KIP “Jellak”, këshilli komunal voton iniciativën PËR pezullimin e PDU-së

    Fotografi ilustruese

    Përgatiti: Sumeja H Jakupi

    Sot në seancën e jashtëzakonshme të këshillit komunal – Tetovë kaloi propozimi për pezullimin e PDU-së së KIP “Jellak”-ut. Me 18 vota Për, asnjë Kundër, asnjë Përmbajtur , njofton Nistori.

    “Ashtu siç është paraparë ai plan urbanistik që parasheh ndërtimin e një muri komplet gjatë bulevardit në rrugë industriale në atë pjesë dhe mund të paraqes rrezik për shtimin e mëtutjeshëm të ndotjes së ambientit si dhe interesit publik, unë si kryetar komune duke pasur parasysh se edhe në mbledhjen paraprake për çështje procedurale nuk arriti që kjo pikë të jetë në rend dite, e pash të arsyeshme që të thërras mbledhje të jashtëzakonshme dhe të niset iniciativa për rrishqyrtimin e atij plani që pastaj të përgaditet ashtu siç është paraparë nga elaborat, ekspert të fushës dhe këshilli të sjellë vendim a do të pezullohet apo jo”, deklaroi Kasami.

    Ndryshe, në seancën e katërt ky propozim dështoi të futet në rend dite për shkak se pozita nuk i kishte numrat, përkatësisht kishte 15 vota e jo 16, sepse mungoi këshilltarja e Lëvizjes Besa. Mungesa e këshilltares, sipas Kasamit ishte për arsye shëndetësore dhe nuk arriti në kohë.

    “Ne të gjithë jemi njerëz, mund të ndodh që të sëmuremi. Këshilltarja ka qenë në një kontrollë në spital dhe pastaj erdhi. Kështu që nuk besoj se ka ndonjë dilemë të tillë. Sigurisht që përkushtimi im si kryetar, besoj edhe këshilli është që rishqyrtohet ai plan dhe nga fillimi të nisin të gjitha procedurat që parashihen me ligj.” – deklaroi Kasami. (sinc 18 dhjetor 2021).

    Këshilltari nga radhët e Bashkimi Demokratik për Integrim tha, se seanca nuk është konform procedurës dhe rregullave ligjore, prandaj vendosën që të tërhiqen nga debati dhe të ulen në pjesën e karrigeve ku ulen qytetarët.

    “Kërkuam që kjo seancë mos të ngutet, të thirret në një kohë të arsyeshme, të na dërgohet materiali adekuat se ne si këshilltarë nuk kishim aspak material sa i përket pikës së rendit të ditës, nuk kishim as arsyen. Përmendi përfaqësuesja e sektorit se ende nuk e ka të elaboruar arsyen e këtij inicimi dhe për këtë qëndrim ne nuk u kyçëm në debat në lidhje me propozimin e kësaj iniciative. Ne e kontestuam mënyrën e thirrjes së seancës, domethënë thyhet rregullorja dhe konstatuam se nëse vazhdojmë të rijmë në këtë seancë në cilësinë e këshilltarit ne atëherë e përkrahim këtë seancë e cila nuk është legjitime. Në një situatë të rregullt në një seancë të rregullt, sepse e dimë se është një lëndë voluminoze, ka shumë dokumente të ndryshme nga ministri të ndryshme, duhet gjithashtu të shqyrtohet edhe nga ekspertë të fushës sepse ne nuk jemi të gjithë ekspertë të asaj lëmie” – deklaroi ndër të tjera Osmani.

    Të njëjtin mendim e ndal edhe Ilija Dimitrieski, këshilltar nga LSDM. Ai deklaroi, se seanca nuk i plotësonte kushtet ligjore dhe statutore për thirrje të seancës së jashtëzakonshme. 

    “Këshilltarët e LSDM-së u larguan nga votimi dhe e ndoqën seancën si qytetarë. Është marrë një vendim për të cilin nuk kemi asnjë material për të cilin nuk dimë se çfarë parashikon. LSDM nuk është kundër çfarëdo plani detal urban që është miratuar, por duhet të jenë në një procedurë të rregullt dhe të ketë materiale të nevojshme në mënyrë që këshilltarët të marrin qëndrimet e tyre.” – shton Dimitrieski.

    Ndryshe nga opozita komunale, këshilltarët nga lista “Më mirë për Tetovën”, Hamdi Sulemani dhe Elmedina Abdulai votuan Për nismën e pezullimit të PDU të bllokut urban 57, Sulemani theksoi para medias, se një ndër dyshimet më të mëdha të aferave korruptive në qytetin e Tetovës është PDU e investitorit kontravers, pasi për të njëjtin plan ka edhe përgjime ku flasin kryeministri dhe njerëz të tjerë.

    “Duke marrë parasysh se ky është një ndër dyshimet më të mëdha të aferave korruptive në qytetin e Tetovës, pasi për të njëjtin plan ka edhe përgjime ku flasin kryeministri dhe njerëz të tjerë, atëherë ne si këshilltarë pamë të arsyeshme se duhet të ngremë këtë çështje. Kjo çështje është për qytetarët dhe jo për interesat klanore. E patë edhe vetë në debatin në këshillin komunal, duke i shpjeguar dispozitat ligjore, pasi të cilat nuk janë respektuar për ardhjen në fuqi të planit urbanistik, ne si këshill vendosëm që të iniciojmë procedurën që administrata e komunës së Tetovës, komisioni për Urbanizëm pranë administratës e cila është emëruar nga kryetari i komunës së Tetovës të marrë dhe të shqyrtojë edhe njëherë këtë problematikë dhe këtë plan kontravers i cili është i njohur për të gjithë regjionin tonë.” – potencoi Sulemani.

    Edhe Besar Durmishi i Lëvizjes Besa para medias tha, se kjo ishte vetëm si iniciativë ku do të obligohet sektori i urbanizmit që të bëjë një elaborat dhe ta sjell në këshill që më pas në seancat tjera të vendos këshilli.

    ” Në qoftë se i ka të gjitha procedurat ligjore që duhet ti ketë normalisht do e votojmë që të kalon, nëse jo do të votojmë që të ndryshohet. Mos të harrojmë se ky plan detal urbanistik është sjellë vitin e kaluar me 15 shkurt kur janë shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare ndërsa pas shtatë ditëve është bërë kërkesë nga komuna e Tetovës te Ministria e Transportit që të jep pëlqim për këtë detal urbanistik.” – tha ndër të tjera Durmishi.

    Plani i Detajuar Urbanistik (PDU) me vlerë prej 200 milionë euro u votua në qeverisjen e kaluar në komunën e Tetovës nga LSDM, BDI dhe ASh. Biznesmeni kontravers Miodrag Daka Davidoviq është i njohur nga bisedat e publikuara para zgjedhjeve parlamentare, në të cilat dëgjohet qartë se ai ka dhënë 300 mijë euro me qëllim për t’iu kryer punët, ndërsa përveç kësaj premton 2,000 metra katror tokë dhe 2 milionë euro nëse përfundon puna në lidhje me KIP Jellak-Tetovë”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Familjarët e rastit “Monstra” kërkojnë hetim ndërkombëtar

    Lajmi i rradhës

    Filipçe paralajmëron rritje prej pesë për qind të pagave për punonjësit shëndetësor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë