militantë vazhdonin të ishin në Afganistan.

    Pavarësisht historisë së tensionuar, talibanët kanë refuzuar që ta dënojnë trajtimin që u bën Kina myslimanëve në Ksinjiang dhe kanë thënë se nuk do të strehojnë militantët ujgurë në territoret që ata kontrollojnë.

    “Ne po shohim disa deklarata të sofistikuara nga talibanët lidhur me bashkëpunimin e tyre me Kinën”, tha për REL, Niva Yau, hulumtuese në akademinë e OSBE-së në Bishkek të Kirgizisë. “Kjo tregon se ka interes nga talibanët për të fituar legjitimitet dhe njohje nga Kina”.

    Në përpjekje për të qetësuar shqetësimet e Pekinit, përfaqësuesit e talibanëve janë përfshirë në një fushatë mediale, duke dhënë deklarata për mediat kineze dhe për mediat e huaja, duke thënë se Kina është një “mike e mirëpritur” në Afganistan.

    Zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen u tha gazetarëve në Katar më 8 korrik se territori afgan, që ky grup ka nën kontroll, nuk do të përdoret ndaj shteteve të tjera dhe se talibanët nuk do të ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës.

    Përderisa zyrtarisht Pekini mbështet Qeverinë në Kabul të presidentit Ashraf Ghani, Kina raportohet se po u bën presion talibanëve që të kufizojnë raportet e tyre me grupet militante ujgure në këmbim të investimeve financiare në infrastrukturën afgane, nëse ata marrin kontrollin e shtetit.

    “Talibanët e dijnë se nëse ata marrin kontrollin e Afganistanit, do t’u duhet njohje e shtetësisë dhe legjitimitetit nga shtetet fqinje. Këtu përfshihet Azia Qendrore dhe Kina”, tha Yau.

    Lajmi Paraprak

    KE nis procedura kundër Hungarisë e Polonisë për diskriminim të LGBT-së

    Lajmi i rradhës

    Operacioni i arrestimit të mjekut të dyshuar për marrje ryshfeti nga një pacient – veteran i UÇK-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë